Turizmi Gjermeni inspekton plazhin e Shengjinit. Projekt per kursimin e energjise ne Lezhe

Turizmi, Gjermeni inspekton plazhin e Shengjinit. Projekt per kursimin e energjise ne Lezhe

Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni inspektoi plazhin e Shëngjinit ku vëzhgoi zbatimin e masave, që do të garantojnë një sezon veror më të mirë për pushuesit vendas dhe të huaj.

 

Gjatë inspektimit në plazh, Gjermeni u shoqërua nga Kryetari i Komunës së Shëngjinit, Salvador Kacaj dhe një ekip i Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit.

 

Gjermeni kërkoi bashkëpunim maksimal nga kryetari i Njësisë Vendore dhe të gjithë stafet për t’i realizuar konkretisht kriteret e përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) si; vendosjen e koshave të mbeturinave, mbajtjen pastër të mjedisit, respektimin e ndarjes së plazheve publike dhe atyre private.

 

"Ne do të jemi vazhdimisht në terren për t’i monitoruar”, u shpreh Znj. Gjermeni.

 

Ndërsa kryetari i Komunës së Shëngjinit, Salvador Kacaj garantoi se “Njësia Vendore do të jetë 24 orë pa pushim në shërbim dhe dispozicion të qytetarëve dhe se ky do të jetë një vit i sukseshëm me një fluks të madh të turistëve”.

 

Më vonë, ministrja Gjermeni ka prezantuar në qytetin e Lezhës projektin pilot që synon ruajtjen e energjisë në banesa, i cili po zbatohet për herë të parë nga Bashkia e këtij qyteti. 

 

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tushaj e cilësoi këtë projekt shumë të rëndësishëm.  

 

“Projekti i eficencës së energjisë behet në qendër të qytetit, në një ndërtesë e viteve 1960, ku jetojnë  familje të vjetra qytetare, paguese të rregullta të energjisë”, shpjegoi ai.

 

Ministrja tha se “ky projekt është shumë i rëndësishëm për mjedisin dhe ruajtjen e burimeve të energjisë, që janë të kufizuar dhe Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit do të vazhdojë të mbështesë investime të tilla”.

 

Projekti pilot, i cili do të përfundojë brenda vitit 2014, është parashikuar në vlerën 14 milionë lekëve dhe përfitues të tij do të jenë 24 familje. Këto familje pas investimit do të mund të kursejnë energjinë elektrike deri në 50% të kostos së mëparshme.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama