Më flokët që gjithnjë i binin shkujdesur mbi supe, fustanet e thjeshta dhe buzëqeshjen që e dallonte nga larg, ajo bëri dhe njëherë një udhëtim në këngët që bënë karrierën e saj, për një spektator, që e shoqëroi këtë koncert me duartrokitje dhe lot.
Vaçe Zela është një personalitetet e kulturës shqiptare, një emër e cila do të lidhet përjetësisht me muzikën tonë. Zëri i saj i mrekullueshëm, do të kujtohet si zëri i një epoke, që do të dëgjohet gjithmonë, pavarësisht kohëve që do të vijnë.
Është shuar gjithçka, brenda gjithkujt që e njohu nga afër apo e dëgjoi nga larg. Kjo është vdekja që e bën lajmin për ikjen e Vaçes nga kjo botë posaçërisht të veçantë, për secilin prej nesh. Një dhimbje që përçohet në trajtën e një humbjeje të përbashkët, edhe te më të rinjtë që deri dje nuk kishin dëgjuar asgjë për të dhe prej 48 orësh lënë shënimin e tyre në rrjetet sociale. Kur këndonte Vaçe Zela, bota ishte bardhezi. Edhe ekrani ishte bardhezi. Dhe i vetmi rrjet që lidhte figurën dhe zërin e saj me këtë vend ishte rrjeti i një propagande bardhezi. Këngëtarët visheshin njësoj, kriheshin njësoj, rrinin njësoj para mikrofonit, thuajse gatitu dhe ia linin radhën njëri-tjetrit, me hyrje-dalje, ku hapat dukeshin thuajse njësoj.
Nën duartrokitje që ngjanin thuajse njësoj edhe për koncerte edhe për kongrese. Lajmi për ikjen e Vaçe Zelës, mua vetë, më çoi pas, në atë botë; Në kuzhinën e vogël, ku pak më larg tryezës së bukës, në këndin e ngushtë mes dritares dhe dollapit të bardhë, që mbulonte faqen e murit, qëndronte televizori “Iliria”. Dhe ne, familja, të ulur rreth tryezës, gjithnjë njësoj, në të njëjtat vende, me sytë kthyer nga televizori, ndiqnim “Festivalin e Këngës në Radiotelevizion”, që çdo vit dukej i njëjti festival që përsëritej; Me pushkën, kazmën dhe çelësin Sol, që vit pas viti ndërronin vetëm vend dhe madhësi në sfond, siç ndërrojnë vend gjymtyrët për të mos ngrirë fare; Me orkestrën që dukej sikur nuk kishte lëvizur vendi qysh nga viti i mëparshëm; Me këngët që tingëllonin si pjesë e një kënge të vetme, të gjatë, pa mbarim, pa ndalim, pa ndryshim. Një herë, dy herë, tri herë, shtatë herë, herë të tjera akoma, në gjatësinë e një fëmijërie shumë më të gjatë sesa ç’është fëmijëria sot, e ndoqa dhe unë, si thuajse të gjithë njësoj, të gjithë atë ritual të paimagjinueshëm për fëmijët e sotëm të Facebook-ut. E ndoqa duke pritur, çdo vit e më shumë para ekranit të atij Festivali, vetëm për ato pak minuta, mes orësh të tëra, të ndara midis tri netëve, kur në skenë hynte Vaçe Zela.
Me flokët e derdhur jashtë normës së ngurtë të asaj kohe, portretin e pangjashëm me asgjë dhe me askënd, buzëqeshjen që mbulonte gjithë ekranin me një rrezatim misterioz, me shikimin xixëllues që paralajmëronte diçka tjetër, diçka ndryshe, diçka që pa e rrëzuar normën, pa e këputur këngën e vetme të realizmit socialist, elektrizonte gjithë ajrin e kuzhinës sonë. Ishte një zë që në një kohë tjetër dhe në një vend tjetër, në të tjera skena, me të tjera tekste e të tjera melodi do të kishte elektrizuar qiellin e mbarë botës. Por në atë kohë dhe mbi atë skenë, s’mund të bënte më shumë sesa të ndizte një yll magjepsës në qiellin tonë të kyçur brenda nesh. Vaçe Zela iku nga mesi ynë kur ra “Perandoria” e bardhezisë. Dhe e la kyçur zërin e saj këtu, në rrjetin e kujtesës sonë bardhe zi, pa u kthyer kurrë më me hapat e saj në skenën e re të jetës sonë, për të na kërkuar shpërblim, ndere apo vëmendje, për minutat e paçmueshme që na bëri të jetojmë. Dhe ja tani, pas kaq shumë vitesh, na dërgoi, befas, thjesht lajmin e vdekjes, mu si një kartolinë të një dashurie të pathënë dot kurrë deri në fund.
Nuk ka vdekur Vaçe Zela! Ajo vetëm ka ikur për fare nga kjo botë, pasi kohë më parë iku për fare nga ky vend. Është shuar thellë brenda nesh një Yll magjepsës, të cilin askush që nuk e pa të ndizej në skenat dhe në kuzhinat e vjetra të Shqipërisë, nuk do të jetë asnjëherë dot në gjendje t’ia ndiejë magjinë përmes ekranit dhe altoparlantëve të botës së sotme plot zhurmë. Për të gjithë ata që e ndajnë me mua këtë përjetim, dua t’i them, sot, Vaçe Zelës, “Faleminderit që ekzistove për secilin prej nesh, atëherë kur ekzistenca jonë ishte thuajse e ngrirë, mu si një këngëtar festivali, dhe kur zëri yt na tregonte fshehur, pas tekstesh dhe melodish të zakonshme, mrekullinë e jashtëzakonshme të të jetuarit të kësaj bote”. Më ka qëlluar të pyes veten, si do ta këndonte Vaçja, sikur të ishte më me fat, këngën “I Will Always Love You”. Asnjëherë nuk do ta dimë! Por, unë di vetëm që në këtë orë lamtumire, të gjithë ata që e njohën nga afër, apo e dëgjuan nga larg, i thonë Vaçes, secili me zërin e tij – “I Will Always Love You”. U prehsh në paqe Yll i shuar! Ne do të të duam gjithmonë!