Por së fundmi, ai nuk i ka mbijetuar dot realitetit të ashpër të shëndetit të tij të brishtë. Prandaj, të martën, ai njoftoi se nuk do të pranonte emërimin për një mandat tjetër pesë-vjeçar si president. Por pushteti do të mbetet brenda familjes gjithsesi. Vëllai i tij, Raul Castro do t'i zëre vendin për të vazhduar sagën e Kastrove në krye të Kubës.
Dëshira ime ka qenë gjithnjë që të përmbush përgjegjësitë e mia deri sa të kem frymë." Me këtë frazë, Fidel Kastro sugjeron se do të kishte dashur ta mbante pushtetin deri në fund. Por mesazhi qendror i letrës së publikuar të martën në mëngjes në gazetën zyrtare të Kubës "Granmba", ishte se shëndeti i dobësuar po e detyronte të hiqte dorë zyrtarisht nga pushteti. "Bashkatdhetarëve të mi... u them se unë nuk aspiroj e as do të pranoj - e përsëris, unë nuk aspiroj dhe as do të pranoj - detyrën e presidentit apo të komandantit të Përgjithshëm", shkruante ai. Dorëheqja e tij, disa ditë përpara asamblesë kombëtare të Kobës për votimin e liderit të ri, i jep fund pothuajse gjysmë shekullit të udhëheqjes së tij.
Por dorëheqja e Kastros a nënkupton një ndryshim real? Pasi u sëmur rëndë para 19 muajsh, Fidel Kastro ia dorëzoi përkohësisht pushtetin vëllait të tij 76-vjeçar, Raulit, i cili pritet të emërohet tashmë presidentit i Këshillit të Shtetit, kur asambleja të votojë më 24 shkurt. Me lidhjet e tij të ngushta me ushtrinë kubane, Rauli ka dhënë prova deri tani si një udhëheqës i qëndrueshëm. "Rauli ka propozuar ndryshime, por asgjë s'është bërë. Fideli është gjithnjë aty duke e monitoruar e duke mbikëqyrur", shprehet Luis Manuel Garcia, shefi i revistës "Encuentros", e cila shqyrton çështjet kubane. "Ai ka shërbyer si kundërpeshë e vëllait të tij. Fideli do të vazhdojë të jetë gardiani i kësaj ortodoksie. Ai do vazhdojë të bllokojë çdo ndryshim të mundshëm".
Edhe pse ekspertë si Garcia e shohin Raulin në mënyrë të natyrshme si një lider më të hapur, pjesa më e madhe e ndryshimeve do të varet në faktin sa gjatë do të jetojë Kastro. "Ai vetë, mendoj se mund të dojë të bëjë ca reforma të ndrojtura në ekonomi, ca hapa të ndrojtur drejt hapjes së vendit. Raul është më i ndërgjegjshëm se shoqëria kubane sot është në gjendje totale paralize", shprehet Garcia.
Por një person që i njeh të dy vëllezërit personalisht, dyshon se edhe pasi të ikë Fideli, Rauli do të iniciojë ndryshimin. Idamis Menendez, ish-dhëndrri i Raulit, i cili jeton në Barcelonë prej vitit 2001 dhe s'i lejohet të kthehet në Kubë shprehet: "Rauli mendon shumë ndryshe nga Fideli. Por ai ka jetuar gjithë jetën nën hijen e të vëllait dhe ministrat e çdokush tjetër në qeveri janë të njëjtët. Rauli nuk do bëjë asgjë që do të rrezikonte interesat e tij". Mbase. Por ama, RAulit do t'i duhet t'i duhet të përballet me pritshmëritë ndaj reformave që vijnë nga kubanët e rinj. Dhe në fund, atij mund të mos i mbetet zgjidhje tjetër, përveçse t'u japë udhë këtyre reforma, të cilat mund të jenë lajm i mirë për Kubën.
Fidel Kastro
¨ Fidel Kastro lindi në vitin 1926 në një familje të pasur fermerësh të kallamit të sheqerit.
¨ Babai i tij u martua me të ëmën e Fidelit, kur ai ishte 15 vjeç dhe e njohur atë ligjërisht kur ai ishte 17 vjeç. Kjo bëri që kur ishte fëmijë ai të bëhej objekt talljeje nga fëmijët e tjerë.
¨ Ai u shkollua në shkolla private katolike dhe shkollën e mesme u mbaroi në "El Colegio de Belen" në Havanë.
¨ Në fund të vitit 1945 Kastro u regjistrua në universitetin e Havanës, ku studioi për Drejtësi. Aty ai u mbrujt me kulturën politike të universitetit, e cila ishte reflektim i politikave të paqëndrueshme të Kubës në atë kohë.
¨ Në vitin 1956 Kastro dhe rreth 80 guerilas të tjerë u kthyen në Kubë nga Meksika, ku ishin në azil me anije ku filluan sulmet kundër qeverisë dhe ngritën grupet e tyre nga kampi në malet Sierra Maestra.
¨ Më në fund Kastro mori pushtetin në Kubë ditën e viti të ri në 1959, pasi rrëzoi Fulxhencio Batistan.
¨ Në vitin 1961, Kastro udhëhoqi trupat kundër 1800 emigrantëve kubanë. Emigrantët mbështeteshin nga CIA e cila u vendos në Gjirin e Derrave për rrëzimin e qeverisë së Kastros.
¨ Një ndër provat më të mëdha për Kastron ishte në vitin 1962 kur presidenti Kenedi e paralajmëroi atë se do të hiqte raketat sovjetike nga Kuba
¨ Pas një operacioni në zorrë në vitin 2006, ai ia dorëzoi drejtimin vëllait të tij Raul. Pastaj bëri një prej daljeve të tij shumë të rralla publike, para së të hiqte dorë nga pushteti.
Raul Kastro
¨ Raul Kastro lindi më 3 qershor 1931 në një familje pasur fermerësh të kallamit të sheqerit.
¨ Ai ndoqi akademinë ushtarake "Riverside" dhe shkëlqeu në rezultate. Ashtu si Fideli, edhe ai ndoqi shkollën jezuite "Colegio Dolores" në Santiago dhe "Colegio de Belen" në Havanë. Ai studioi shkencat shoqërore.
¨ Raul ishte një socialist i përkushtuar dhe iu bashkua Rinisë Socialiste, një degë e partisë Komuniste kubane me prirje sovjetike.
¨ Të dy vëllezërit ishin pjesëmarrës aktivë në disa protesta të dhunshme të studentëve. Në vitin 1953 Rauli ishte anëtar i Lëvizjes së Korrikut dhe kaloi 22 muaj në burg.
¨ Gjatë azilit të tij në Meksikë ai mori pjesë në përgatitjen e ekspeditës së anijes "Granma" e cila u nis për Kubë më 2 dhjetor 1956.
¨ Gjatë qëndrimit të tij në Meksikë, Rauli u miqësua me Ernesto "Che) Guevaran dhe e futi atë në rrethin e revolucionarëve të Kastros.
¨ Ai ishte përgjegjës për mbikëqyrjen e ekzekutimit të "borxheve" të ushtarëve besnikë të liderit të rrëzuar Fulxhencio Batista.
¨ Sipas ekspertëve, Rauli e ka bindur vëllain e tij të madh Fidelin, që të implementonte reformat e tregut bujqësor në fillim të viteve '90.
¨ Më 31 korrik 2006, sekretari personal i Fidel Kastros njoftoi në televizionin shtetëror se lideri do t'ia dorëzonte përkohësisht detyrat e tij si president, Sekretarit të Parë të Partisë Komuniste, Raul Kastros, për shkaqe shëndetësore.
¨ Rauli konsiderohet më pak karizmatik se i vëllai dhe ka qëndruar jashtë vëmendjes së publikut për një kohë të gjatë.
Udhëheqja e Fidel Kastros në shifra
81
Mosha e Fidel Kastros (lindur më 13 gusht, 1926
32
Mosha e Kastros, kur rrëzoi Batistan në vitin 1959. Kastro u betua si kryeministër po atë vit.
49
Numri i viteve që Kastro ka qëndruar në pushtet.
10
Numri i presidentëve amerikanë që kanë qëndruar në detyrë gjatë kohës që Kastro ruante rolin e udhëheqësit të vendit.
1985
Viti, në të cilin Castro hoqi dorë nga cigaret e tij të preferuara “Cohiba”.
1995
Viti, në të cilin Kastro vizitoi Kinën për herë të parë.
638
Është numri i tentativave për vrasjen e Fidel Kastros.
11,394,043
Numri i popullsisë në Kubë, për të cilën pretendohet se është krejtësisht e mbuluar nga sigurimet shëndetësore.
5000
Numri i “turistëve mjekësorë” që udhëtojnë çdo vit drejt Kubës për shërbime shëndetësore, që nga kirurgjia plastike e deri tek skleroza.
20 milionë USD
Është shumë që i sjell turizmi mjekësor Kubës çdo vit.
80,000
Është numri i të burgosurve politikë që janë mbajtur në burgjet kubane nga 1958-1978.
600
Numri i të burgosurve në vitin 1978, të cilët u dënuan se u përpoqën të largohen nga Kuba në mënyrë ilegale.
234
Numri i të burgosurve politikë që ndodheshin në burgjet e Kubës deri në fund të vitit 2007.
125,000
Numri i refugjatëve që u larguan nga Kuba drejt SHBA në barkën “Mariel”, në vitin 1980.
522
Numri i refugjatëve kubanë të kapur në det nga rojet bregdetare amerikane në vitin 1993.
Blendina Cara : Gazeta TiranaObserver