Debatet dhe ankesat në mbledhjen me dyer të mbyllura. Rama “ankohet” për ish-shefin e EURALIUS
Afrimiteti - Në korridoret e ambienteve ku u mbajt takimi u pa një afrimitet i madh mes ministrave të qeverisë “Rama” dhe deputetëve të opozitës, pavarësisht debatit politik të ditës
Ndërprerja - Ristani është ndërprerë nga ana e komisionerit Fyle. Ky i fundit i ka kërkuar të moderojë gjuhën dhe të mos zgjatet shumë me këto çështje
Dialogu i tretë i Nivelit të Lartë mes Komisionit Europian dhe palës shqiptare u shoqërua dje edhe me akuza e replika, por njëherësh dhe me ankesa. I zhvilluar me dyer të mbyllura për dy orë e gjysmë, bisedimet brenda tij mësohet se janë përqendruar tek aktualiteti politik, por dhe te reforma në sistemin e drejtësisë, duke qenë se ajo konsiderohet një nga prioritetet që sjell më shumë vështirësi në implementim. Interesant është fakti se komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle, u tregua “i ashpër” me deklaratat politike me retorikë të fortë antiqeveri të deputetit demokrat Arben Ristani, duke i kërkuar që të moderonte gjuhën në lidhje me mënyrën sesi i drejtohej tryezës. Reforma në drejtësi ka zënë një vend të konsiderueshëm në bisedime, kur deputeti demokrat Eduard Halimi kërkoi që ajo të merret plotësisht në dorë të Bashkimit Europian.
Por Fyle ka theksuar se kjo është një reformë, e cila i përket në radhë të parë Shqipërisë. Kryeministri Edi Rama ka gjetur rastin për t’u “ankuar” në lidhje me një intervistë të dhënë për “Zërin e Amerikës” të ish-kreut të misionit të BE-së për drejtësinë, spanjollit Joaquin Urias. Rama i ka rrëfyer Fyles se ishte i shokuar nga gjuha e përdorur në atë intervistë kundër sistemit të drejtësisë në vend, i cili nuk është perfekt, por gjithsesi nuk mund të përgojohet në atë mënyrë nga partnerët e Shqipërisë që punojnë për përmirësimin e tij. Ndërkaq, në pjesën me dyer të mbyllura është vënë re dhe gjuha e moderuar e demokrates Majlinda Bregu, e cila ka thënë se marrja e statusit është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Shqipërisë. Por në mbledhje nuk kanë munguar as momentet gazmore, kur Kryeministri Rama ka bërë një vetëshkrepje fotografike me aparatin e tij celular në momentin kur Fyle ka thënë se Shqipërisë i rekomandohet pa asnjë hezitim statusi i vendit kandidat. Kreu i qeverisë duket se ka dashur të mos humbë rastin të fiksojë edhe pamjen që i ka marrë fytyra në ato momente.
Replikat me Ristanin
Mbledhja me dyer të mbyllura e tryezës së dialogut të tretë të Nivelit të Lartë mes Komisionit Europian dhe palës shqiptare nisi vrullshëm, sepse fjalën e mori deputeti demokrat, Arben Ristani. Ai e nisi duke e quajtur mazhorancën aktuale bandite dhe duke dhënë si shembull faktin se në mënyrë të organizuar, një grup deputetësh socialistë kishin dhunuar deputetin demokrat, Gent Strazimiri dhe theksoi se Shqipëria është një vend që eksporton mijëra tonelata drogë. Por pa arritur të përfundojë fjalën e përgatitur, Ristani është ndërprerë nga ana e komisionerit Fyle. Ky i fundit i ka kërkuar të moderojë gjuhën dhe të mos zgjatet shumë me këto çështje të cilat nuk kishin ndonjë rëndësi të drejtpërdrejtë me mbarëvajtjen e takimit. Ndërkaq burimet nga brenda mbledhjes me dyer të mbyllura bëjnë të ditur se kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu, ka pasur një qëndrim të moderuar në diskutime, duke theksuar se pavarësisht pak problemeve që mund të ekzistojnë në vend, dhënia e statusit është një veprim shumë pozitiv për t’u kryer.
Zhgënjimi i Ramës
Një pjesë e madhe e diskutimeve në pjesën me dyer të mbyllura janë fokusuar te nevoja e një reforme në sistemin e drejtësisë. Deputeti demokrat, Eduard Halimi, ka thënë se kjo reformë duhet të kryhet nën vëzhgimin e rreptë të Bashkimit Europian. Por Rama është shprehur se kjo reformë është një detyrë e qeverisë shqiptare dhe me punën për të do të niset pa humbur kohë, sepse ajo është tepër e rëndësishme për shqiptarët. Kjo logjikë është mbështetur dhe nga komisioneri për Zgjerim, Fyle. Rama ka gjetur rastin për t’u “ankuar” në lidhje me një intervistë të ish-kreut të misionit të BE-së për drejtësinë, spanjollit Joaquin Urias, ku sistemi i drejtësisë shqiptare konsiderohet si tejet i korruptuar dhe i politizuar. Sipas Ramës, këto nuk janë deklarata që duhet të dalin nga goja e partnerëve të Shqipërisë.