Pas ndeshjes së parë të Ligës së Europës me Kairat Almati, skuadra durrsake është lënë pushim të premten. Trajneri Ahmataj dhe stafi i tij kanë preferuar ta lënë pushim ekipin që të rikuperojnë energjitë që harxhuan ndaj kazakëve. Edhe pse zhvilluan një ndeshje të mirë, humbja ishte e paevitueshme. Durrsakët do të qëndrojnë deri të hënën në Durrës, më pas do të nisen drejt Kazakistanit për ndeshjen e dytë, të cilën do ta luajnë më 7 korrik.
"Djemtë e detit" i pret një udhëtim i gjatë dhe i lodhshëm. Atyre u duhen pothuajse 24 orë që të arrijnë në stadiumin ku do të zhvillojnë ndeshjen. Skuadra do të niset të hënën, ora 11:00 nga Tirana, tranzit drejt Turqisë e më pas do t'i drejtohet Kazakistanit, ku do të zhvillojë dy seanca. Një udhëtim sfilitës, pasi shorti e vuri përballë një ekipi me një largësi gjeografike, ku i duhet që të përshkruajë një udhëtim gati njëditor.
Sikur të mos mjaftojnë orët e gjata të udhëtimit, Teutës i duhet të përballet me një tjetër problem që është ndryshimi i orarit. Shqipëria me Kazakistanin kanë një ndryshim orari, prej tri orësh. Skuadra durrsake do të udhëtojë me të gjithë lojtarët që ka në dispozicion drejt Kazakistanit. Së bashku me ekipin do të jenë të pranishëm dhe drejtuesit e klubit, të cilët do të mbështesin ekipin e tyre në këtë përballje.
Teutën e pret një ndeshje e fortë ndaj një kundërshtari me lojtarë cilësorë, por edhe përballë një tifozërie të zjarrtë. Durrsakët nuk e shfrytëzuan faktorin fushë dhe është për të ardhur keq që në një ndeshje aq të rëndësishme tifozëria mungoi.
J.Rexhmati