Mendimtari dhe esteti i artit popullor, i metodës së realizmit socialist po aq sa i modernizmit dhe dekadentizmit në artin botëror, bëri një pohim publik: Letërsia e realizmit socialist ka qenë dëshmi e një shteti diktatorial që vendoste edhe në drejtim të letërsisë. Duke dashur të japë një periodizim të letërsisë së realizmit socialist, tregoi se si filloi të krijohej një letërsi që ai do ta quante letërsi të kongreseve.
Pse? Sepse "në Kongresin e Parë të Frontit Demokratik Shqiptar, ka pasur poetë që kanë shkruar aty për aty duke dëgjuar diskutimet e këtij kongresi, një poemë të jashtëzakonshme, poemën "Enver". Realizmi socialist që mendohej i komanduar nga lart, fillon këtu." Ky fillim kishte aprovimin e shumicës dërrmuese të shkrimtarëve po edhe të kritikës ideologjike. Në tetor të vitit 1945, ishte themeluar Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë.
Në komisionin iniciator bënin pjesë Imzot Vinçens Prenushi, Sejfulla Maleshova, Aleksandër Xhuvani, Ali Asllani, Skënder Luarasi, Lasgush Poradeci, Dhimtër Pasko, Selim Shpuza, Sterio Spasse, Dhimitër Shuteriqi dhe Shefqet Musaraj. Kurse kryesia përbëhej nga Sejfullah Maleshova (kryetar), Aleksandër Xhuvani (nënkryetar), Dhimitër Shuteriqi (sekretar) dhe At Benedikt Dema, Ethem Haxhiademi, Dhimitër Pasko, Shefqet Musaraj (anëtarë). Studiuesi Bashkim Kuçuku përmendi në fjalën e tij, një origjinë jo politike të së njëjtës strukturë, Lidhja e Shkrimtarëve, të cilës i referohet Uçi.
"Lidhja jonë nuk duhet të jetë një organizatë politike siç është organizata e frontit demokratik. Ne këtu na bashkon profesioni." Kishte thënë Dhimitër Shuteriqi më 1945, autori i romanit "Çlirimtarët", që do të ishte kryetari më jetëgjatë i LSHA-së.
"Unë e mendoj kështu: duhet të flasim për historinë e letërsisë shqipe, duke pasur parasysh karakterin e saj konkret", thotë prof. Uçi. "Duhen përcaktuar fazat se kur hyri dhe si hyri realizmi socialist në letërsinë tonë.
Faza e parë, siç e thashë, është Kongresi i Parë i Frontit Demokratik me poema kongresesh politike; faza e dytë është '49-ta, Konferenca e Tretë e Lidhjes së Shkrimtarëve që përjashtoi Sejfulla Maleshovën, Skënder Luarasin dhe të tjerë; faza e tretë vjen më vonë kur u prishën marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik."
Esteti, vepra e sotme e të cilit është vlerësuar me çmime kombëtare nga Ministria e Kulturës, nuk është dakord me atë që thonë se nuk ka pasur përpjekje përpara se sa të përmbysej regjimi komunist në Shqipëri, "për të shqyrtuar në mënyrë të drejtë dhe të saktë zhvillimin e letërsisë shqipe".
Vëllimi III i Historisë së Letërsisë Shqipe, në drejtimin e Dhimitër Shuteriqit si kryeredaktor, ngeli një kohë të gjatë pa u botuar. Në vitin 1988 është paraqitur platforma e re e shkrimit në Akademinë e Shkencave.
Studiuesi tregon: "Kur u shtrua platforma e hartimit të vëllimit III me titullin Historia e Letërsisë Shqipe e Realizmit Socialist, nga viti 1944 deri më 1988, unë dhe Ismail Kadareja e patëm kundërshtuar në mbledhjen e Seksionit të Shkencave Shoqërore të Akademisë së Shkencave, këtu në këtë vend.
Thamë, unë thashë që nuk është e vërtetë që çdo vepër letrare që është krijuar në këto kohë, është medoemos e realizmit socialist. Ne kemi vepra që janë të realizmit socialist, por kemi dhe vepra që nuk kanë emrin e realizmit socialist. Veç kësaj, Ismail Kadareja propozoi që të mos ketë më tekste zyrtare, sepse ai tekst ishte i detyrueshëm për shkollat e larta në atë kohë.
Ai kërkoi tekste të bëra nga autorë të veçantë që të mbajnë dhe përgjegjësi. Megjithatë përsëri u pranua platforma që të mbetej si një histori e realizmit socialist."
I ndërprerë disa herë nga të qeshurat e sallës, nga reagimet që shkaktonin te bashkëkohës më të vjetër të estetit deklaratat e tij, që saç kanë sinqeritet në një rast aq bien në kundërthënie me veprën e tij të dikurshme, akademiku këmbënguli të thotë se përpjekjet aktuale për të riparë prodhimin letrar të shkruar më 1945-1990, nuk është e vetmja: "Mbas rënies së regjimit komunist, për të dytën herë është ngritur në Akademinë e Shkencave ky problem, por përsëri u ngulmua që të botohej si Histori e Realizmit Socialist. Kurse këtë radhë unë kam propozuar që të quhej Histori e Letërsisë Kombëtare. Sepse kam ngulur këmbë që të përfshihej dhe letërsia e shqiptarëve të Kosovës që ishte letërsi me një dinjitet të madh, por edhe kjo u hodh poshtë."
Këto ishin fjalët e fundit të prof. Uçit.
Organizatorët, pedagogë, të Departamentit të Letërsisë, Univerisiteti i Tiranës, bënë disa konkluzione për studentët e Letërsisë: Megjithë kontrollin dhe censurën, letërsia shqipe gjeti shteg dhe mbijetoi; soc-realizmi nuk ishte në gjendje të prodhojë një art të madh, përveçse krijesa artificiale, etatiste; veprat me vlerë që na vijnë nga kjo kohë, janë falë talentit të shkrimtarit që iu shmangën normës së realizmit socialist; vepra si të Ismail Kadaresë, Fatos Arapit, Sabri Godos, Vath Koreshit, Zija Çelës, Bardhyl Londos, Mimoza Ahmetit, jo vetëm nuk rezultonin të realizmit socialist, por e sulmojnë estetikën e asaj metode e cila ka ushtruar një trysni shformuese e tjetërsuese të vazhdueshme; realiteti shqiptar ku ka vepruar kjo metodë nuk ka qenë krejtësisht pasiv, madje ka qenë aktiv dhe kundërshtues ndaj metodës.
Pa një interpretim të plotë të kësaj periudhe s'mund të ketë histori të letërsisë shqipe të shekullit të njëzetë. Dëgjuam teza interesante, qëndrime të kundërta. Por sfida më e rëndësishme është që po arrihet të thyhet heshtja, droja për vlerësimin e asaj letërsie. Fjalët e stafetës drejtuar të rinjve ishin: "Ne e hëngrëm çairin. Aq dinim dikur, aq informacion kishim. Tani vazhdojeni ju."