Në një artikull të publikuar së fundmi nga portali turk Hurryiet, thuhet se telenovelat turke po rrisin ndjeshëm ndikimin e Turqisë jashtë vendit, veçanërisht në Ballkan dhe në Lindjen e Mesme, duke mbështetur kështu të ashtuquajturën ‘pushtet i butë’ i diplomacisë turke. Sipas Hurriyet, më shumë se 100 telenovela turke janë parë në mbi 20 vende këtë vit, duke fituar më shumë se 60 milion euro. Një sociolog nga Shkupi, Ilija Aceski thotë se suksesi i këtyre telenovelave qëndron tek ngjashmëritë me shoqëritë turke.
Revista Time së fundmi e përshkroi eksportin e telenovelave turke si një ‘sekret të kryeministrit turk, Rexhep Taip Erdogan’. Telenovelat turke kanë nisur të transmetohen vetëm së fundmi në Shqipëri, pasi më parë transmetoheshin kryesisht telenovela të Amerikës Latine. TV Klan e nisi i pari me telenovelën Gymysh. Kanali televiziv pagoi mijëra euro që protagonistja e saj të shfaqej në një festival këngësh. Pas tij serinë e vijoi Vizion Plus me një tjetër telenovelë. Së fundmi edhe Albanian Screen ka nisur të transmetojë një telenovelë të quajtur ‘Sulejmani i madhërishëm’ me sponsorë bizneset turke që operojnë në Shqipëri.