“Le fontane, versando acque lustrali,
Amaranti educarono e viole
A libar latte e a raccontar sue pene
Ai cari estinti, una flagranza intorno
sentia qual d’aura de’ beati Elisi.”
(Ugo Foscolo: I Sepolcri)
Dal kadalë, por tuj mendue
Me krye t’ultë ra ‘i djalë kah Blini;
Rug’s s’qytetit i u-largue,
N’Fush t’Rmajit vojt e hini;
U-suell pak, mandej qe pá
Mbi nji vorr tuj dnesë, tuj qá.
Kuq â qielli prej prêndimit,
Si zjarm bâ janë skâjet t’tana;
Pak ka pak mbas ktij shkelqimit
Prej buz’s s’malit çohet hâna:
Fryn kalehtas nji freskí
Gjithkund shifet rahatí.
Me gjeth t’njomë ket t’mallshme Fushë
E ka veshë i bukri máj;
N’vjollca vorret gjith janë mbushë
Me ‘i bojë t’zbetë qi shenjon váj;
Marshallojë, smarí, shimshír
M’u ndalë ktune t’çojnë dishír.
Mbi njaj kryqit ultë këndon
Porsi n’váj nji zog i zí;
N’prozhme lark qyqja gjimon,
E mbi vorr njehë djali i rí;
Hâna e zbetë, gjetht tuj u shtue,
Hijet t’thrrasin me vajtue.
Ky qyqar, Zot, kush do t’jetë
Qi lshon gjamë m’ket mnyrë pa dá?
Kush të ziut dekë do t’i ketë
Zêmrën kshtu qi i paska vrá?
Tjetër natë si s’e kem’ pamun?
Paska pritë sonde me qamun?!...
Ah! nji herë m’bâhet s’e njofsha,
Ftyra e tij tash po m’bje n’mend;
Ka do dit, për n’mos gabofsha,
Qi mungon prej këtij vend;
Por le t’ndijmë pale çka thotë,
Kem’ m’e njoftë mâ mirë atbotë.
“Shpijet larg, (motër!), n’dhé t’huej
E dek’s s’ate fjala mrrijni,
E kjo e zezë; ka tash sa muej,
S’m’u hoq kurr, zêmrën m’a grini;
Por der tash e kam mbajtë ndry,
Mallin t’gjith sot due m’e shfry’.
“Çou, pra çou; del vorrit jashtë
Ngrehu n’kambë, lê dhén e zí;
T’ka ardhë vllau qi aq fort ke dashtë,
Me ty sonde don m’u ngî:
Çou mos m’lên mâ shum me qá;
A s’t’ka marrë malli me m’pá?!
A s’t’ bje n’mend sa keq u-dame
Lamtumirë kur t’thaçë, o e mjerë?
A s’t’ bje n’mend se sa fort qame
Tuj u-puthë për të mbramen herë?
Çou, pra, e m’rrok, m’a hiq ket máll,
Mbas qi s’mujta me t’puthë gjáll!”
...
Si mjesnata pat kalue,
E ne e mbram hâna prêndoi,
S’u-ndîn gjetht mâ tuj ushtue,
E mâ djali nuk gjimoi;
Shtri mbi vorr i mjeri fjet
Tuj u-knaqë me motër t’vet!...