UEFA ka shpjeguar dje vendimin e saj rreth dënimit të Skënderbeut, duke treguar se çfarë ishte marrë për bazë për të përjashtuar korçarët nga Liga e Kampioneve. Organizata që drejton futbollin europian ka bërë të qartë se vendimi nuk është marrë vetëm për "përfshirjen në aktivitete që kanë si qëllim përcaktimin e rezultateve të ndeshjeve" në arenën ndërkombëtare, por edhe për "identifikimin e basteve anormale" në kampionatin shqiptar.
Shpjegimi i plotë i UEFA-s
UEFA mirëpret vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv për apelimin e bërë nga Klubi Sportiv Skënderbeu kundër vendimit të Komisionit të Apelit UEFA më 1 qershor 2016.
Si rrjedhojë, KAS konfirmon vendimin e marrë nga organet disipinore të UEFA-s për të mos përfshirë Skënderbeun në Ligën e Kampioneve 2016-2017 për shkak të përfshirjes së tij në aktivitete që kanë si qëllim përcaktimin e rezultateve të ndeshjeve (neni 4.02 i rregulloreve të Ligës së Kampioneve).
Kjo çështje konfirmon besueshmërinë e sistemit të detektimit të mashtrimit me bastet të UEFA-s (BFSD) në identifikimin e basteve anormale në ndeshje të luajtura nga klubi shqiptar në arenën ndërkombëtare dhe kampionatin shqiptar.
Pas një investigimi të hollësishëm të ndërmarrë nga UEFA, në bashkëpunim të ngushtë me partnerin e saj Sportradar, inspektorët e disiplinës dhe etikës identifikuan disa skema bastesh të cilat ishin në kundërshtim të plotë me ata që priten në tregjet normale të basteve. Kjo çështje u analizua fillimisht nga Komisioni i Apelit të UEFA-s dhe më pas nga KAS.
Me këtë vendim, KAS mbështet përpjekjet për të mbrojtur si kampionatet e UEFA-s, ashtu edhe ato kombëtare nga manipulimet e ndeshjeve. Kjo gjithashtu tregon besimin që KAS ka në sistemin BFDS të UEFA-s, të krijuar në bashkëpunim me Sportradar, i cili është një mjet instrumental, që ndihmon në garantimin e integritetit të konkurrencës.
BFDS u vu në zbatim në vitin 2009, si përgjigje ndaj kërcënimit në rritje të manipulimit të ndeshjeve si në aktivitetet e UEFA-s, ashtu edhe në kampionatet kombëtare europiane. Roli i tij është të vërë në dukje lëvizjet e parregullta të basteve, si para ndeshjeve, ashtu edhe gjatë tyre, në tregjet kryesore të basteve duke monitoruar të gjithë kompanitë më të mëdha të basteve në Europë dhe Azi. Tregjet kryesore të basteve janë handikapi aziatik, totalet (numri i golave në ndeshje) dhe 1X2 (fitore e ekipit vendas, barazim, fitore e ekipit udhëtues).
Monitorimi i tregjeve të basteve mbulon të gjitha ndeshjet e aktiviteteve të UEFA-s (rreth 2 mijë në sezon) dhe ndeshjet në dy kategoritë më të larta dhe kupat e vendeve anëtare të UEFA-s (rreth 30 mijë ndeshje për sezon). Monitorimi përdor algoritma të sofistikuar dhe modele aritmetike për të krahasuar koeficientat e përllogaritur me koeficientat e kompanive të basteve për të përcaktuar nëse koeficientat në një minutë specifike apo periudhë kohore janë anormale.