Tuneli i Porto Palermos Nje muze i Luftes se Ftohte

Tuneli i Porto Palermos: Nje muze i Luftes se Ftohte
Propozimi i fundit vjen nga tre arkitektë italianë. Elisabetta Terragni dhe Jeffrey Schnapp, të cilët kanë punuar më parë në projekte të ngjashme, këtë herë kanë bashkëpunuar edhe me Daniele Ledda. Projekti i tyre është përqendruar te baza e nëndetëseve në Porto Palermo, e pikërisht në tunelin e ndërtuar për këtë qëllim.

Pas viteve ‘90, Porto Palermo është parë gjithnjë e më shumë si një destinacion turistik, që duhet përsosur. Veçanërisht në dekadën e fundit është folur edhe për projekte të mundshme. Propozimi i fundit vjen nga tre arkitektë italianë. Elisabetta Terragni dhe Jeffrey Schnapp, të cilët kanë punuar më parë në projekte të ngjashme, këtë herë kanë bashkëpunuar edhe me Daniele Ledda. Projekti i tyre është përqendruar te baza e nëndetëseve në Porto Palermo e pikërisht në tunelin e ndërtuar për këtë qëllim. Studimin e tyre e kanë prezantuar së pari në muajin qershor në Festivalin Ndërkombëtar të Arkitekturës, që u zhvillua në Peruxhia "Festarch 2011", por synojnë që muajt në vazhdim të bëjnë një paraqitje të plotë të tij edhe në Tiranë. Në fakt, për vetë peizazhin, por edhe historinë që mbart ky kënd i bregdetit jugor përbën një vend ideal për organizime muzeore.

Pak metra larg nga baza e nëndetëseve gjendet kalaja e Ali Pashë Tepelenës, një monument kulture që tërheq gjithnjë e më shumë turistë. Deri më sot ajo ka mbetur vetëm e thjesht një monument, ndërsa ka pasur ide për të organizuar atje një muze nënujor. Nga këtu, turistët mund të shkojnë pak metra më tej ku ndodhet baza e nëndetëseve, sot jashtë funksionit. Për shumë vite ka qenë një vend i ndaluar, sot i braktisur. Projekti i studios “Terragni” synon të rivitalizojë tunelin e nëndetëseve. Pas studimit, është menduar si varianti më i mundshëm, një muze i Luftës së Ftohtë. Elisabetta Terragni thotë se ata kanë vite që punojnë për shndërrimin e bazave ushtarake të braktisura dhe Porto Palermo është një prej tyre. Në fakt, sipas saj, paradoksi qëndron në faktin se këto struktura të braktisura kanë bërë që kjo pjesë e bregdetit shqiptar të shpëtojë nga procesi i betonizimit.

Si do të jetë i organizuar muzeu? Një përvojë të ngjashme e kanë provuar disa vite më parë në Trento, ku një tunel Lufte e kthyen në një vend turistik dhe të vizitueshëm për turistët. Në strukturat e tyre, hapësira muzeore nuk konsiderohet vetëm një paraqitje e ftohtë e fakteve në hapësirën ekzistuese, por një bashkëveprim me vizitorin. Bëhet fjalë për tunelin e gjatë 650 metra dhe 12 metra të lartë, që ndodhet në pjesën veriore të Porto Palermos, ku njëherë e një kohë ankoroheshin nëndetëset tona. Porta e tunelit, e tëra beton, peshon rreth 32 tonë.

Të gjithë gjatësinë e këtij tuneli, arkitektët mëtojnë ta kthejnë në një muze. Po në këtë festival të arkitekturës ata kanë ofruar edhe pamjet e para dixhitale se si e kanë konceptuar organizimin e tij. Muzeu do të jetë një reflektim përmes dokumenteve që përcjellin ngjarjet e Luftës së Ftohtë. “Në Shqipëri ka me qindra struktura të braktisura të Luftës së Ftohtë, siç është edhe tuneli, në një zonë mjaft të bukur në Jug të Shqipërisë. Ka shumë struktura të tilla që prishin në njëfarë mënyre panoramën, që i përkasin së kaluarës.

Ne me eksperiencën tonë botërore kemi nisur këtë aventurë, që është në fakt një propozim për ta kthyer këtë tunel në një muze të Luftës së Ftohtë. Një muze për të gjithë, por që nuk do të ketë karakteristikat e një muzeu të zakonshëm, por do të përshtatet me strukturën e tunelit”, thotë Elisabetta Terragni. Sipas saj, do të punohet me një sistem projeksionesh dhe materialesh të dala nga arkivat. “Na është dashur shumë punë, në fakt. Pas suksesit që ky projekt pati në Festivalin Ndërkombëtar të Arkitekturës, do të shkojmë edhe në Tiranë për ta prezantuar atë.

Parimisht është rënë dakord që ky projekt të realizohet dhe, nëse bëhet, atëherë ai do mbyllet brenda një viti. Aty do të shfaqen filmime origjinale, fotografi, grafika dhe do të hapet një web për ta përfshirë edhe këtë pjesë të izoluar në perspektivën që ajo zonë ka për zhvillimin e turizmit”, ka vazhduar Terragni. Ajo shpreson që ky projekt të mund të realizohet në vitin 2012, kur qeveria shqiptare feston 100-vjetorin e Pavarësisë. Arkitektët shpresojnë që një nga projektet që do të marrë mbështetjen të jetë edhe ai i muzeut në tunelin e Porto Palermos, si një hapësirë që do të sjellë të shkuarën në të tashmen.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama