Tryeze shkencore per Kadarene ne Venecia

Tryeze shkencore per Kadarene ne Venecia
Një tryezë shkencore do t’i kushtohet letërsisë dhe kulturës shqiptare në Venecia. Kjo veprimtari që organizohet më 3 maj në universitetin “Ca’ Foscari” do të ketë në qendër të diskutimeve krijimtarinë letrare të shkrimtarit Ismail Kadare, por programi shtrihet edhe më tej. Studiues të ndryshëm do të sjellin në referatet e tyre pikëpamje mbi ekranizimin e veprave të shkrimtarit, ashtu siç ka edhe këndvështrime të veçanta me Kadarenë si shkrimtar e personalitet. Alessandro Scarsella do të referojë mbi temën “Kadare në pikëpamje krahasuese”, Giuseppina Turano mbi “Letrariteti i shqiptarëve në veprat e Kadaresë”, Maurizio Crema vihet në “Gjurmët e Kadaresë”, Giovanni Belluscio u referohet "Frymëzimeve djaloshare të Kadaresë në përmbledhjen e parë poetike ‘Frymëzimet djaloshare’ (1954)”, ndërsa Paolo Muner ka dashur t’i drejtojë një pyetje shkrimtarit: “Për kë vdiq ushtria e gjeneralit?”, etj.

Në këtë takim të organizuar nga Departamenti i Studimeve Gjuhësore dhe Kulturore të Krahasuara i universitetit “Ca’ Foscari” në bashkëpunim me Marco Polo System dhe qendrën “Art Kontakt” si palë shqiptare, do të projektohen imazhe të punëve të artistit Robert Aliaj Dragoti dhe do të ekspozohet një vepër e Artan Shabanit dedikuar figurës së Kadaresë. Kjo do të plotësojë trajtimin e figurës së tij edhe në artet pamore përveç letërsisë dhe kinemasë. Në këtë tryezë, cilësuar si Dita Ndërkombëtare e Studimeve mbi Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, të tjerë studiues do të marrin në analizë shkrimtarin Luan Starova apo do të diskutojnë edhe për elementë të kulturës shqiptare. Kjo nismë lidhet sërish me aktivitetet e zhvilluara në 2006 dhe në 2009, të cila u finalizuan me botimin e dy volumeve të dokumenteve: Të lexosh Kadarenë (në kujdesin e A. Scarsella) dhe Kadareja Europian (në kujdesin e G. Turano)

Qëllimi i këtij aktiviteti është përditësimi dhe monitorimi i kulturës shqiptare në ditët e sotme, nëpërmjet mënyrave të kërkimit të diferencuar: gjuha, letërsia dhe kinemaja, duke ruajtur të gjallë punën kërkimore të veprës së Kadaresë.

Stafi i bashkëpunëtorëve pasurohet me këtë rast nga punimet e studiuesve nga universitetet italiane dhe të huaja, me qëllim që të tërhiqet më tej vëmendja mbi pasurinë e kujtesës dhe ideve të lidhura më Shqipërinë dhe shqiptarët në Itali dhe Europë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama