Twitter dhe perdorimi i tij

'Twitter' dhe perdorimi i tij
Ndoshta shumë pak e dinë që Biz Stone, një djalosh 34-vjeçar, së bashku me mikun tij, Evan Williams, janë themeluesit e “Twitter”-it. Stone është një nga personat që është munduar të harmonizojë internetin me celularin, dy mjete përmes të cilave komunikojnë sot njerëzit. “Twitter” u përdor në vendet arabe, gjatë fushatave elektorale të Presidentit Obama. Dhe vërtet, 140 karakteret e një mesazhi të vogël që mund të transmetohet nga çdo vend i botës me një telefon celular, arrijnë në kohë reale të bëjnë xhiron e botës, të thyejnë censura dhe kufij, të mbajnë gjallë një komunitet në një moment shumë të vështirë. Stone është i pari që e ka kuptuar se “krijesa” e tij, aktive vetëm prej disa vjetësh, është në qendër të një revolucioni të vogël në dukje, por shumë të rëndësishëm.

Një revolucion që ai vetë nuk mendonte ta bënte: “Kur futëm konceptin e ‘Twitter’-it, fillimisht e kemi bërë me miqtë tanë, ku edhe ata ftuan miqtë e tyre. Të gjithë mendonim se ishte një sistem argëtues, duke qenë se në çdo kohë ishte shumë i lidhur me familjen, me miqtë, apo me njerëzit e shtrenjtë. Ishte shumë mirë të qenët vazhdimisht në kontakt me ta në kohë reale. Është e natyrshme që sot nuk ndodh më kështu.

 Kur sheh lajme që vijnë nga çdo kënd i botës nga miliona sy dhe veshë që të tregojnë se çfarë kanë parë dhe dëgjuar, në një fluks të vetëm në kohë reale, e kupton mirë se ky mjet që ti ke ndërtuar ka marrë një drejtim tjetër. Është një mjet komunikimi që lidhet me jetën e vërtetë të miliona njerëzve dhe në raste të tilla si ajo e protestave në Iran, bëhet më demokratik dhe i pazëvendësueshëm”. 140 karaktere në dispozicion për të shkruar thelbin e asaj që do. Regjistrimi është falas, po ashtu është më e lehtë për të mësuar sesi përdoret. Mund të publikohen fraza të shkurtra për atë çfarë je duke bërë në moment. Kush ka vendosur të të ndjekë, e lexon, përgjigjet, e merr dhe e ridërgon një përgjigje brenda një kohe rekord. Qëllimi? Shoqërizimi dhe shpejtësia e madhe e komunikimit. Përveç lajmeve mund të lexosh në kohë reale dëshirat dhe mundësitë ekonomike të përdoruesve.

Kishit menduar për këtë lloj revolucioni?

E dinim se çelësi i suksesit të “Twitter”-it ishte mënyra e shpejtë e komunikimit dhe se sistemi ynë do të përdorej edhe në raste të tilla, por nuk kishim menduar për përfshirjet që ai mund të kishte me politikën. Mendoj se ka hapur kufijtë e demokratizimit të informacionit. Nuk është teknologjia e rëndësishme, por mënyra se si njerëzit e përdorin, qëllimi për të cilin kanë nevojë. Njerëzit duan të dinë atë çka ndodh, duan të tregojnë atë që shohin.

Çelësi i suksesit qëndron tek ideja e punës me SMS, për të bashkërenduar internetin me telefonat celularë?

Po, që në fillim kuptuam se hapësira e ofruar nga komunikimi me celular ishte e madhe. Rreth katër miliardë njerëz kanë telefona celularë në të gjithë botën, që mund të lidhen me “Twitter”. Të gjithë dërgojnë dhe marrin SMS, e dinë se si funksionon, sepse e njohin këtë lloj komunikimi. Epërsia e një ‘Twett’-i (mesazhi i shkurtër) në krahasim me një SMS, është se ai nuk i shkon një personi të vetëm, por shkon kudo, në internet dhe celularë. Kush e përdor ka në dispozicion një platformë të jashtëzakonshme. Ne vetë nuk jemi kaq intelektualë sa ta kuptojmë se në çfarë drejtimi do të shkojë e gjitha kjo. Është fillimi i diçkaje të re, ne thjesht hapëm një derë.

Domethënë, përdoruesit nuk janë vetëm të rinj që janë mësuar me gjuhën e SMS-ve?

Jo, ka edhe njerëz të famshëm që me “Twitt”-et e tyre pushtojnë faqet e para të gazetave. Por ka edhe shumë anëtarë të Kongresit në “Twitter”. Qeveritë kanë nisur ta përdorin. Po ashtu edhe NASA, kompani të tilla si “Satrbucks” dhe të tjera. Bëhet fjalë për diçka në evolucion të vazhdueshëm, ku nuk përfshihen vetëm disa grupe të caktuara sociale. Pak ditë më parë, isha në Nju Jork dhe pashë një përdorim të jashtëzakonshëm të sistemit tonë. Mes të tjerave ishte edhe një bukëpjekës që lajmëronte klientët e tij përmes “Twitter”-it se buka e freskët sapo kishte dalë nga furra. Nuk janë vetëm organizatat e mëdha që e përdorin, por edhe komunitetet e vogla. Sepse është i thjeshtë, i shkurtër dhe i menjëhershëm.

140 karaktere nuk janë pak për të komunikuar?

Nuk ka dyshim që 140 karaktere nuk janë shumë, por gjithashtu është e vërtetë se mund të jesh kreativ edhe me 140 karaktere. Karakteret e kufizuara të shtyjnë të jesh më krijues, më preciz dhe më i qartë. Komunikimi në kohë reale nuk ka nevojë për shkrimin e teksteve më të gjata. Për atë arsye është email-i dhe rrjetet e tjera sociale që tani kanë mbirë gjithandej. Ndërkaq “Twitter” është një flesh në kohë reale, mbi diçka që po na ndodh ne, një urgjencë, një pasion, një mendim. Unë nuk mendoj se “Twitter” nuk duhet të konsumojë të gjithë informacionin. Ai mund të jetë i dobishëm vetëm për lajmet e menjëhershme. Pastaj gjithmonë kemi nevojë për ata që na tregojnë histori më të pasura dhe më komplekse se në 140 karaktere. Thjeshtësia, përveçse intimitetit, janë disa nga armët e tij të forta. Sot, politikanë dhe gazetarë, yjet e kinemasë dhe sportit janë të regjistruar këtu, duke bërë që në Amerikë të shpërthejë e ashtuquajtura modë “twitter-mania”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama