Udhetim ne Ulqin

Udhetim ne Ulqin
Me Ulqinin dashurohesh me shikim të parë, natyra pothuajse e paprekur dhe deti i kthjellët i Adratikut, lë gjurmë në sytë e gjithsecilit. Hyrja në qytet, nga vendasit, quhet e jashtëzakonshme. Me këtë ndjesi, Riviera, Ulqini i Vjetër dhe plazhet e tij, bëjnë për vete turistët që befasohen nga ai në dimër dhe në verë.

“Fatin e Ulqinit do ta ndaja me Shkodrën, të dy qytetet janë lënë në harresë. Në vend që të ecin përpara, kanë bërë hapa mbrapa”, shprehet Gëzim Hajdinaga, kryetari i komunës.

Qyteti mesjetar është pushtuar nga shumë kultura, secila prej tyre ka lënë gjurmët e veta deri në kohët e sotme. Kjo vihet re nga arkitektura dhe jeta e rrugicave të Ulqinit. Qyteti i sotëm është gërshetim i këtyre kulturave, ndërsa historianët janë ciceronët e pashoq të atyre periudhave që përcjellin çfarë ka ndodhur dhjetra e qindra vjet më parë, që pak e gjejmë të shkruar në arkivat tanë. Njëra prej tyre lidhet me autorin e “Don Kishotit”, shkrimtarin e famshëm spanjoll Migel Servantes. “Një nga legjendat e Ulqinit është ajo e Servantesit. Ai e shkroi një pjesë të Don Kishotit në Ulqin. Gjithashtu u dashurua me një vendase dhe këtë e përmend vetë ai”, tregon historiani Bahri Brisku.

Kjo është ura mbi Bunë, që lidh Adën me Plazhin e Madh. Përgjatë lumit ngrihen “kasolle druri” me rrjeta peshkimi të çuditshme. Nëpër guidat turistike i gjejmë me emrin “Kalimera”. Këto objekte të ngjashme me ato të Lindjes së Largët e shndërrojnë “mbi-lumin” në një vend ekzotik.

Disa kilomtera në jug të Ulqinit gjendet Plazhi i Madh, i tipit ranor. Shtrihet në një gjatësi prej 13 kilometrash, përgjatë lumit Buna. Kjo hapësirë vazhdon deri tek plazhi i Adës. Në gjuhën malazeze quhet “Velika shesh”, është burimi më i vlefshëm i rivierës së Ulqinit dhe rripi më i gjatë bregdetar në Malin e Zi, për të cilin krenohen ulqinakët. Plazhin e vogël, shumë popullor për vendasit, e gjejmë brenda në qytet. Ai ka nisur të frekuentohet në këto ditë prilli.

Treva shquhet për pasurinë e dritës dhe nxehtësisë. Dimri i butë dhe pranvera e hershme, me restorantet romantike, dyqanet e vogla dhe objektet e kultit e bëjnë atë një qendër të ndryshueshme. Kapaciteti i përvitshëm i Ulqinit, në sektorin privat dhe atë shtetëror, arrin deri në 30 mijë shtretër.

Ulqini përpiqet me “sforco” të ruajë imazhin e dikurshëm. Nga viti në vit autoritetet vendore thonë se synojnë zgjatjen e sezonit veror me diversitet në përmbajtje, nga turizmi masovik tek eko-turizmi.

“Kemi turistë më shumë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Vitin e kaluar ka pasur edhe turistë që kanë ardhur nga Bosnja dhe Serbia. Gjithashtu ka patur edhe më shumë rusë, çekë etj.”, tregon Ali Rexha, Drejtor i Organizatës Turistike.

Edhe pse i pazbuluar nga shumë udhëtarë, vizitorët e rregullt nuk arrijnë të kuptojnë shndërrimin e Ulqinit. Mehmet Aloja, piktor i peizazhit, që njihet në qytet për riprodhimin e natyrës në mënyrë artistike, falë ngacmimit të shqisave të tij, tregon për transformimin e pjesshëm të Ulqinit nga zhvillimet e pakontrolluara urbane.

“Të vjen keq që një pjesë e qytetit është shkatërruar. Organet kompetente duhet të bënin më shumë për ta ruajtur. Është ruajtur kalaja e vjetër, por zhvillimet urbane kanë zhdukur krojet”, shprehet Aloja.

Ulqini, qyteti i 26.000 banorëve, me përkatësi multietnike, në verë pesëfishohet. Ulqinakët nuk jetojnë vetëm në sajë të turizmit. Kultura tipike e kësaj treve është ulliri. Në shkrimet e ndryshme cilësohet “druri i dashurisë”. Në periferi të tij gjendet ullishtja më e madhe në vend, me drurë qindravjeçarë. Kurora e tij me 80 mijë rrënjë i ndihmon ulqinakët në të ardhurat dytësore.

Qytet i historisë së bujshme, është pasuruar pas çdo pushtimi pa humbur origjinalitetin e tij. Në dallim nga Shkodra, Ulqini e ruan traditën e zakonit dhe këngës.

Specialitetet e kuzhinës së Ulqinit janë të pasura, peshku përgatitet në shumë mënyra, prodhimet e detit gjithashtu, njihet “Tava e Ulqinit” që ngjason shumë me atë të Durrësit, bamjet, ushqimi më i vjetër i kësaj treve, tespixhat, një ëmbëlsirë e ngjashme me bakllavanë e Shqipërisë dhe “Lule Shege”, një tjetër specialitet autokton.

Ulqini që lëviz mes legjendës dhe së sotmes bëhet gati për sezonin e ri turistik. Është periudha kur qyteti dhe ulqinakët jetojnë 24 orë në 24. Në këtë atmosferë përgatitjesh, i zoti i shtëpisë Gëzim Hajdinaga bën ftesën e rradhës: “Them që turistët 5 ditë duhet të shkojnë në Shqipëri dhe 10 ditë në Ulqin.”

Një verë tjetër rraskapitëse e pret qytetin e bukur. Nga ky sezon i ri, qytetin e vjetër e ndajnë vetëm dy ditë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama