Drama “Peer Gynt nga Kosova” shfaqet premierë në Tiranë sonte në sallën “Black Box” të Akademisë së Arteve. Vepra e shkruar nga Jeton Neziraj, është bazuar në historinë e vërtetë të një emigranti nga Kosova
Peer Gynt-i në dramën e Henrik Ibsenit është djaloshi i varfër norvegjez që kërkon të jetojë ëndrrën si emigrant në brigjet e Marokut, shkretëtirën e Saharasë dhe çmendinën e Kajros. Peer Gynt-i kosovar në veprën e Jeton Nezirajt është emigranti që sakrifikohet në kërkim të ëndrrës. Peer Gynt-i nga Kosova përpiqet për lumturinë. Në Kosovë ku ai jeton, nuk ka shpresë, por luftë dhe punë e vështirë. Ai e sheh parajsën në Europë dhe mendon se mund të bëhet banor i saj. Ai është si shumë të rinj që jetojnë në një botë me ëndrra. Peer Gynt gjithashtu ka një mendim naiv për botën, që është krejt në konflikt me botën me të cilën ai ballafaqohet. Drama “Peer Gynt nga Kosova” shfaqet premierë në Tiranë, sonte në sallën “Black Box” të Akademisë së Arteve. Vepra e shkruar nga Jeton Neziraj është bazuar në historinë e vërtetë të një emigranti nga Kosova.
Është një histori e ngjashme e shumë e shumë të rinjve që emigruan në Europë në kërkim të një jete më të mirë. Por çfarë e dallon historinë e Peer Gynt-it nga shumë histori emigracioni të rrëfyera? “Ka një dallim të rëndësishëm, – thotë dramaturgu Jeton Neziraj, – janë kufijtë. Në dramën time kufijtë janë të dukshëm, së bashku me të gjitha dramat që kalon sot Ballkani. Kufijtë tashmë i përkasin së kaluarës për shumë vende europiane, por për fat të keq, ata janë të pranishëm në Kosovë. Evropa na ka izoluar pa asnjë të drejtë. Në thelb kjo pjesë flet për problemet e azilkërkuesve në Evropë dhe nuk bëhet asnjë përpjekje për të njohur dhe kuptuar dramat e vërteta të këtyre njerëzve”, – shprehet Neziraj. Drama “Peer Gynt nga Kosova” interpretohet nga katër aktorë të zgjedhur jo rastësisht nga katër vende të ndryshme; Besnik Krapi nga Kosova, në rolin e Peer Gynt-it, Ema Andrea nga Shqipëria, Jonas Sjögren nga Suedia, dhe Charles Toulouse nga Gjermania.
“Peer Gynti nga Kosova”, e shkruar nga dramaturgu kosovar Jeton Neziraj, është vënë në skenë me regji të suedezit Robert Jelinek. Peer Gynt-i ishte 18 vjeç kur u largua nga Kosova. Me shumë peripeci ai shpëton nga situata të ndryshme, por nuk i shpëton dot burgut. Kalimi i kufirit ilegalisht, refuzimi i azilit në Suedi, takimi me Belën, martesa, djali dhe ndarja nga ta, janë vetëm disa nga sfidat e tij. Drama e Nezirajt ka nisur që prej 21 majit gjatë një turi ballkanik. Më 21 maj ajo u shfaq në Shkup, një ditë më pas në Prishtinë dhe sonte shfaqet në Akademinë e Arteve në Tiranë për publikun kryeqytetas. Më 28 maj, rrugëtimi artistik i “Peer Gynt-it” do të përfundojë në Beograd. Por para Tiranës dhe Beogradit shfaqja pati një “ndalesë” edhe në Gjermani, ku u mirëprit nga publiku i atjeshëm. Historia e Peer Gynt-it meritoi vëmendjen e medias gjermane, ndoshta dhe për faktin që thotë Neziraj se ende sot kjo dramë mbetet aktuale; emigracioni i paligjshëm është një problem i pazgjidhur për shumë vende të Europës. “Unë mendoj se dhe për kosovarët duhet të bëhet e mundur lëvizja lirshëm në Evropë. Të tjerët përfitojnë nga marrëveshja Shengen, edhe pse ata nuk i përkasin BE-së: Serbët, maqedonasit, shqiptarët e Shqipërisë, malazezët, të gjithë përveç shqiptarëve të Kosovës – dhe kjo lë një shije të keqe tek qytetarët e saj. Populli i Kosovës ka vuajtur mjaft dhe ata nuk e meritojnë të jenë peng i burokracive.
Shqiptarët e Kosovës janë mbrojtësit më besnikë të vlerave europiane. Ata u ngritën kundër shtypjes dhe dhunës së diktatorit Millosheviç. Lufta e tyre për liri duhet të shpërblehet nga Europa, sepse në themel të ndërtimit të Europës është koncepti i lirisë dhe i barazisë ndërmjet popujve”. Për Nezirjan, kjo mund të quhet edhe një dramë politike; ai do të donte sinqerisht që ajo të trajtohej dhe të shihej si dramë politike, sepse disa teza që merr diskutimi në këtë dramë janë politike. Është interesante sesi katër aktorët shndërrohen në personazhe të ndryshme brenda dramës. Ema Andrea, një herë na shfaqet si nëna e Peer Gynt-it, pastaj si e dashura e tij dhe më vonë si një plakë. “Emocioni është shumë i madh në këtë pjesë të Nezirajt, sepse edhe ngjarja është shumë më shqiptare, më kosovare, më e jona. Pata një lloj frike se historia nuk do të kuptohej në Gjermani, meqë gjermanët nuk e dinë ç’është të presësh për viza”, – thotë Andrea për mediat gjermane. Por sipas saj, skena është për të gjithë njësoj, teatri ngado të shkojë është e njëjta gjë. “Kur jemi në skenë të gjithë jemi njësoj. Teatri ngado të shkojë është e njëjta gjë”- thotë Ema Andrea.