Profesor, le ta nisim nga zbulimi juaj. Në ç‘mënyrë papiloma virus ndryshon qelizat? Sepse, edhe pse mund të jetë i përhapur në pjesë të tjera të organizmit, është i lidhur ngushtë vetëm me kancerin në qafën e mitrës?
Sepse aty gjen ambientin më të përshtatshëm. Estrogjenet ndihmojnë veprimin e gjeneve të saj. Në pjesë të tjera të organizmit, si për shembull në gojë, ku gjendet në sasi të mëdha, nuk është aktive, sepse është përshtatur me ambientin. Këto viruse, për një kohë të gjatë, qëndrojnë të "heshtur" në gjenomën qelizore.
D.m.th, pasi virusi infekton qelizat, zhvillimi i tumorit në qafën e mitrës është vetëm çështje kohe? Megjithatë, jo te të gjitha gratë që kanë virusin zhvillohet kanceri.
Nuk është vetëm çështje kohe, por edhe e mënyrës se si gratë "ndërveprojnë" me infeksionin. Siç e thashë, ka sjellje që favorizojnë ndryshimet qelizore, duke rritur kështu probabilitetin që qelizat të mos arrijnë dot më të kontrollojnë përhapjen e virusit. Është e vërtetë që vetëm 1 për qind e grave të infektuara zhvillojnë kancerin, ndërsa 99 për qind arrin ta "mbajnë" sidomos pasi kanë kuruar kondilomat dhe lezionet para-malinje.
Si arritët ta izolonit virusin?
Gjatë studimeve universitare, u ndesha me këtë fenomen që lejon gjenomën e një bakteriofagu specifik të hyjë në ADN-në e qelizave bakteriologjike dhe të modifikojë kështu karakteristikat. Atëherë mendova se edhe kanceri mund të kishte një zhvillim analog, d.m.th që gjenoma e një virusi mund të hynte në qelizat kancerogjene ose në qelizat e shëndetshme dhe mund t‘i modifikonte ato. Për këtë arsye, kërkova që ta studioja këtë fenomen. Le të analizojmë virusin herpes simplex, por nga analizat tona gjenetike mbi qindra qeliza tumorale nuk rezultoi që ky virus të përfshihej në gjenezën tumorale. Ky zbulim më dha mundësinë që të thellohesha më shumë në shenjat dhe kondilomat që papiloma virus mund të shkaktonte në qafën e mitrës. Megjithatë vetëm në vitet 1983-‘84 arritëm të gjenim Hpv16, që ishte më i pranishmi në qelizat kancerogjene.
Sot vaksina është një realitet, a mendoni se është një mjet i domosdoshëm për parandalimin e sëmundjes? Kushton shumë, sidomos nëse krahasohet me "Pap test"-et që deri më sot përdoren me sukses në parandalimin e këtij tumori.
Është e vërtetë se çmimi i një "Pap testi" është shumë herë më i vogël se ai i vaksinës, por nëse marrim në konsideratë se "Pap testi" zbulon lezionet para malinje që duhen trajtuar klinikisht, që këto lezione mund të shkaktojnë aborte ose lindje të parakohshme. Nga ana tjetër, vaksina nuk lejon fare që këto të formohen, ndaj është më mirë dhe më e domosdoshme të bësh vaksinën. Falë vaksinës, gratë janë të mbrojtura 70-80 për qind kundër kondilomave, por duhet të bëjnë edhe "Pap testin" për të qenë 100 për qind të sigurta. Po ashtu më duhet të theksoj se është e vërtetë se çmimi i vaksinës është shumë i lartë, sidomos në vendet në zhvillim dhe për këtë më vjen me të vërtetë keq. Për mua duhet të ishte falas.
Por zakonisht, në vendet në zhvillim, nuk është vetëm problemi i çmimit....
Sigurisht që jo. Por, mendoj se këtu njerëzit duhet të informohen me kujdes për shëndetin dhe sidomos për vaksinimin. Kam punuar në Najrobi, në Kenia dhe kam arritur të shoh me sytë e mi se si tumori në qafën e mitrës është një emergjencë shëndetësore në këto vende. Për më tepër, për ta bërë të mundur përdorimin e vaksinës në vendet e varfra, duhet përmirësuar formula. Në institutin tonë po përpiqemi të zhvillojmë një vaksinë që nuk ka nevojë të ruhet në vende të ftohta.
Megjithatë, për shumë dhjetëvjeçarë, studimi i viruseve që shkaktojnë kancerin nuk është konsideruar si gjëja më e rëndësishme. Si ka mundësi?
Është çështje kohe. Sot, mund të tregojmë se 20 për qind e tumoreve shkaktohet nga një infeksion, madje e dimë që është një përqindje që rrezikon të rritet edhe më shumë. Unë shpresoj që shumë shpejt, sepse ashtu siç na mëson rasti i virusit të Hepatitit B apo i papilomës, se nëse njohim lidhjen mund të krijojmë mjete efikase për t‘i parandaluar.
Të dish se pas zhvillimit të një tumori qëndron një infeksion mund të ndikojë edhe në terapinë e kurimit të tij?
Sigurisht. Njohja e këtyre agjentëve mund të çojë në një revolucion total të diagnozës, në parandalimin dhe kurimin e tumoreve.
Në revistën "Journal of Clinical Oncology" është publikuar një studim që lidh praninë e virusit të Hepatitit B me kancerin në pankreas. Çfarë mendoni?
Ajo që dimë është se 60 për qind e rasteve të tumoreve në mëlçi është e lidhur me këtë virus. Por rezultatet mbi pankreasin mendoj se duhen thelluar më tej. Nga ana tjetër, viruset e hepatiteve janë ndër më të studiuarit.
A mendoni se studimi për lidhjen mes virusit dhe kancerit do të sjellë të tjera surpriza?
Jam i bindur se do të dalin në dritë shumë më tepër lidhje mes viruseve dhe kancerit. Madje edhe lidhje indirekte si në rastin e HIV-it që lejon zhvillimin e tumorit të Kaposit. HIV-i nuk është shkaku kryesor, por pa të, ky lloj kanceri nuk do ishte zhvilluar. Sipas kësaj rruge, mund të gjejmë shumë lidhje të tjera.