U premtuan 6200 vende te lira punesohen vetem 800

U premtuan 6200 vende te lira, punesohen vetem 800

Edhe pse u premtua nga ministri i Mirëqenies Sociale, Erjon Veliaj, si dhe Kryeministri Edi Rama për 6200 vende të reja pune në panairin e punës, pas pesë ditëve që ky panair qëndroi i hapur, vetëm 800 persona arritën që të punësoheshin. Nga 13.84 CV të dorëzuara nga studentë që kanë përfunduar arsimin e lartë kryesisht për Mjekësi, Juridik, Inxhinieri Ndërtimi apo Ekonomi, një numër shumë i vogël i tyre arritën që të gjenin një punë në arsimin profesionin përkatës, kjo për shkak të numrit të kufizuar që ishte në dispozicion për zanate të tilla.

 

Ndonëse numri i të punësuarve që kalonte shifrën 500 ishin pikërisht në call centre dhe shumë pak në profesione zanati, kjo nuk e pengoi ministrin e Mirëqenies Sociale që ta konsideronte aktivitetin pesëditor të këtij panairi si një histori suksesi, ku qytetarët patën mundësi të gjenin një punë sipas aftësive e kualifikimeve të tyre. Në ceremoninë e organizuar në mbyllje të panairit, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Rama, ministri Veliaj duke iu referuar përplasjes që pati pak ditë më parë me një zonjë që pretendonte se kishte humbur punën në administratë, tha se: “pavarësisht provokimeve me të cilat u shoqërua, ky panair priti mijëra njerëz dhe punësoi qindra të interesuar”. Gjatë fjalës së tij, teksa prezantoi disa nga personat që u punësuan nga firmat pjesëmarrëse në panair, ironizoi për rastin e gruas me të cilën debatoi në ditën e hapjes së panairit duke u shprehur “se në panair u punësuan edhe inxhiniere, por jo me shkollë nate”.

 

Ndërkohë, edhe pse u fol shumë për punësime të personave me aftësi të kufizuara, punësime të tilla munguan në këtë panair. “Kemi pasur një debat dhe një nga problemet që ne linçuam ishte programi për të ndihmuar njerëzit me aftësi të kufizuara”, tha Veliaj. Në përfundim të fjalimit të tij në panair, duke i dhënë prioritet punësimit të të rinjve, ministri Veliaj bëri të ditur dje se panaire të tilla do të hapen edhe në qytete të tjera, teksa njoftoi se gjatë kësaj jave do të çelen edhe zyrat e punësimit në qytetet e Shkodrës, Lezhës, si dhe Korçës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama