Turizmi 170 mije vende pune per cdo sezon

Turizmi, 170 mije vende pune per cdo sezon
Tolerancë zero ndaj ndotësve të mjedisit. Kështu është shprehur kryeministri Berisha dje gjatë mbledhjes së qeverisë ndërsa ka folur për masat që do të merren këtë sezon për mbrojtjen dhe zhvillimin e turizmit shqiptar. Në këtë kuadër për të garantuar turizëm sa më cilësor, kryeministri Sali Berisha, u kërkoi bashkive dhe komunave të punësojnë punonjës të përkohshëm për pastrimin e territorit, ndërsa paralajmëroi ndjekje penale për ndotësit e mjedisit. Duke folur për masa të tjera gjatë këtij sezoni, kreu i qeverisë kërkoi që të shikohet mundësia e një rishpërndarjeje të postave të policisë, ndërsa Ministrisë së Transporteve i kërkoi që të shmangë lëvizjen automjeteve të rënda gjatë ditës në zonat bregdetare.

“Të bëjmë gjithçka që Shqipëria në këtë sezon turistik të paraqitet më mirë se asnjëherë. Inspektoriati të marrë masa për denoncim edhe ndjekje penale ndaj të gjithë atyre personave që kryejnë krime ndaj mjedisit. Toleranca duhet të jetë zero, askush nuk mund të pasurohet duke dëmtuar dhe kërcënuar shëndetin e të tjerëve, ndaj dhe të ngremë këtë angazhim në nivelin e mikpritjes shqiptare”, deklaroi Berisha. Sipas një statistikave turizmi shqiptar punëson në sezon, rreth 170 mijë vetë, në të gjithë vendin.

“Ky punësim përbën një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv. Në tërësi, këta janë të punësuar të përkohshëm, studentë, të rinj, të cilët me fitimet që nxjerrin nga puna e tyre lehtësojnë barrën e familjeve të tyre, për vitin e ardhshëm shkollor,” tha më tej kryeministri, duke drejtuar një thirrje publike për t’i dhënë përparësi punësimit të të rinjve. Një zhvillim tjetër shumë pozitiv, sipas Berishës, është se dyfishimi i popullatës gjatë verës sjell dyfishim e tregut dhe rritjen e numrit të të punësuarve, krahas atyre në restorante e hotele, edhe në sektorin e prodhimit në funksion të zonave turistike.

Ndërsa theksoi sezoni turistik ka një fillim të mbarë, Kryeministri kërkoi masa energjike nga Policia e Shtetit, Ministria e Brendshme, Ministria e Transportit dhe Punëve Publike, Ministria e Shëndetësisë për mbarëvajtjen e sezonit turistik, rritjen e sigurisë dhe lehtësimit të transportit, kujdesit shëndetësor, në çdo zonë turistike bregdetare dhe malore. Kryeministri kërkoi gjithashtu tolerancë zero ndaj “krimit” kundër mjedisit. Në këtë aspekt, Kryeministri i sugjeroi pushtetit vendor të punësojë punonjës të përkohshëm, për pastrimin e territorit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama