Turizmi shqiptar ne CNN Spoti 650 euro sot Pango e blen 2500 euro

Turizmi shqiptar ne CNN: Spoti 650 euro, sot Pango e blen 2500 euro
TIRANE-Në vitin 2006, rrjeti televiziv CNN i është drejtuar me propozim për një shërbim të njëjtë promocional entit shqiptar të Turizmit. Propozimi është dërguar në muajin gusht dhe ka të bëjë gjithnjë me transmetimin e spoteve publicitare për t’i bërë të njohur botës atë çka ofron natyra shqiptare. Madje, edhe, sipas fjalëve të redaktorëve të saj, mikpritjen, trashëgiminë kulturore dhe shumëllojshmërinë që ofron Shqipëria, si për udhëtarët për biznes, ashtu edhe për pushuesit.

Në këtë propozim, ofrohet transmetimi i spoteve 20-sekondëshe, të shoqëruara me muzikë shqiptare. E veçanta është se CNN ofrohet të prodhojë vetë spotin. Pra, nuk merr përsipër vetëm transmetimin, por edhe krijimin e materialit publicitar. Sipas CNN, një shërbim të tillë është në gjendje ta kryejë shërbimi i tij krijues.

Tarifat
Në këtë mënyrë, CNN ofron mundësinë për të larguar nga skena një kompani, që do të merrej vetëm me prodhimin e spotit. Ajo jep dy opsione për prodhimin dhe transmetimin e tij. I pari parashikon transmetimin 588 herë të spotit mbi Shqipërinë me një kosto prej 600.000 dollarësh amerikanë. I dyti, 780 transmetime të njëpasnjëshme me një kosto 800.000 dollarë. Duken shifra shumë të larta, por paraqesin një diferencë të konsiderueshme çmimi për njësi me ato që Ministria e Pangos ka miratuar vitin e kaluar.

Kështu, duke pranuar një shifër prej 300.000 eurosh për prodhimin dhe 121 transmetime të njëpasnjëshme të spoteve për turizmin shqiptar në rrjetin televiziv CNN, kostoja për një transmetim spoti del 2.479 euro. Për 600.000 dollarë amerikanë, që sot këmbehen me afro 382.000 euro, CNN ka ofruar në vitin 2006 për autoritetet shqiptare transmetime katër herë më shumë, pra jo 121, por 588 spote. Një llogaritje e thjeshtë të çon në koston 650 euro për një transmetim spoti. Një tarifë e tillë del edhe në rastin e opsionit të dytë të paraqitur nga ana e CNN direkt, ku për 800.000 USD ofrohen 780 transmetime.
 
Ndryshimi
Kostoja prej 2.479 eurosh për transmetim është 3,8 herë më e lartë se ajo 650 euro, që mund të arrihej në rast se CNN-it i jepej e drejta edhe për të prodhuar vetë spotin. Me një kosto të tillë, del se shteti shqiptar ka humbur një fond të konsiderueshëm. Pasi 121 transmetime me tarifën 650 euro për transmetim kushtojnë në total 78.650 euro. Dhe jo 300.000 euro, sa ka marrë përsipër të paguajë për të njëjtin shërbim ministri Pango.
 
Diferenca nuk është e vogël: mbi 220.000 euro. Në këtë rast, marrja e një kompanie të veçantë për prodhimin mund të ketë shërbyer edhe si mjet për realizimin e një korrupsioni, që nuk mund të kishte ndodhur në rast se do të pajtohej direkt CNN-i.

Genc Kondi (GazetaShqiptare)

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama