Koreja e Veriut ka ekzekutuar Jang Song Thaek, xhaxhain e udhëheqësit Kim Jong Un, i cili deri kohët e fundit ishte personi numër dy në këtë vend komunist dhe konsiderohej si një ndër këshilltarët kryesorë të zotit Kim. Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve thotë se Jang u ekzekutua dje pasi u shpall fajtor nga një gjykatë speciale ushtarake. Po sipas njoftimit të agjencisë, Jang, i cili u arrestua të dielën, akuzohej për korrupsion, imoralitet, alkoolizëm dhe marrje droge.
Artikulli i agjencisë së lajmeve e cilëson si tradhtar i kombit, i cili infiltroi fraksione anti-parti, anti-revolucionare në përpjekje për të rrëzuar nga pushteti udhëheqjen e partisë dhe shtetit. Po ashtu artikulli i referohet atij me termin fundërrinë njerëzore dhe më i ulët se një qen. Jang u mënjanua nga poste me influencë vite më parë, kur për një periudhë të gjatë u zhduk nga skena politike, por më pas u kthye në një post të rëndësishëm para tranzicionit të pushtetit.
Nuk ka njoftime mbi fatin e bashkëshortes së tij, Kim Kyong Hui, e cila është halla e diktatorit Kim Jong Un dhe motra e vogël e ish-udhëheqësit Kim Jong Il. Ajo shihej si person shumë me influencë mbi nipin e saj, pas vdekjes së të vëllait dy vjet më parë. Departamenti i Shtetit tha se ishte e pamundur të konfirmohej njoftimi për ekzekutimin e zotit Jang. Por zëdhënësja Marie Harf shtoi se nuk ka arsye të vihet në dyshim njoftimi dhe nëse vërtetohet, ky është një shembull tjetër i brutalitetit ekstrem të regjimit koreano-verior.