Ngjarjet e turpshme në Marsejë, para, gjatë dhe pas ndeshjes mes Anglisë dhe Rusisë, ka detyruar UEFA-n që të mendojë masat më ekstreme të mundshme në rast të përsëritjes së huliganizmave. Ndërsa ka nisur një hetim zyrtar kundër Rusisë për sjelljen e tifozëve të saj në stadium, UEFA ka bërë të qartë se po sheh me vëmendje edhe atë që po ndodh larg stadiumeve, duke kërcënuar kombëtaret që kanë tifozë problematikë me përjashtim.
Në komunikatën e UEFA-s flitej për "pështirosjen" që ndjente Komiteti Ekzekutiv i këtij institucioni ndaj përplasjeve mes tifozerive në Marsejë. "Një sjellje e tillë e papërshtatshme nga të ashtuquajturit mbështetës të kombëtareve të Anglisë dhe Rusisë, nuk ka vend në futboll, një sport që ne duhet të mbrojmë. Komiteti Ekzekutiv ka paralajmëruar të dy Federatat se pavarësisht vendimeve të marra nga organet e pavarura disiplinore rreth incidenteve në stadim, ai nuk do të hezitojë të vendosë sanksione shtesë ndaj Federatës Angleze dhe Federatës Ruse, përfshirë edhe skualifikimin e skuadrave përkatëse nga turneu nëse një dhunë e tillë përsëritet", shkruhej në lajmërimin e UEFA-s.
Nga ana e tyre, zyrtarët e Anglisë dhe Rusisë konfirmuan se po bënin maksimumin për të evituar përplasje të tilla në të ardhmen, ndonëse do të jetë e vështirë që të kontrollojnë mijëra tifozë të të dy përfaqësueseve që kanë pushtuar Francën.