Tunelet e drites dhe pervojat e gati-vdekjes

Tunelet e drites dhe pervojat e 'gati-vdekjes'
A janë historitë e jashtëzakonshme të njerëzve që çohen pas një kome të gjatë e të thellë rrëfime për një tjetër jetë që ekziston përtej vdekjes? A janë vallë prova të këtij misteri, të cilin e zbulojmë vetëm pasi të kemi kaluar “përtej”? Një shkencëtar që është marrë për vite me radhë me studimin e këtyre fenomeneve, ka dalë me një teori të re dhe interesante…

Gillian Mackenzie kujton se ndiente shqetësim për fëmijën e saj të palindur, ndërsa bota rreth saj ishte zhytur në një errësirë të plotë. Megjithatë, kishte mbetur ende një copëz e vogël drite.  Ajo ishte, në njëfarë mënyre, e ndërgjegjshme që lindja kishte  shkuar keq dhe se ajo po humbiste shumë gjak, por megjithatë arrinte që të gjente prehje, një prehje sado të vogël në atë copëz drite, që ende nuk i ishte fikur. “Ishte si një llambushkë e vogël që pulsonte, por më pas e ndjeva që sa më shumë i afrohesha, aq më e madhe dhe më e fortë bëhej llamba, derisa më në fund m’u bë sikur drita po më printe në një tunel të shndritshëm.

Nuk kisha më asnjë fije frike, sepse tashmë drita ishte bërë sunduese dhe e ndjeva që isha duke shkuar shumë e qetë dhe në paqe në atë burim të jashtëzakonshëm drite. E vetmja fjalë me të cilën mund ta përshkruaj atë që ndjeva është fjala ‘ekstazë’. Befas dëgjova zërin e një burri që më thërriste në emër. Ishte një zë shumë i këndshëm. Në atë moment u bëra e ndërgjegjshme që mund të isha para Zotit dhe u ndjeva në faj, sepse nuk e kisha besuar kurrë ekzistencën e tij. Ai më pyeti nëse e dija se kush ishte ai, dhe unë i thashë ‘po’, por kisha frikë që t’ia zija emrin me gojë“.

Përvoja e Gillian i përket shumë viteve më parë, para se të ishte konceptuar dhe të niste të përdorej termi “eksperienca gati-vdekjes”, por për të gjithçka është shumë e qartë dhe mbresëlënëse deri në detaje, edhe sot e kësaj dite. Në një gjendje të tillë ajo u ndodh ndërsa humbi fëmijën e saj, gjatë një momenti shumë të vështirë lindjeje.

Askush nuk mund ta thotë me siguri, por shkencëtarët besojnë se të paktën një në dhjetë persona në planet, në një moment të caktuar të jetës së tyre kanë përvoja të tilla halucinante, që zakonisht ndodhin kur pësojnë goditje në zemër. Nga rrëfimet e atyre që e kanë përjetuar një situatë të tillë dhe që janë rrëfime thuajse të ngjashme, ata kanë parë fillimisht një dritë të vogël, që më pas është shtuar derisa është shndërruar në një burim të vërtetë dhe të madh shkëlqimi në formën e një tuneli të gjatë. Në shumë raste ata kanë takime me të dashurit e tyre të vdekur tashmë, apo mund edhe të përjetojnë një “fluturim” mbi veten, gjatë të cilit shohin mjekët mbi trupin e tyre të shtrirë, ndërsa japin e marrin për t’i shpëtuar. Ata shpjegojnë ndërkohë se gjatë këtyre momenteve të shkëputjes përjetojnë çaste të një gëzimi të papërshkueshëm, që në fakt janë momente që i ndryshojnë përfundimisht. Shumë vetë besojnë se ajo që kanë përjetuar është një çast nga jeta e përtejme, një takim me një botë tek e cila shkojmë të gjithë pasi ndërrojmë jetë, të cilën nuk mund ta njohim më parë.

 Këto kujtime ata i quajnë një përvojë të vërtetë jetësore ose të një jete tjetër, dhe i konsiderojnë si një kujtim shumë të çmuar dhe të shtrenjtë, që i shoqëron përgjatë gjithë pjesës tjetër të jetës. Ndaj, për ta mund të ketë qenë një shok i vërtetë kur kanë mësuar se një neurolog shumë i respektuar amerikan beson se ai arrin që të shpjegojë të gjitha simptomat e kësaj përvoje, përmes termave dhe fenomeneve psikologjike. Bëhet fjalë për një teori që ua mbyll derën në fytyrë të gjithë atyre që mendojnë se kemi të bëjmë me momente magjike të një jete tjetër, që na japin një provë të vogël të ekzistencës së asaj që vjen pas vdekjes. Kevin Nelson, profesor i neurologjisë në Universitetin e Kentakit, ka rreth 30 vjet që është marrë me studimin e fenomeneve të tilla të shpeshta tek shumë njerëz. Në librin e tij të fundit: “Impulsi i Zotit – a është feja e rishkruar në tru?”, ai sjell shpjegime për të gjitha elementet e përvojave të tilla të jetës së përtejme, por në qendër të vëmendjes së studimit të tij është përfshirja e REM – lëvizjes së shpeshtë të syve. Kjo është një periudhë gjumi gjatë së cilës ne ëndërrojmë më shumë dhe gjatë të cilës njeriu që fle është tërësisht i paralizuar, përveç syve, pra muskujve të syve, zemrës dhe diafragmës e cila kontrollon edhe frymëmarrjen.

 Sipas shpjegimit të profesorit, njerëz që janë më të ndjeshëm se të tjerët kanë një lëvizje më të shpejtë të muskujve të syve dhe një gjë e tillë shpesh shoqërohet me halucinacione. Studimet e tij kanë marrë në shqyrtim rastin e 55 personave të cilët kishin shpjeguar se kishin pasur përvoja të tilla “gati-vdekje”. Prej këtyre njerëzve, 60% kishin pasur një lëvizje të shpejtë të muskujve të syve në rastin e gjumit të zakonshëm, kjo krahasuar me një grup njerëzish që nuk kishin kaluar përvoja të tilla. Truri i tyre, në vend që të kalonte menjëherë nga një gjendje REM në një gjendje zgjimi, kalonte në një moment përzierjeje mes të dyja situatave që prodhon zakonisht halucinacione. Sipas tij, kjo është një situatë që quhet “kufiri i ndërgjegjes”. “Shumë njerëz futen në këtë situatë vetëm për pak sekonda apo për pak minuta para se të zhyten në gjendjen e REM apo të zgjohen.

Në këtë situatë vijnë shumë drita dhe gjatë një krize në zemër, pikërisht kjo situatë mund të shpjegojë atë që e quajmë si “përvojë gati-vdekjeje”. Po çfarë mund të thuhet në lidhje me dritën apo më mirë, me tunelin e dritës që përshkruhet në të gjitha përvojat e këtyre personave? Edhe për këtë mjeku ka shpjegimin e vet. Në studimin e tij, profesor Nelson ka zbuluar që simptomat e kësaj situate kanë të përbashkët një ndërprerje të përkohshme të fluksit të gjakut në tru. Sipas tij, normalisht 20% e gjakut që pompohet nga zemra shërben për të ushqyer trurin. Nëse kjo sasi e gjaku do të pakësohet, për shembull, në një të tretën e saj, atëherë truri pas 20 sekondash do ta humbasë gjendjen e ndërgjegjshme.

 “Një pjesë e madhe e asaj çka ndodh në situata të tilla mund të shpjegohet pikërisht me mungesën e gjakut në tru dhe me mënyrën se si truri kundërvepron për të vazhduar të qëndrojë në jetë edhe në kushtet e vështira. Një fakt është se edhe me një sasi të vogël gjaku truri nuk pëson asnjë dëmtim, të paktën për disa orë. Pikërisht në gjendje të tilla të gjakut të pakët, një person mund të flejë dhe të përjetojë situata të humbjes së koshiencës. Për sa i përket dritës në fundin e tunelit, ajo vjen nga dy burime të ndryshme. Mund të jetë një dritë e mjedisit në të cilin ndodhet pacienti, si dritë dielli nga dritarja apo nga ndonjë llambë e fuqishme, por mund të vijë edhe nga fakti që truri punon në një mënyrë ndryshe. ”Por njerëzit nuk shohin vetëm tunele dhe drita. Ata, mbi të gjitha, mbajnë mend edhe përjetimin e jashtëzakonshëm të asaj gjendjes së lumturisë dhe paqes, që më pas e kujtojnë tërë jetës dhe i shoqëron gjithmonë. Si mund të shpjegohet një gjë e tillë? Sipas profesorit, ka shpjegim edhe për këtë; pjesa apo zona e trurit në të cilin thuhet se ndodhin përvoja të tilla është në afërsi me zonën që është përgjegjëse për ndjesitë tona.

 Kjo është një zonë që “fiket” gjatë gjendjes REM, por në disa raste mund të ndodhë që një proces i tillë të mos funksionojë siç duhet dhe që gjatë tranzicionit për në gjendjen REM truri përjeton edhe një sërë gjendjesh emocionale. Po mjaftojnë këto shpjegime për t’u mbyllur gojën atyre që këto përjetime i quajnë si më të rëndësishmet dhe më të vërtetat e jetës së tyre? Po ajo ndjesia e të ndjerit i vdekur? Shpjegimet e profesorit, edhe pse sipas tij janë të mbështetura në eksperimente konkrete, i lënë të paplotësuar dhe të paplotë të gjithë ata që kërkojnë një ‘përse’ të aventurës së tyre të jashtëzakonshme. Shpesh bëhet fjalë për aventura që i ndryshojnë njerëzit. Dhe ky është një tjetër aspekt apo pasojë që profesori nuk mund ta shpjegojë dot.

 Kështu për shembull, Gillian  tha se para kësaj përvoje kishte qenë intolerante me njerëzit dhe se pas përvojës u bë e kundërta e asaj që kishte qenë. Megjithatë, profesori thotë se puna e tij nuk ka për qëllim që të hedhë poshtë idenë e ekzistencës së Zotit apo të ulë rëndësinë e këtyre përvojave. Ai thotë vetëm se tenton që të japë shpjegime edhe shkencore për fenomene, që për disa janë vetëm copëza të provës së ekzistencës së jetës së përtejme.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama