Kryeministri i ri i Greqisë, Alexis Tsipras, dy ditë pas mandatimit në krye të qeverisë së re është zotuar se vendi i tij do të paguajë borxhet. Duke iu adresuar takimit të parë të kabinetit të tij, që nga fitorja e së dielës, Tsipras ka thënë se do të negociojë me kreditorët ndërkombëtarë për paketën e ndihmës në vlerë prej 240 miliardë eurosh.
“Ne nuk do të hyjmë në konflikte shkatërruese, por as nuk do të vazhdojmë politikën e nënshtrimit”, ka thënë lideri i partisë së ekstremit të majtë, Syriza.
Greqia, që nga viti 2010, ka bërë shkurtime të ashpra buxhetore në këmbim të ndihmës së negociuar me të ashtuquajturën trojkë: Bashkimin Europian, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Qendrore Europiane.
Ekonomia e saj është tkurrur në mënyrë drastike qysh nga kriza financiare globale e vitit 2008. Bashkimi Europian ka paralajmëruar qeverinë e Tsipras që t’iu përmbahet angazhimeve të saj. Dështimi i Greqisë për të paguar borxhet mund ta detyrojë atë që të largohet nga Eurozona.