UEFA mbyll inspektimin Loro Borici cilesohet i perfunduar

UEFA mbyll inspektimin, Loro Boriçi cilësohet i përfunduar

UEFA ka bërë sot inspektimin e radhës në stadiumin "Loro Boriçi" në Shkodër, i cili do të kthehet në strehën e kombëtares shqiptare të futbollit për eliminatoret e Botërorit 2018. Zyrtarët e FSHF-së që shoqëronin delegacionin ndërkombëtar theksuan pas kësaj vizite se gjithçka ishte në rrugën e duhur dhe se impianti mund të cilësohej i përfunduar.

13555780_10209750331295500_1113011907_o

"Stadiumi ka përfunduar. Aktualisht janë duke u mobiluar ambientet e dhomave të zhveshjeve, ambientet VIP dhe të medias. Po bëhen punimet e fundit dhe në vazhdën e kësaj ka ardhur edhe një grup nga UEFA për të parë se si janë plotësuar detyrat që ata na lanë. Deri tani të tëra kërkesat e tyre janë plotësuar. Për ne stadiumi është i përfunduar, mund të ngelin zbukurimet e fundit që nuk prishin asgjë", deklaroi Arben Dervishaj, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.

Edhe këtë radhë, UEFA ka lënë disa detyra, por që kanë lidhje me ambientet jashtë stadiumit, si parkingu i autobusëve të skuadrave apo vendi ku do të qëndrojnë automjetet e transmetimeve televizive. Këto çështje duhen zgjidhur sa më shpejt në bashkëpunim me autoritetet lokale, para testit të parë të impiantit, i cili do të jetë në muajin gusht.

Sfida e parë zyrtare që do të luhet në "Loro Boriçi" do të jetë ajo e Superkupës së Shqipërisë mes Skënderbeut dhe Kukësit.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama