E ulur në një cep të divanit në shtëpinë e saj në Romë, e cila është mobiluar thjesht, me një dru antik, Rita Levi Montalçini është shumë fisnike. Duket mjaft elegante me fustanin blu, i cili i zbret deri te kaviljet dhe është i mbyllur në qafë. Ngjyra blu e errët e fustanit i nxjerr në pah flokët e bardhë. Në dorën e djathtë ka vënë një byzylyk që e ka dizajnuar vetë, mbi të cilin është shkruar një citat. Ajo ishte një bizhuteri që ia kishte dhuruar së motrës Paola, binjakja e cila vdiq tetë vjet më parë. Paola ishte një artiste, nxënëse dhe mikeshë e Feliçe Kasoratit. "Zemra e saj vazhdon të rrahë ende brenda meje".
Muret e kësaj shtëpie të thjeshtë e të bukur janë përshkuar mijëra herë nga vështrimet e saj. Madje, në një nga faqet e murit ndodhet portreti i Ritës, i pikturuar në ‘45. Mbi tarracë ndodhet një mozaik i madh, që riprodhon trajektoret e grimcave atomike në dhomën me flluska. Sa herë që flet për të, në sytë e profesoreshës pasqyrohet melankoli, nostalgji, por jo dhimbja e humbjes së madhe. "Kemi pasur një jetë të bukur. Nuk besoj në përjetësi, sepse gjithçka që ka lindur do të vdesë". Rita kujton përmendësh një poezi që e kishte shkruar për nipin e saj skizofren, i cili u vetëvra në moshën 24-vjeçare.
Edhe pse në moshën 99-vjeçare, Rita Levi Montalçini fle gjithnjë pas orës 23:00 të mbrëmjes kurse çdo mëngjes zgjohet në orën 05:00. "Nuk më interesojnë as ushqimi dhe as gjumi". Ushqehet një herë në ditë, vetëm në drekë. Në mbrëmje ha një supë të lehtë me lëng mishi dhe një portokall. "Jam mirë. Mallkoj humbjen e shikimit dhe dëgjimit. Nuk kam vuajtur kurrë më parë nga ndonjë sëmundje". Në veshë mban një aparat dëgjimi dhe lexon falë një videoje zmadhuese. "Më ndihmojnë bashkëpunëtorët e mi". Më të rëndësishmit janë Pietro Kalisano, i cili më qëndron pranë prej 40 vitesh, dhe Piero Jentile. "Truri im funksionon më mirë tani se sa kur isha 20 vjeçe. Kam vendosur ta përdor më shumë tashmë që jam në fund të jetës sime. Këtë gjë e mendoj vazhdimisht dhe më kryesorja më ndihmon pasioni për punën time. Do të vazhdoj kërkimet mbi ‘Nfg‘-në, sigla e proteinës që stimulon rritjen e qelizave nervore. Ky është një studim mbi sëmundjet neurovegjetative, të cilin e kam filluar më shumë se gjysmë shekulli më parë. Kujdesem gjithashtu për fondacionin e krijuar bashkë me Paolën, në kujtim të babait, për dhënien e bursave studenteve afrikane që janë në fakultet, me qëllim krijimin e një klase me vajza të reja që zhvillojnë një rol partneriteti në jetën shkencore dhe sociale në vendet e tyre. Po shkruaj dy saga të reja shkencore dhe për çudi nuk ndihem aspak e lodhur".
Çdo ditë shkon në laborator. Në ekipin e saj të punës bëjnë pjesë edhe shtatë gra. Ulet mbi mikroskop, ekzaminon embrionet e mishit të pulës njësoj siç bënte 50 vjet më parë kur ishte në Amerikë.
"Zgjuarsia ime është mediokre, ndërsa angazhimi im është pak më shumë se mediokër. Mendoj se kam vetëm dy cilësi: intuitën dhe aftësinë për ta parë një problem në mënyrë komplekse. Kur isha e re mendoja se misioni im ishte ai për të ndihmuar të tjerët, dëshiroja të shkoja në Afrikë dhe të kuroja njerëzit e sëmurë. Doja të mos interesohesha absolutisht mbi veten time, nuk kërkoja mirënjohje", shprehet ajo. Në fakt nuk ndodhi kështu. Ndonjëherë fati nuk është në anën tonë. Në vitin 1986 Rita fitoi çmimin "Nobel" për mjekësinë. "Në atë kohë jetoja në Romë. Më kujtohet që ishte natë kur më telefonuan për të më dhënë lajmin. Po lexoja një libër të ndaluar të shkrimtares Agatha Christie. E përmend sepse dihet që unë lexoj romane dhe këtu do të veçoja sagat e filozofisë. Kam dobësi për Tolstoin, Michael Crichton dhe Agatha Christie. Ceremonia për dorëzimin e çmimit "Nobel" që u zhvillua në Stokholm, nuk ishte shumë mbresëlënëse. I ngjante më shumë një lloj festivali të madh".
Më 1 gusht të vitit 2001 i telefonoi Presidenti i Republikës, që në atë kohë ishte Karlo Azelio Kampi. "Ja se çfarë më tha: ‘Jam Kampi dhe ju dërgoj përmes telefonit përqafime të ngrohta. Ju emëroj senatore e përjetshme për meritat shkencore dhe sociale‘. Arrita t‘i përgjigjesha vetëm me një faleminderit. Isha shumë e emocionuar". Sot gjykimi mbi politikën është përmbledhur në një gjest demoralizimi. "Mendoj se jam injorante sa i përket politikës, përkatësia ime kundrejt saj është detyrë civile dhe morale. Sigurisht, kam qenë gjithnjë një grua e majtë. Në Parlament kam njohur njerëz të zgjuar nga të dyja palët. Fitorja e pastër e së djathtës në zgjedhjet e fundit më ka habitur, por do të ishte shumë e lehtë të pohoje se pas 20 vjetësh nën regjimin fashist dhe pesë nën atë të Berluskonit, italianët treguan edhe një herë se nuk kanë aftësi zgjedhjeje dhe të dallojnë të mirën nga e keqja. Ka disa ndjenja dhe dëshira që duhen analizuar mirë dhe unë nuk zotëroj instrumentet e duhura për ta bërë. Tërhiqem me modesti dhe respekt. Italia të jep përshtypjen sikur është e vjetër, sikur është e burgosura brenda një kambane xhami, e cila e ndalon të ecë. Në tetëmbëdhjetë muaj, qeveria e të majtëve punoi mirë, por mund të bënte më shumë. Mund të them se u mungonte vullneti. Në klasën tonë politike, të paktën sa i përket kërkimit mjekësor dhe shkencor, nuk ekziston vetëdija që njohja do të thotë pasuri. Është për të ardhur keq, sepse kemi një vend të mrekullueshëm dhe një teknologji që na e ka zili e gjithë bota. Nga universitetet tona dalin studentë mjaft të përgatitur, që më pas nuk gjejnë një terren pjellor mbi të cilin të ushtrohen. Kështu nëse mundet, pjesa më e madhe e tyre emigron jashtë vendit. Ua dhurojmë të tjerëve, dhe, në momentin që rikthehen, janë të lodhur e të plakur. Italia nuk ka qenë kurrë e aftë të investojë për aftësitë intelektuale të njerëzve të saj. I mungon dëshira për të njohur meritat".
Rita Levi Montalçini nuk ka fëmijë dhe shpjegon arsyet, duke filluar që nga Zoti. "Urrej ata që kanë fe. Unë nuk besoj në Zot. Nuk mund të besoj në një Zot që na shpërblen dhe na ndëshkon, në një Zot që dëshiron të na mbajë në duart e tij. Çdo njëri prej nesh mund të bëhet një shenjtor ose bandit, por kjo varet nga tre vitet e para të jetës sonë, jo nga Zoti. Është një ligj i shkencës që quhet epigjenetika, me fjalë të tjera mund të përshkruhet si rezultati i dialogut që vendoset mes gjeneve tona dhe ambientit familjar e shoqëror në të cilin rritemi. Merrni një biçikletë dhe një insekt, sot janë të pothuajse të njëjta në krahasim me 200 vite më parë, ndërsa ne jo. Njeriu është 100% darvinian. Kur isha tre vjeçe, ju betohem, vendosa të mos martohesha kurrë, dhe për pasojë nuk do të lindja as fëmijë. Mbeta e kushtëzuar nga marrëdhënia jo fort e mirë që kishin nëna me babain. Në atë kohë, të lindje vajzë, do të thoshte të kishe të injektuar në trup një markë inferioriteti. Për më tepër kam parë shumë çifte që nuk kanë qenë kurrë të lumtur, si në atë kohë, ashtu dhe sot. Jetë të trishtuara dhe të zbrazura. Po ju tregoj një fragment kur isha në Shtetet e Bashkuara. Në një mbrëmje, m‘u afrua një grua dhe më tha: ‘Edhe bashkëshorti juaj është pjesëtar i Akademisë Ndërkombëtare?‘, ndërsa unë iu përgjigja: ‘I am my own husband‘ (‘jam unë burri i vetes sime‘). Ajo u largua menjëherë dhe mbeti e habitur, ndoshta sepse nuk dija të flisja mirë anglisht. Kam hequr dorë nga krijimi i një familjeje, por jo nga dashuria, kjo jo. Kam pasur pëlqime, gjithashtu kam rënë në dashuri dhe kam qenë e lumtur. Por ndoshta fëmija im i vetëm ka qenë ‘Nfg‘-ja. Kam pasur dhe kam miq të rëndësishëm, të cilët kam një jetë që i njoh: Renato Dulbeko, Xhuzepe Atardi, mësuesin tim Viktor Hamburgher në ‘Washington University‘ në St. Louis, Norberto Bobio, e shumë të tjerë. Përreth meje gjithçka ka qenë e mrekullueshme".
Nga e kaluara nuk e shqetësojnë fantazmat. "Pa Musolinin dhe Hitlerin sot do të isha një zonjë e vjetër që është një hap larg të 100-ve. Falë atyre arrita në Stokholm. Nuk jam ndier kurrë një e persekutuar. E kam jetuar qenien time hebrenje në mënyrë laike, pa krenari dhe poshtërim. Nuk shkoj as në kishë dhe as në xhami. Nuk e shoh si diçka të jashtëzakonshme që i përkas një lloj qenieje humane që ka vuajtur shumë, dhe mbi të gjitha, nuk kam kërkuar kurrë të tërheq vëmendjen. Të jesh hebre mund të mos jetë e këndshme, nuk është komode, por ka krijuar te ne një impuls intelektual plotësues. Si mund të thuhet që Albert Ainshtain i përkiste një race inferiore? Duhet ta zhdukim edhe nga mendja jonë konceptin e racës. Ekzistojnë racistët, jo racat, dhe mua më interesojnë vetëm njerëzit. Gjatë luftës, kur jetoja në Torino, e shndërrova dhomën time të gjumit në laborator. Ajo dhomë u bë një qendër kërkimesh, e cila frekuentohej edhe nga disa shokët e mi të shkollës që deklaroheshin hapur fashistë dhe ndoshta të dielën vishnin këmishën e zezë. Dikush këndonte ato këngët pa kuptim: ‘Nëse na mungon pak tokë, marrim Anglinë, nëse do të na mungojë sapuni, le të marrim edhe Japoninë...‘. Qeshnim të gjithë së bashku pa mbarim. Me vendosjen e ligjeve raciale të Musolinit, familja ime u detyrua të transferohej në Firence. Zgjodhëm një mbiemër tjetër, të cilin e vendosa unë, Lupani, pasi ishte i pari që më erdhi në mendje. Qëndruam te një familje që dinte shumë gjëra për ne. U specializova në stampimin e dokumenteve false për hebrenjtë, kisha marrëdhënie të mira me partinë që ishte në pushtet. Një ditë erdhi të më takonte profesor Xhuzepe Levi dhe për të mos na zbuluar i tha të zonjës së shtëpisë: ‘Ju lutem, më thërrisni pak Ritën‘. E shikoni, edhe atëherë kam qenë si Kruzo, e vetme. Vetminë time ia dedikoj edhe çmimit ‘Nobel‘. Arrita në zbulimin e ‘Nfg‘-së, sepse isha e vetmja që punoja në atë fushë specifike të neurologjisë. Isha vetëm në një xhungël dhe pothuajse nuk njihja asgjë. Ndonjëherë të dish më shumë se ç‘duhet pengon progresin tonë".
Rita thotë se vazhdon të ëndërrojë. Shpreson që kur të mos jetë më, t‘i vazhdojnë të tjerët studimet e saj mbi molekulën proteinike, e cila i dha çmimin "Nobel", sepse aplikimet e saj klinike në kurimin e sëmundjeve shkatërruese të trurit mund të jenë të mrekullueshme. "Ajo që dëshiroj më shumë është paqja në Lindjen e Mesme. Shpesh e pyes veten mbi konfliktin mes arabëve dhe izraelitëve. Nuk mund të pajtohem me mendimin se dikush kërkon të pushtojë shtetin e Izraelit, e në të njëjtën mënyrë nuk e pranoj që palestinezët kanë pak mundësi të shprehin lirshëm zgjuarsinë e tyre. Mendoj se është ende e mundur që të arrihet një qëllim i përbashkët për bashkëjetesë paqësore mes dy popujve".
Tavolina prej kristali përballë divanit është e mbushur me lule. Janë trëndafila të bardhë, të verdhë, tulipanë, manushaqe e shumë të tjera. Nuk ndodhet aty pasi do të vyshken pas dy ditësh, por sepse një grua fisnike i adhuron në çdo stinë të vitit. "Jeta nuk më ka ‘keqtrajtuar‘. Jam një grua e thjeshtë. Nëse do të lindja sërish do të bëja edhe një herë të njëjtat gjëra. Gjithçka ka qenë në avantazh për mua, madje edhe ajo që më ka munguar, apo ajo që e kam humbur gjatë rrugës. Sigurisht mund të isha bërë një grua më e mirë, pasi nuk jam aspak e zonja në matematikë. Nuk e njoh muzikën, di vetëm disa pjesë nga Bethoven dhe Bah, diçka nga Franz Skubert, Moxarti dhe Shopen. Jam e vetëdijshme që kjo nuk është e mjaftueshme. E dua shumë teatrin, ndërsa opera nuk më pëlqen. E pranoj këtë moshë pa kurrfarë problemi, nuk më vjen turp për protezat e mia akustike, për sytë e mi që pothuajse nuk shohin më. Dua të vazhdoj përpara. Nuk jam lodhur duke jetuar dhe nuk kërkoj vdekjen. Jam e bindur që një ditë do të vijë, ndoshta pas një muaji, dy vjetësh, kushedi. Nuk kam bërë shumë faje, shpresoj të kem pak gjëra për të m‘u falur".
Nga Gazeta Shqip