Turizmi ne lufte me mbeturinat

Turizmi ne lufte me mbeturinat
Një rrugë mund të ndërrohet për një vit, një zonë turistike mund të zhvillohet edhe brenda një pesëvjeçari, por të edukosh njerëzit, ky është një projekt të cilit ende nuk i është përllogaritur kostoja dhe afati.

Kryeministri Sali Berisha është shumë optimist se Shqipëria do të jetë këtë verë një nga destinacionet turistike më të rëndësishme në botë. Madje edhe ndonjë gazetë me emër ka shkruar se Shqipëria është një vend i bukur dhe duhet vizituar. Të dhënat zyrtare të qeverisë flasin për një rritje të përvitshme të turistëve që kalojnë ose pushojnë në Shqipëri. Padyshim që këto janë lajme të mira që duhet të bëjnë çdo shqiptar të ndjehet mirë. Pasi hoqëm dorë nga metalurgjia, uzinat e armëve, kombinatet e tekstileve, uzinat e plehrave kimike, e pasi po mbjellin çdo vit e më shumë tokën bujqësore me shtëpi e pika karburanti, turizmi është sot industria ku është bazuar një pjesë e rëndësishme e ekonomisë kombëtare dhe ekonomia private e mijëra familjeve e sipërmarrjeve që operojnë në këtë fushë.

Gjatë pesëvjeçarit të fundit, qeveria ka investuar në infrastructure, duke shtruar shumë rrugë që të çojnë në zona turistike, plazhe të mëdha, tek të cilat, deri pesë vite më parë ose udhëtohej me shumë vështirësi ose vizitoheshin vetëm nga gjahtarët apo të pasionuarit e Rally-t. Kështu, sot mund të udhëtohet në mënyrë shumë komode drejt Velipojës, Shëngjinit, Tales, Patokut, Gjirit të Lalësit, Gosës, Spillesë, Divjakës, Semanit, Zvernecit…, mund të udhëtosh në mënyrë komode edhe më në Jug, ku është përqëndruar edhe turzimi elitar.

Rrugët kanë qenë një handikap i madh për turizmin dhe ndërtimi i tyre mund të jetë mjaftueshëm për shumë shqiptarë, të cilët plazhin e konceptojnë një banjë në diell e rërë që të bën mirë edhe për rreomatizmën. Pas çdo shiriti rruge që pret, kryeministri ynë u bën thirrje të huajve të vijnë në Shqipëri sepse rrugën tashmë e kanë pa gropa. Por a mjaftojnë vetëm rrugët për të joshur turistët e huaj të vijnë për të pushuar në Shqipëri?

Nëse do të shtronim këtu problemet me të cilat përballet sot turizmi, do të kishte një mori të tillë. Mungesa e resorteve ku ofrohen shumë shërbime dhe jo vetem fjetja në konvikte që mbajnë mbi taraca tabela me nga 3-4 yje. Mungesa e një shëbrimi të kulturuar nga personeli i hoteleve, pasi në to nuk punësohen njerëz të arsimuar në shkollat profesionale turistike, por të rinj që paguhen 50 Euro në muaj, në punë të zezë, ose fëmijët e kunetërve e baxhanakëve të pronarit. Por do të donim të ndaleshim tek një problem edhe më madhor dhe për fat të keq me një perspektivë të zymtë për tu zgjidhur.

Në mbretërinë e mbeturinave

Shqipëria është i vetmi vend, të paktën në Europë, i cili mbeturinat urbane, ato që në gjuhën e përditshme quhen plehra, nuk i riciklon e madje në pjesën m,ë të madhe të territorit as nuk i grumbullon fare. Ne qytetet e mëdha ato grumbullohen dhe… digjen! Në qytetet e vegjël, ato grumbullohen dhe shkarkohen në …lumë! Në fshatra as grumbullohen e as digejn, por hidhen nga banorët secili në kanalin që ka pranë, në rrugën që ka pranë, në përroin dhe lumin që ka pranë. Nuk mund të ketë rast të dytë ajo që ndodh në këtë vend, kurrë. Në Librazhd, makina e ndërmarjes së pastrimit të bashkisë, i mblidhte mbeturinat nga kazanët e lagjeve dhe me një normalitet të frikshëm i shkarkonte në lumin Shkumbin, mu mbi një urë. Në Rrogozhinë, bashkia e këtij qyteti dhe ndoca komuna që kanë nisur të organizojnë mbledhjen e mbeturinave, i shkarkojnë ato sërish në lumen Shkumbin. Madje një traktor kujdeset që ti shtyjë sa më mirë në rrjedhën e ujit. I kam parë shpesh këto skena dhe realisht nuk gjej dot emër, nuk gjej dot një fjalë e togfjalësh për të përshkuar këtë veprim.

Kjo ndodh edhe në Drin, edhe në Mat, edhe në Ishëm, edhe në Vjosë e Seman dhe ja çfarë kemi sot para syve tanë. Shtretërit e lumenjve na ofrojnë një panoramë të tmerrshme, ku degët e pemëve janë mbushur me qese(ne konsumojnë mesatarisht 2 milion qese ambalazhi plastic, të formave të ndryshme, në ditë) që tunden nga era si flamuj që dëshmojnë makabritetin e sjelljes sonë me mjedisin. Përgjatë luginave ka pirgje pa fund mbeturinash që presin dallgën e parë të vërshimit, për të nisur udhëtimin drejt detit. Kjo foto duket qartë se është e lumit Lanë dhe është bërë pak ditë më parë nga kolegu ynë Xhemal Mato, i cili e postoti atë për të mos mbajtur tërësisht për vete marazin që i shkaktoi. Eshtë lumi që kalon mu mes përmes kryeqytetit tonë, qendrës më të madhe urbane e sociale. Pas një shiu të furishëm, lumi vërshoi dhe, ashtu si vëllezërit e tij më të mëdhenj, po dërgon edhe ai në det pjesën e tij të bidonave dhe mbeturinave të tjera që njerëzia ia ngarkoi në kurriz.

Çdo vit, tonelata të tëra mbeturinash transportohen nga lumenjtë drejt detit. Deltat e tyre janë një katastrofë e paimagjinueshme, një pamje që tmerron edhe kafshët. Në Bishtin e Pallës, shtresa e bidonave që ka shkarkuar aty lumi Ishëm, i cili “pastron” fshatrat e Tiranës dhe Durrësit, tashmë duhet të matet me metër.
Deti është nikoqir nga natyra dhe nuk preferon që pisllëkun që i dërgojmë ne ta mbajë për vehte, kështuqë, në mënyrë sistematike, ai shpërndan përgjatë gjithë bregut çfarëdo hedhurine që qëndron mbi ujë. Eskpertët e mjedisit thonë se në një zonë të madhe pranë grykëderdhjeve, sasi të pamata mbeturinash kanë precipituar duke krijuar një shtresë të trashë në tabanin e cekët të detit.

Kjo sasi gjigande mbeturinash, që nxirrjet në breg nga deti, është shkaktari më i madh i ndotjes së plazheve në vend. Kjo katastrohë zbehet sapo kalon Llogaranë, pasi nga Palasa deri në Sarandë nuk derdhet ndonjë lum i madh, veç ca përrenjve me pellg ujëmbledhës dhe mbeturinambledhës shumë të vogël.
Në një vend të mbytur nga krizat, kjo është një krizë që duhet të marrë ulërimin e të gjithëve, dhe vëmendjen më të madhe të pushtetiti vendor e qendror. Përpara se të ndërtohen rrugë e ujësjellësa për zonat turistike, në Shqipëri është detyrë urgjente zgjidhja e problemit të mbetjeve, dhe kjo jo vetëm për turizmin.

Në luftë me mbeturinat

Pre tre vitesh qindra njerëz, studentë, nxënës, mësues, nëpunës, artiste e qytetare të thjeshtë janë bërë bashkë për të ngritur zërin kundër ndotjes në një tjetër mënyrë. Jo nga sallat e hoteleve të Tiranës ku miliona Euro donacione shndërrohen në seminare, konkluzioni i të cilëve është se Shqipëria është e ndotur dhe ndotja nuk është gjë e mirë, por duke punuar, duke pastruar plazhet. Korpusi Shqiptar i Vullnetarëve ka marrë jetë tre vite më parë dhe numëron mbi 3500 anëtarë në shumë qytete të vendit. Çdo vit, me kontributin e kësaj lëvizjeje janë pastruar në prag të sezonit turistik plazhet e Velipojës, Shëngjinit, Gjirit të Lalësit, Spillesë, Divjakës, Zvernecit, Orikumit etj. Mijëra thasë me mbeturina largohen nga plazhet cdo javë nga kontributi i këtyre njerëzve.

Por cfarë ndodh më pas?

Në datën 22 Maj, mbi 200 vullnetarë punuan në plazhin e Gjirit të Lalësit, streha ku gjejnë prehje mijëra pushues ditorë nga Tirana gjatë gjithë verës. Një park i mrekullueshëm pishash, fare praën plazhit, gëlonte nga mbeturinat. Ata që i kishin frekuentuar lëndinat e tij kishin lënë aty pjata, lugë e pirunj plastikë, kanaçe birre, shishe vere, gazeta, qese e gjithëfarësoj sendesh të tjera. Mbi 1500 thasë me mbeturina u larguan nga parku, të cilin e ndan nga plazhi vetëm një rrugë. Ata që punuan aty u bënë thirrje qyetarëve që kur të vinin në këtë park të mos hidhin mbeturina. Treguan para kamerave majde se si mund të përdorej një qese e zezë për ti marrë me vete mbeturinat. Por vetëm dy javë më pas, me padurimin e njeriut që mezi ç’pret të shikojë frutet e punës, isha sërish në parkun e Gjirit të Lalësit. Ishte sërish një skenë horror, sërish mbeturina kudo e pirgje të mëdha të hedhura nga lokalet që ushtrojnë aktivitetin në këtë plazh.

Pa u dorëzuar, në datën 5 Qershor, vullnetarët zbarkuan në Zvernec. Edhe atu është një park pishash shumë i bukur, por brenda tij një ferr i vërtetë. Mbeturina, kudo mbeturina, të hedhura nga njerëzit dhe pirgje të mëdha të hedhura nga restorantet. Një vit më parë vullnetarët e mjedisit e kishin pastruar këtë park, por sërish ishte mbushur me mbeturina. Më tutje, pranë ishullit të Zvërnecit, shtyrihet një gji që quhet Porta Nova. Nuk kam parë gjë më të bukur në tërë bregdetin ranor shqiptar, një gji ku gjetkë një dhomë hoteli do të kushtonte 2000 Euro nata. Por nuk kam parë gjë më të tmerrshme që mund të shkaktojë papërgjegjshmëria e njeriut. Në rreth 1000 metra gjatësi lineare, një kurorë e gjelbërt rrethon plazhin. Ajo është shndërruar tashmë në një vendgrumbullim gjigand mbeturinash.

Kultura, resursi që na mungon

Përgjatë gjithë vijës bregdetare infastruktura higjenike është e mjerueshme. Ka pak ose aspak kazane mbeturinash, ndërsa koshat që vendosin sipërmarrësit që kanë marrë me qera plazhet shkarkohen në parqe dhe mjedise të tjera të hapura. Pastrimi është pika e fundit e rendit të ditës që mund të diskutohej në mbledhjen e një këshilli komune, ku gëlojnë matrapazët e ndarjes së trojeve.

Por e gjithë kjo maskaradë nuk do të ishte me këto përmasa nëse vetë njerëzit do të silleshin ndryshe, do të ishin më të edukuar e më qytetarë. Në vitin 2001, ndodheshim në Curraj të Epërm, majë alpeve në malësinë e Tropojës, në përbërje të një ekspedite studimore për Kanunin, ku ishte edhe ish zëvendës ambasadori i gjermanisë në Tiranë Piter Brumajer. Pasi hengrëm drekë në një lëndinë të praruar, anëtarët e grupit “Made in Albania” u çuan të iknin, ndërsa Piter me bashkëshorten nisën të mbledhin një nga një mbeturinat që ishin hedhur në lëndinë.

Ishte një mësim i madh

Shqipëria ka një bregdet thuajse të shfrytëzueshëm në tërë gjatësinë e tij dhe pjesën më të madhe e ka ranor dhe me një cilësi shumë të mirë. Vit pas viti, sistetmi rrugor po ndërtohet, edhe hotelet do ta përmirëosjnë cilësinë e shërbimit, edhe ujë e drita do të ketë pa ndërprerje. Por problemi mbetet se ky vend do të vazhdojë të banohet nga një popull, pjesa më e madhe e të cilit nuk e ka për gjë që aty ku ha, aty edhe të jashtëqisë, e për këtë jo që nuk skuqet por ndjehet edhe krenar. Një rrugë mund të ndërohet për një vit, një zonë turistike mund të zhvillohet edhe brenda një pesëvejcari, por të edukosh një popull, ky është një projekt të cilit ende nuk i është përllogaritur kostoja dhe afati.

Eshtë një situatë e trishtë, ku injoranca dhe mungesa e edukatës, si e njerëzve të thjeshtë ashtu edhe zyrtarëve lokanë, përziehet me korrupsionin, paaftësinë dhe demagogjinë, e cila si ai brumbulli mes bajgës përpiqet të bindë botën se është i larë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama