Një shitës ambulant francez është një ndër njerëzit më me fat që bëhet pjesë e ngjarjes së rëndë të dy ditëve të fundit, që ka tronditur Francën dhe tërë botën. Shitësi, i identifikuar si Didier, ka treguar për “France Info” momentet ku ai ishte ballë për ballë me dy të dyshuarit e masakrës së “Charlie HEBDO” këtë mëngjes. Didieri tha se kishte një takim me menaxherin e fabrikës së stampimit në Dammartin, ku dy të dyshuarit janë duke mbajtur peng 5 persona.
Ai tha se kishte parë dy burra të veshur me të zeza dhe të armatosur gjer në dhëmbë. Ai i mori ata për policë të forcave speciale, por pasi njëri prej tyre ka folur gjithçka është qartësuar; ata ishin pengmarrësit.
“I dhashë dorën njërit prej tyre dhe i thashë përshëndetje. Ai u përgjigj: “Zotëri, ne nuk i vrasim civilët”, tha ai, duke shtuar se kjo ishte me të vërtetë e çuditshme.
“Unë po shkoj të blej një biletë lotarie. Kjo është dita më me fat e jetës sime. Ajo nuk ishte normale. Nuk e dija se çfarë po ndodhte. Ishte një pengmarrje apo vjedhje”, ka përfunduar Didieri. Policia ka rrethuar prej orësh ndërtesën ku dyshohet se dy vëllezërit e armatosur po mbajnë peng pesë persona, ndërkaq jozyrtarisht raportohet se dy persona janë vrarë.