Klubet e Ferronikelit dhe Prishtinës nuk do të marrin pjesë këtë sezon në Kupat e Europës. Edhe pse anëtarësimi në UEFA u hapi dritën jeshile ekipeve kosovare që të përfaqësohen në arenën ndërkombëtare, duke marrë pjesë në Ligën e Kampioneve dhe në atë të Europës, dje ka mbërritur një lajm i keq nga qeveria e futbollit europian. UEFA u mohoi pjesëmarrjen në sezonin 2016-2017, duke vënë si arsyetim për këtë vendim mungesën e kushteve në stadiumet e Kosovës për organizimin e këtyre takimeve.
Duket se ky anëtarësim i FFK-së në UEFA dhe FIFA i ka kapur të papërgatitur skuadrat për organizimin e ndeshjeve europiane. Ferronikeli kampion në fuqi dhe Prishtina fituese e Kupës së Kosovës iu gëzuan më shumë anëtarësimit, por për fat të keq nuk do të kenë mundësi të përfaqësohen në Europë.
Për të shmangur përjashtimin edhe për sezonin e ardhshëm, rregullorja e UEFA-s parashikon disa kushte minimale për stadiumet. Tashmë klubet kosovare duhet të nisin punën menjëherë, në të kundërt rrezikojnë sërish ose do të detyrohen t'i luajnë ndeshjet në stadiumet e Shqipërisë.