Prej shekujsh, dilema mes të shpenzuarit dhe kursyerit, apo nëse paratë sjellin apo jo lumturinë, ka qenë në qendër të vëmendjes të psikologëve dhe sociologëve. Gjithsesi disa sekrete të vogla për të qenë më të qetë me ato çka blejmë, ekzistojnë. Guida e fundit për të shpenzuar në mënyrë të suksesshme ka dalë në “Journal of Consumer Psychology 1”, ku renditen tetë rregulla kur të bërit pazar na jep kënaqësi dhe na bën të ndihemi mirë. Sekreti? Të synosh tek eksperiencat se sa te të mirat materiale, duke menduar pak edhe për të tjerët.
Në fillim përvojat, pastaj të tjerat...
Sipas guidës, të realizuar nga studiuesit e “University of British Columbia”, të “Harvard University” apo të “University of Virginia”, në pikën e parë thuhet se i duhet dhënë më shumë privilegj eksperiencave se sa të mirave materiale. “Arsyeja është shumë e thjeshtë. Priremi të mësohemi me gjërat më shpejt se sa ndodh me eksperiencat”, shpjegon Elizabeth W. Dunn. Sipas kërkueses, eksperte në tema si lumturia, vetënjohja, apo afeksioni, “blerja” e përvojave si udhëtimet, një kurs kuzhine ka avantazhe më të mira dhe më të mëdha për organizmin se sa një parket druri qershie apo një shishe e shtrenjtë vere. Edhe shifrat e konfirmojnë më së miri atë çka ajo thotë: në një kampion prej më shumë se 1.000 amerikanësh, rreth 60 për qind ka pranuar se ka marrë më shumë kënaqësi nga një gjë e jetuar se sa një gjë e poseduar.
“Me të ashtuquajturat blerjet e eksperiencave vihet në punë edhe mekanizmi mendor. Me mendjen tonë i kthehemi më shpejt një koncerti apo një ekskursioni ku kemi qenë se sa një palë këpucëve që kemi blerë. Nga ana tjetër eksperiencat janë shumë të lidhura me identitetin tonë dhe kohën që kalojmë me të tjerët, që në fund të fundit janë burimi më i madh i gëzimit tonë.
Mendo për të tjerët, se sa për veten
Jo rastësisht, pika e dytë i dedikohet shpenzimeve që bëjmë për të tjerët, në kuptimin e dhuratave që u bëjmë njerëzve tanë të dashur apo bamirësitë e ndryshme. Sipas Daniel T. Gilbert, psikolog në Harvard dhe autor i studimit bashkë me Dunn dhe Timothy D. Wilson, cilësia e marrëdhënieve tona ka rol thelbësor për të përcaktuar mirëqenien tonë. Një studim i bërë në vitin 2008, pikërisht nga Dunn dhe kolegët e tij tregon se si shpenzimet sociale (dhuratat dhe donacionet) lidhen me një shkallë më të lartë kënaqësie dhe lumturie.
Fenomeni, mbështesin studiuesit, gjen mbështetje edhe në nivelin e neuroneve. Në një tjetër studim, disa pjesëmarrës iu nënshtruan rezonancës magnetike funksionale: nga analiza doli se vendimi për të dhuruar para të shkaktonte kënaqësi shumë të madhe. “Për sa banale mund të jetë, jemi qeniet më sociale të planetit tonë: ndoshta është i vërtetë problemi se nuk jemi në gjendje ta pranojmë se lumturia jonë varet nga të tjerët”, sugjerojnë studiuesit.
Më mirë kënaqësi të vogla
Sipas studiuesve, më mirë se sa të blesh gjëra të shtrenjta dhe luksoze shumë rrallë, duhen blerë gjëra të vogla dhe shumë shpesh. “Tendenca për t’u mësuar me gjërat është njëlloj si vdekja. E kemi frikë, e luftojmë, por në fund humbasim gjithmonë. “Të hash 12 biskota nuk jep dy herë më shumë kënaqësi se sa të hash 6”.
Besoni këshillat e të tjerëve
Parimi i fundit tregon për rëndësinë e të tjerëve dhe konsumit social. “Shpeshherë, shpenzimet që mund të na bëjnë më të lumtur janë ato që kanë bërë më të lumtur edhe ata para nesh”, shpjegon Dunn dhe kolegët. Nga kjo pikëpamje, interneti është sigurisht një ndihmesë e madhe, por jo aq sa të jenë këshillat e personave që na duan të mirën.
Blini online
Miliona njerëz në të gjithë botën e dinë tashmë se për të blerë veshje dhe aksesorë nuk është e nevojshme të dalësh dyqan më dyqan. Mjafton një klikim në pushimin e drekës, apo një “prekje” në “iPad”. Ja përse firmat më të mëdha kujdesen gjithmonë e më shumë për butikët e tyre virtualë… “8 milionë vizitorë në muaj. 717 mijë porosi të kryera. Një blerje për çdo 22 sekonda. Këto janë të dhënat që kanë dalë për blerjet online në gjashtë muajt e parë të 2010-s nga grupi ‘Yoox’, perandoria që kontrollon ‘yoox.com’ dhe ‘thecorner.com’, ku përfshihen më shumë se 23 faqe interneti të stilistëve të famshëm ndërkombëtarë. Një faturë globale prej 152 milionë eurosh (më 31 dhjetor të vitit 2009) dhe më shumë se 2 milionë pako që dërgohen në vit”, tregojnë studiuesit, janë të mjaftueshme për të treguar se blerjet online na shijojnë më shumë dhe na kursejnë kohë.