Ka nga ata urbanë që janë aq të mbingarkuar sa nëse nuk ka njerëz për të zbritur në stacion nuk ndalojnë. Madje mund të kalojnë dy-tri autobusë e të mos ndalojë asnjë; sepse nuk ka vend. Teksa pret në stacion dëgjon njerëz që me zë të lartë shpresojnë që autobusi i radhës të jetë nga "ata të mëdhenjtë, firzamonikë" në mënyrë që të ketë vend, për të 50 apo më shumë qytetarët që presin në stacion.
Në tabelën informuese mbi oraret e autobusëve shkruhet se gjatë intervalit mes orës 05:00 dhe 09:00 autobusët duhet të jenë në stacione çdo gjashtë minuta, orar ky që shumë pak zbatohet. Në mëngjes për të kapur autobusin duhet të presë në stacion së paku 10 minuta për urbanin e radhës. Dhe kur vjen duhet të jesh pakëz me fat që të gjesh vend e të mos shtypesh mes njerëzve.
Ndonëse në dyert e të gjithë autobusëve (të rinj apo të vjetër) janë vendosur tabela ku shkruhet qartësisht hyrje dhe dalje, askush nuk e zbaton këtë kod të thjeshtë udhëtimi. Qytetarët hyjnë dhe zbresin në të njëjtën derë.
Të zbresësh nga autobusi është po aq e vështirë sa edhe të hipësh, turma e njerëzve që pret kushedi prej sa kohe në stacion përpiqet të hipë sa më shpejt për të zënë një vend, ndonëse fatorinoja vazhdon të thërrasë që të presin, pasi ka ende udhëtarë në fund të autobusit që duhet të zbresin. Por kush e dëgjon atë? Më në fund udhëtarët hipin dhe mbyllet dera e autobusit. Ky është stacioni në "Rrugën e Elbasanit", përpara janë edhe 24 stacione të tjera.
Është vonë dhe duhet respektuar orari i punës. Të ngjeshur mes njëri-tjetrit qytetarët shtrëngojnë dhëmbët duke shpresuar se kjo është hera e fundit që udhëtojnë në të tilla kushte. Ka prej tyre që janë nervozuar nga pritja e autobusit dhe i bërtasin shoferit që të nxitojë, pa vënë re se përpara autobusit është një varg i madh me automjete dhe trafiku është i rënduar.
Pasi kanë përfunduar edhe shkëmbimet e fjalëve, shofer- qytetar autobusi fillon të lëviz. Këtu fillon një tjetër torturë: pagesa e biletës. Të ngjeshur sa s'ka ku të shkojë më tepër (autobusi fatmirësisht arrin të mbajë trefishin e pasagjerëve të parashikuar), fillojnë të nxjerrin lekët për biletën, abonetë ose dokumentet e tjera të udhëtimit. Situata rëndohet edhe më tej kur fatorinoja duhet të trokasë në supin e çdo pasagjeri për lekët.
Në këtë moment turma brenda autobusit shtyhet edhe më duke krijuar një pamje të denjë për një film horror. Duhet bërë pak vend që të kalojë kontrollori. Kjo situatë vazhdon për gati gjashtë stacione.
Autobusi ka mbërritur në stacionin pranë Tregut Industrial, ku edhe zbret një pjesë e mirë e udhëtarëve. Duket sikur atmosfera lirohet paksa, por jo. Një tjetër turmë e madhe pret për të hipur në urban, madje më e madhe nga ajo që sapo zbriti. Dhe duket sikur përsëritet i njëjti film. Edhe këtu ka pasagjerë të nervozuar nga pritja, që i drejtohen shoferi me tone negative. Përsëri kalvari i mbledhjes së lekëve, dhe përsëri një tjetër stacion ku zbresin shumë njerëz. Është ora 08:15 dhe autobusi ka ndaluar në zonën e "Zogut të zi". Zbret edhe një tjetër pjesë e madhe e pasagjerëve. Më në fund pakëz hapësirë. Por jo për shumë pas një stacioni urbani mbushet përsëri, është pranë kryqëzimit të "21 dhjetorit" dhe një tjetër turmë njerëzish po pret në stacion.
Në muret e autobusëve shkruhet që grave shtatzëna apo të moshuarve duhet t'u lirohet vendi, por a mund të ngrihet kush nga ndenjësja për mirësjellje dhe të shtrëngohet në mes të njerëzve! Diku mes segmentit pranë shkollës "Vasil Shanto" dhe pallateve "Agimi" dëgjohet një dialog. Një e moshuar kërkon me ngulm t'i lirohet ndenjësja, në të cilën është ulur një djalë i ri. Pavarësisht moshës së thyer është e moshuara ajo që nuk i kursen fyerjet, "brez i paedukatë" apo "fëmijë të ligj". A thua se në Shqipëri ka një ligj që të gjobit në rast se nuk i lëshon vendin në autobus një të moshuari.
Por pavarësisht sjelljes së saj e moshuara arrin të fitojë vendin për t'u ulur. Djali i "paedukatë" u ngrit, madje pa i thënë as edhe një fjalë. Ndërkohë autobusi ka mbërritur në stacionin në "Rrugën e Elbasanit". Kanë kaluar plotë 105 minuta që kur ai u nis nga po ky stacion.
Ka një rregullore që shoferë duhet të zbatojnë. Janë orare standarde, fikse që jo vetëm janë të afishuara në çdo dispeçeri, por çdo shofer kur merr turnin merr edhe një fletë me oraret që duhet të zbatojë. Kështu nisja e autobusit të parë të unazës në mëngjes bëhet në orën 05:00, në stacionin pranë rrugës "Don Bosko". Ai duhet të përshkojë të 25 stacionet e linjës për 30 minuta.
Pasi sipas tabelës së orarit duhet të jetë sërish në këtë stacion në orën 06:30! Tabela e orareve zgjerohet çdo orë me 10 minuta. P.sh. Gjatë intervalit mes orës 06:00 dhe 07:00 një autobus duhet të kryejë udhëtimin e plotë për 45 minuta. Ndërsa në pikun e lëvizjes, gjatë orëve 07:00 deri në 14:00 cikli i plotë i rrotullimit në unazë duhet të bëhet për 50 minuta! Një rrugë kjo që në kohën më të mirë mund të kryhet për 60 minuta.
Ata që e pësojnë në këtë mes janë shoferët e autobusëve, të cilët gjobiten për çdo vonesë. pranë tabelës së orareve shoferi ka vendosur një tjetër letër. Janë disa mbledhje dhe zbritje matematike, që për të kanë shuam kuptim. Është rroga mujore e tij 32 mijë lek, nga e cila është zbritur vlera e gjobës se vonesave për muajin e kaluar. Plotë 4 mijë lek. "Sot kam dalë që në pesë të mëngjesit dhe do ta mbyll punën në orën 5 pasdite. Por çfarë vlere ka, lekët e orëve shtesë gjithsesi do të na i mbajnë në fund të muajit, si gjobë për vonesat,"- thotë ai teksa ndalon në stacionin e radhës të mbushur plotë me njerëz. "Përse nuk i shtoni këto urbanët" e pyet një i moshuar që sapo ka hyrë në autobus, "Kemi 15 minuta që presim në stacion". "Nuk e di xhaxho" i përgjigjet fatorino "Atë e di vetëm Bashkia dhe pronarët e autobusëve".
Pak kohë më parë kur prezantoi projektin për transportin multimodal dhe korsitë e dedikuara për lëvizjen e automjeteve të transportit publik, Bashkia e Tiranës njoftoi se në një të ardhme të afërt nuk do të kishte më fatorino pasi në autobusë do të përdorej bileta elektronike. Por si mund të realizohet një gjë e tillë kur udhëtarët vazhdojnë të hipin aty ku lexon dalje dhe të dalin aty ku lexon hyrje? Në pranverën e vitit që lamë pas, linja e unazës ishte e para që hodhi në qarkullim autobusët e rinj, me kushte komode (kondicioner). Veç kësaj, fatorinot morën një tjetër rol. Ata nisën të disiplinonin qytetarët, duke qëndruar vetë tek dalja e autobusit për të mos lejuar hyrjen e pasagjerëve. Por kjo nismë e tyre zgjati fare pak. Rutina e udhëtimin me urban u kthye në origjinë: hipet në të gjitha dyert dhe zbritet po në të gjitha dyert.
Paradoksi i një udhëtimi brenda qytetit qëndron mes vonesës se autobusëve dhe zvarritjes së tyre në rrugë. Qytetarë, të cilët nxitojnë për në punët e tyre shpesh hapen me shoferët edhe për shpejtësinë e autobusit, pasi shoferi e merr me ngé rrugën. E ndodh që kur semafori është jeshil shoferi pret që të ndizet ngjyra e kuqe. Duke qenë se Unaza është një nga linjat më të mbingarkuara të transportit publik të kryeqytetit aty gjenden edhe problemet më të shumta.
Një grup qytetarësh ka paralajmëruar se do të dërgojë një peticion pranë Bashkisë së Kryeqytetit, ku do të kërkojnë përmirësimin e kushteve të udhëtimit në urban. "Nuk mjafton cirku i aboneve, mungesa e higjienës në autobusë e të tjera probleme, por duhet të shtohen dhe vonesat gjatë rrugës. Kjo është patolerueshme. Ne do të mbledhim firmat dhe do të shkojmë në Bashki", - thotë Bardhi, një 45-vjeçar që përdor çdo ditë linjën e unazës për të shkuar në punë. Në këtë mënyrë, Bashkia e kryeqytetit për herë të parë do të vihet përballë një ankese zyrtare nga ana e qytetarëve.