Rreth 50 detarë të Otrantos, pronarë mjetesh lundrimi dhe të apasionuar pas udhëtimeve të gjata në det, mbërritën në Sarandë me kuriozitetin për të zbuluar një vend të panjohur. Të gjithë pohojnë me sinqeritet se megjithëse shumë pranë Shqipëria është pak e njohur për qytetarin e zakonshëm italian, pasi mungon pothuajse fare informacioni promocional.
"Udhëtimi deri këtu ishte i gjatë por mendoj se ja ka vlejtur. Unë kam udhëtuar për dekada të tëra në detra por nuk kam qenë asnjëherë në Shqipëri. Vendi juaj përfaqëson për ne një vend disi të largët për nga informacioni. Imagjinoni ende nuk e di se cfarë mund të vizitoj pasi të zbresim por besoj se vizita do të kënaqë pritshëmritë tona", thotë Pino Greco.
“Ne erdhëm në Sarandë menjeherë pas binjakëzimit me qytezën tonë të Otrantos. Miqtë tanë shqiptarë na thanë se ka shumë për të parë këtu, por ende nuk e dimë. Kam dëgjuar pak edhe më parë për Shqipërinë, por jam e kënaqur që kemi ardhur. Do të shpenzojmë disa ditë këtu”, thotë Fiorela Corzi.
“Mbërritja këtu ishte fare një rastësi. Unë vendosa të udhëtoj me miqtë e mi menjëherë pas binjakëzimit, nuk e kisha menduar se vija ndonjëherë me pare. Unë njoh shumë shqiptarë që punojnë në Itali, që kanë punuar përgjatë këtyre viteve, dhe e njoh Shqipërinë përmes tyre por për qytetarin e zakonshëm Italian Shqipëria përfaqëson një vend për të cilin dihet shumë pak ose pothuajse asgjë. Ka pak informacion por këto ngjarje mund të rrisin interesin për turizmin këtu”, tha Albina Sindaco.
Qyteti i Sarandës dhe Otrantos kanë rënë dakord që të ndërmarrin iniciativa të përbashkëta edhe në fushën e marketingut turistik. Të dy qytetet përvec miqësisë i lidh edhe një ngjarje e trishtë, Kateri i Radës i mbytur më 9 Janar në Otranto, i cili sot përfaqëson një objekt memorial për të mbyturit. Zyrarizimi i binjakëzimit është shoqëruar edhe vendosjen e kurorave më lule në këtë memorial.