UEFA ka përcaktuar emrat e arbitrave që do të gjykojnë gjysmëfinalet e "Euro 2016"-ës.
Nikola Rizoli është caktuar për ndeshjen Gjermani-Francë, takim i cili do të luhet më 7 korrik në "Velodrome" të Marsejës.
Ai do të ndihmohet nga Elenito Di Liberatore, Mauro Tonolini, Daniele Orsato dhe Antonio Dmato, ndërsa arbitër i katërt do të jetë slloveni Damir Skomina.
Mediat italiane shkruajnë se me këtë vendim, Kolina, i ka mbyllur derën Rizolit për të gjykuar finalen e Europianit.
"E vështirë, për mos të thënë e pamundur që vërshëllima e italianit të dëgjohet në finalen e së dielës",-shkruan "Sportmediaset".
Në këtë europian, Rizoli ka gjykuar tre ndeshje: Angli-Rusi, Portugali-Austri dhe Francë-Irlandë.
Gjysmëfinalja tjetër mes Portugalisë dhe Uellsit do të gjykohet nga suedezi Jonas Erikson.