Turizmi pa mushkonja nis nga Butrinti ne Sarande

Turizmi pa mushkonja nis nga Butrinti ne Sarande

Në kuadër të masave të rritjes dhe sigurimit të cilësisë për sezonin turistik veror, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) ka nisur procesin e dezinsektimit të zonave bregdetare, i cili do të jetë i vazhdueshëm dhe do të shtrihet në zonat problematike të territorit të Shqipërisë. Pikërisht, ditën e djeshme, procesi i dezinsektimit nisi në Parkun Kombëtar të Butrintit dhe rrethinat e tij. Insektet që do të asgjësohen janë ato lloj insekte, që në gjuhën shkencore njihen si vektorë. Vektorët janë insekte, të cilat janë mbartëse të sëmundjeve. Për të qenë më të saktë, dezinsektimi është përqendruar kundrejt mushkonjave. Përpos faktit të neutralizimit të çfarëdolloj mundësie për të shpërndarë sëmundje të padëshirueshme, asgjësimi i mushkonjave do të bëjë që turistët të mos bien më preh e pickimeve të bezdisshme, gjë që e kthen periudhën e pushimit   në një përvojë jo shumë të këndshme. Projekti “Procesi i dezinsektimit, që po ndërmerret nga Ministria e Shëndetësisë, jo vetëm që do të minimizojë ndjeshëm përqendrimin e insekteve të dëmshme (mushkonjat), por nga ana tjetër ky proces nuk shkakton asnjë dëm anësor mjedisor dhe shënjestron vetëm ato”, -   thotë për gazetën “Shekulli” zv.ministrja e Shëndetësisë, Milva Ekonomi, e cila ishte e pranishme, së bashku me funksionarë të ISHP-së, për të vëzhguar më afër ekipet e specialistëve, që kishin filluar punën në terren. Gjithashtu, ajo dha edhe koston e këtij projekti të ndërmarrë nga Shëndetësia.

“Kostoja e projektit të dezinsektimit për këtë vit, për të gjitha zonat e planifikuara, kap shifrën e rreth 500 mijë dollarë”, - thotë zv.ministrja Ekonomi dhe shton: “Ajo që dua të theksoj për procesin e dezinsektimit është se metoda e përdorur nuk shkakton asnjë dëm mjedisor me pasoja negative për bimësinë apo faunën. Ky është një proces i vazhdueshëm, i cili do të zgjasë gjatë gjithë vitit. Pritet që të vazhdojë edhe për 5 vitet e ardhshme. Pra këtu kemi të bëjmë me monitorimin e vazhdueshëm për të mbajtur në minimum popullatën e insekteve të dëmshme”. Ajo thotë se hera e fundit, që u ndërmor një projekt i tillë, për të zgjidhur problemin e mushkonjave nëpër zonat bregdetare, ishte para rreth 23 vitesh, por vetëm këtë herë po përdoret një metodë, e cila ka një vazhdimësi afatgjatë dhe e trajton problematikën në thelb. Rëndësia Kreu i bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa, i pranishëm gjithashtu në zonën e Butrintit, ku por kryhet dezinsektimi, e ka cilësuar këtë nismë të Qeverisë, si më të rëndësishmen për Sarandën. “Është një investim, që ka vite, të cilën ne nuk e shohim në Sarandë. Prandaj e shikojmë si një ndër investimet më të rëndësishme të Sarandës. Sepse bregdeti ynë gjithashtu, duhet të pastrohet edhe të mirëmbahet”, - theksoi përpara mediave kryebashkiaku Çipa. Gjithashtu, ai nënvizoi se pushteti vendor ofron mbështetjen e plotë për këtë proces të ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë. Dezinsektimi i zonave bregdetare është një nga 4 masat, për të cilat është përgjegjëse Ministria e Shëndetësisë, në kuadër të 48 masave të rritjes së cilësisë së turizmit, për zbatimin e të cilave është ngritur me urdhër të Kryeministrit, Task Forca e Menaxhimit Turistik. Masat e tjera për të cilat është përgjegjëse Ministria e Shëndetësisë janë: rritja e prezencës së shërbimit ambulator në zonat turistike, në plazhet e populluara, kontrolle për një higjienë të lartë në subjektet turistike, restorante e struktura akomoduese; dhe bërja e analizave të detit në zonat e përcaktuara si plazhe publike.

Si zhvillohen insektet sëmundjembartëse

Një nga insektet sëmundjembartëse ose vektorë, siç quhen në terminologjinë shkencore, janë edhe mushkonjat. Këto insekte zhvillohen në ato zona që quhen ligatina. Këto janë zona si lagunat dhe rrethinat e tyre, pra zona që përmbyten. Ndërkaq një sërë faktorë të tjerë krijojnë kushte të favorshme për shumimin e vektorëve. Një gjë të tillë e sjell zhvillimi urban i pakontrolluar i kohëve të fundit dhe mungesa e higjienizimit të komunave apo qyteteve. Po ashtu ndikon edhe prishja e kanaleve të mëdha të bonifikimit, mbushja e tyre me vegjetacion dhe rrjedhja e ngadaltë e ujit, duke bërë, që ato të shërbejnë si çerdhe larvore me pjellori më të lartë se ato të kënetave, të cilat i kanë zëvendesuar.

 Gjithashtu, edhe ekzistenca dhe shtimi i zonave, të cilat mbajnë ujë dhe nuk pastrohen apo dezinsektohen prej vitesh, si hendeqe, kanale, bodrume, strehime, bunkere, rezervuarët e ujërave të zeza etj., bëhen shkak për shumimin e vektorëve. Për sa i përket nismës së dezinfektimit, ajo ka më shumë se 23 vite që ka munguar. Përpos kësaj, çdo nismë dezinsektimi duhet kryer, duke pasur kujdes që të mos shkaktojë efekte anësore, të cilat krijojnë dëme në florën dhe faunën e mjedisit. Nga ana tjetër metoda më e mirë për zhdukjen e mushkonjave është trajtimi i problematikës, që në thelb. Pra duhen luftuar, që në formën e larvës. Por, deri më tani ekspertiza dhe teknologjia i kishin munguar vendit tonë, së bashku me vullnetin e nevojshëm të institucioneve përgjegjëse për të ndërmarrë procese dezinsektimi bashkëkohore dhe efikase.  

Çfarë kimikati përdoret për dezinfektimin 

 Përgjegjësja e ISHP-së shpjegon procedurën për gazetën “Shekulli”. Spërkatje edhe me avionë

  Fillimisht mund të duket si një problem i thjesht, por edhe dezinsektimi i mushkonjave kërkon një sërë masash paraprake, të themeluara sipas një plani të strukturuar shkencor. Qëllimi kryesor është zgjidhja e problematikës pa shkaktuar dëme në mjedis. Në procesin e dezinsektimit të filluar në Butrint, i cili do të vazhdojë edhe në zona të tjera, për herë të parë është përdorur një agjent biologjik, i cili nuk shkakton efekte anësore në mjedis. “Agjenti i përdorur përmban një bacil i cili asgjëson mushkonjat, që në stadin e larvës, ndërsa ato zhvillohen në zona ujore”, - shpjegon për gazetën “Shekulli” përgjegjësja e Sektorit të Kontrollit të Vektorëve në ISHP, Enkelejda Dikolli. Ajo tregon gjithashtu se, procesi i dezinsektimit është i ndarë në dy faza. “Fillimisht bëhet një studim i terrenit ku jetojnë mushkonjat, në funksion të të cilit bazohet dhe mënyra sesi do të veprohet për të aplikuar agjentin biologjik, i cili asgjëson specifikisht larvat e mushkonjave, pa shkaktuar dëme në florën apo faunën e zonës”, - bën të ditur znj. Dikolli.

Mënyrat sesi spërkatet agjenti biologjik varet nga dendësia e vegjetacionit (bimësisë) të zonës. Për rrjedhojë, gjatë procesit të dezinsektimit, dy metodat, të cilat u përdorën më shpesh në zonat problematike, në parkun kombëtar të Butrintit, ishin spërkatje me pompë me presion me dalje të drejtpërdrejtë dhe spërkatje me pompë me motorr. E para u përdor në zonat me bimësi të dendur, në mënyrë që agjenti biologjik të depërtonte  në mënyrë më efikase, ndërsa e dyta u përdor në zonat ku bimësia nuk ishte shumë e dendur. “Procesi i spërkatjes do të jetë i vazhdueshëm dhe do të zgjasë për 6 muaj në mbarë vendin. Për sa i përket zonave që spërkaten, një ditë më parë kryhet një vëzhgim për të përzgjedhur metodën e spërkatjes dhe rreth 48 orë pas procedurës, kryhet një tjetër vëzhgim për të parë sesi ka evoluar popullata e mushkonjave. Por theksoj se metoda e spërkatjes është në varësi të zonës, apo habitatit, ku jetojnë mushkonjat”, - thotë znj. Dikolli. Gjithashtu, ajo bën të ditur se në disa zona spërkatja e agjentit biologjik do të kryhet edhe me anë të avionave. Zonat e tjera që do të trajtohen në vijim, përveç parkut kombëtar të Butrintit, do të jenë në Orikum, Vlorë, Karavasta, Divjakë, Lezhë dhe në Gjirin e Lalzit. Dezinsektimi po kryhet në bashkëpunim me kompaninë “NRG”, e cila specializohet në kontrollin e insekteve të dëmshme. Në lidhje me metodën, që sapo filloi të përdoret në Shqipëri, siç edhe u parashtrua edhe më lart, drejtori teknik i “NRG”-së, Dr. Marco Genico, i cili po mbikëqyrte të gjithë procedurën së bashku me ekspertët shqiptarë, u shpreh se tashmë vendi ynë i është bashkuar vendeve me metodat më të përparuara në botë, për sa u përket trajtimit të zonave me mushkonja. Z. Genico, shtetas italian, ka rreth 34 vite që hulumton në fushën e trajtimit të zonave me insekte të dëmshme, kryesisht mushkonjat, dhe prej rreth 2 vitesh jeton midis Shqipërisë dhe Italisë.     


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama