Udhetimet e fshehta te bombes berthamore

Udhëtimet e fshehta të bombës bërthamore
"Nuk është shumë e vështirë për t‘i ndërtuar. Shumë shpejt do të bëhen universale nëse njerëzit do ta duan një gjë të tillë", deklaroi ai para disa kolegëve të tij të projektit "Manhattan" në Los Alamos të New Mexico. Një ndërgjegjësim i tillë, që lindi pikërisht në vendlindjen e vetë bombës, u rrit e u shndërrua në një teori pashmangshmërie teknologjike. Sipas kësaj teorie, duke qenë se ligjet e fizikës janë universale, bëhej fjalë vetëm për çështje kohe, derisa mendje të tjera të ndritura dhe shtete të tjera të vendosura t‘i shtoheshin klubit fillimisht elitar të vendeve që kishin bombën. Përpjekja për të ndalur përhapjen e saj ishte shumë e vështirë, për të mos thënë e kotë.

Për 6-dhjetëvjeçarë që nga paralajmërimi i Openheimerit, ky klub ka aktualisht 9 anëtarë. Por si mund të ngadalësohej shtimi i këtij numri dhe mbi të gjitha a mund të bëhet diçka për ta reduktuar atë? A ekziston ndonjë shans për një ardhmëri atomike që të jetë më e shndritshme se ajo e parashikuar nga Openheimeri? Dy libra të rinj, nga dy persona prej kohësh të lidhur me ambientin bërthamor, tentojnë të japin shpresë për parashikime më pozitive. Autorët kanë përmbysur mite, duke hedhur dritë në dinamikën e fshehtë të shpërndarjes bërthamore dhe duke sugjeruar mënyra të reja për të reduktuar përhapjen e armëve. Në asnjërin prej librave nuk përkrahen pikëpamjet e "babait" të bombës, se ajo është diçka e lehtë për t‘u ndërtuar. Në të flitet edhe për rolin e madh e të fshehtë që kanë pasur gjithmonë qeveritë, apo shërbimet sekrete të vendeve të ndryshme në përhapjen e bombës dhe sekreteve shtetërore nga një vend në tjetrin. Thomas Reed, një veteran në laboratorin e armëve Livermore në Kaliforni dhe ish-sekretar i Forcës Ajrore dhe Dany Strillman, ish-drejtor i shërbimeve të fshehta në Los Alamos, kanë bërë bashkë përvojën dhe njohuritë e tyre në librin: "Ekspresi bërthamor: një histori politike e bombës dhe përhapjes së saj", për të treguar rëndësinë e spiunazhit në "lëvizjet" e bombës.

"Që në zanafillë të epokës bërthamore asnjë komb nuk ka zhvilluar armë të tilla vetëm, edhe pse të shumtë janë ata që pretendojnë të kundërtën", shkruhet në libër. Mes të tjerash në të jepen detaje në lidhje me ndihmën e fshehtë që kanë dhënë Kina dhe Franca në përhapjen e armës bërthamore në 5 shtete të tjera. Operacione sekrete janë zhvilluar në vendet ku provohej bomba. Kështu, për shembull, Kina ia dha hua vendin ku kryente prova në shkretëtirë Pakistanit, i cili para se t‘i blinte asaj bombën në maj të vitit 1990, kreu testin e parë të tij. Pikërisht kjo datë është shumë e rëndësishme në vetvete në historinë bërthamore të botës dhe hedh një dritë të re për periudhën e qeverisjes së të ndjerës Benazir Bhutto si Kryeministre e Pakistanit.

Në një tjetër fragment të librit thuhet që Kina "fshehtësisht" ua ofroi shkretëtirën, ku testonte bombat në Lop Nur edhe të vetë francezëve. Autorët bazohen në dokumente konkrete të shërbimeve të fshehta dhe e faktojnë gjithçka hollësisht. Ata kanë qenë vetë në pjesën më të madhe të vendeve ku testohen bombat, kryesisht në Kinë e në Rusi dhe të dy kanë pasur lidhje të ngushta me homologët e huaj. Këto përvoja kanë bërë që ata të krijojnë bindjen se shtetet kanë ndarë vazhdimisht në mënyrë të fshehtë e larg publicitetit dhe sigurisht ndryshe nga çfarë kanë pohuar zyrtarisht shumë informacione e makineri komplekse me njëri-tjetrin. Sipas tyre, të gjitha udhët të çojnë në Shtetet e Bashkuara, në mënyrë të drejtpërdrejtë, ose të tërthortë. Të tilla janë historitë e spiunëve rusë që penetruan thellësisht në projektin "Manhattan". Stalini ishte aq i dashuruar pas burimeve të shërbimeve sekrete në lidhje me bombën, saqë bomba e parë bërthamore ruse ishte një kopje ekzakte e bombës që amerikanët hodhën në Nagasaki. Moska i ndante lehtësisht dhe pa problem vjedhjet e saj me Kinën e Mao Ce Dunit përmes spiunëve dhe rrjetit të shërbimit sekret.

Kur Kina në vitin ‘60 deklaroi se e zotëronte armën bërthamore dhe madje kreu testin e parë të saj, të gjithë mbetën me gojë hapur. E ndërsa Kina u shndërrua në një fuqi bërthamore, i lejoi vetes misionin e përhapjes së teknologjisë bërthamore edhe në vende të tjera në zhvillim, të tilla si Algjeria, Pakistani, apo Koreja e Veriut. Madje, bombat kineze ishin lehtësisht të kopjueshme e të ndërtueshme dhe ky fakt u shndërrua në një shqetësim shumë të madh ndërkombëtar. Projekti i bombës qarkullonte lirshëm nëpër Libi e Pakistan dhe madje thuhet edhe në Iran, edhe pse ky i fundit e ka mohuar gjithmonë një gjë të tillë. Por përse Pekini vendosi që ta përhapte kaq lehtësisht teknologjinë bërthamore? Autorët spekulojnë se Kina, nga njëra anë donte që të forconte armiqtë e armiqve të asaj, për shembull të forconte Pakistanin si një kundërpeshë ndaj Indisë dhe, nga ana tjetër, donte që të inkurajonte luftërat terroriste në vende të ndryshme, të cilat do të nxirrnin në pah Kinën si një vend të fuqishëm. Në libër flitet shumë edhe për rolin e Francës. Kjo e fundit grumbulloi veteranë të projektit "Manhattan" dhe informacionin e marrë prej tyre ia ofroi edhe Izraelit, me të cilin kishte lidhje të ngushta tregtare.

 Në vitin 1959, sipas librit, dhjetëra shkencëtarë hebrenj u thirrën për të vëzhguar dhe marrë pjesë në ndërtimin e programit bërthamor në Francë. Në vitin 1960, kur Franca detonoi bombën e saj të parë në shkretëtirën algjeriane, dy shtete njëherazi u shndërruan në shtete bërthamore. Shtetet e Bashkuara e bënë një sy qorr për zhvillimet atomike në Izrael, derisa në vitin 1966 Izraeli kreu një test të veçantë jo bërthamor dhe një vit më pas ai ndërtoi edhe vetë bombën bërthamore. Me të mbaruar një gjë të tillë, Izraeli nxitoi që njohuritë dhe përvojën e tij ta ndante me Afrikën e Jugut. Sipas librit, të dy shtetet shkëmbyen shumë materiale dhe informacione të rëndësishme në lidhje me ndërtimin e bombës: tritium u dërgua në Afrikën e Jugut ndërkohë që nga ky vend shkoi drejt Izraelit një sasi e madhe uraniumi. Madje, Izraeli dhe Afrika e Jugut në vitin 1979 ndërmorën një shpërthim të përbashkët në Atlantikun Jugor në afërsi të ishullit princi Eduard. Sipas autorëve të librit, aktualisht mercenarët teknikë afrikano- jugorë janë më të rrezikshëm nga shkencëtarët rusë, dikur në epokën e Bashkimit Sovjetik. Në të dyja vëllimet jepet një histori e mënyrave të vjetra e të reja të shpërndarjes së bombës bërthamore në botë.
 
 Sipas autorëve, janë politikanët dhe jo spiunët, apo ambiciet ushtarake, ato që janë forca lëvizëse e shpërndarjes së armëve bërthamore në botë. Shtetet kanë vjedhur dhe shitur vazhdimisht informacione në lidhje me bombën, duke i konsideruar veprime të tilla në dobi të interesave të tyre gjeopolitike. Sipas tyre, Pekini vazhdon të mbetet një kërcënim i madh, por ata kanë shpresë në mënyrën e të vepruarit të brezave të rinj të politikanëve në këtë vend. Për autorët, pavarësisht, parashikimit të errët i Openheimerit janë optimistë për shmangien e rreziqeve bërthamore në të ardhmen, edhe pse situata aktuale në botë ka mbërritur në një pikë shumë delikate me një epokë të dytë bërthamore që ndodhet në prag. Pavarësisht shpresave, gabimet që mund të bëheshin tani do të ishin të pafalshme dhe me pasoja të parikthyeshme për të ardhmen.


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama