Udhetimet e shqiptareve me 2012-n si eksodi i ’91-shit

Udhetimet e shqiptareve me 2012-n, si eksodi i ’91-shit
Ndonëse kanë kaluar më shumë se dy dekada që prej rrëzimit të sistemit komunist në vendin tonë dhe hapjes së kufijve të izoluar prej 45 vitesh, shqiptarët, edhe pas liberalizimit të vizave, përjetojnë gati të njëjtat vuajtje për të mbërritur në tokat e “premtuara”.

Shumëkush mund të mendojë se tashmë janë hedhur pas krahëve vështirësitë për të mbërritur në vendet fqinje, kryesisht në ato perëndimore, por ja që nuk ndodh kështu. Ndoshta ne shqiptarëve na duken joshëse ëndrrat e errëta të së kaluarës, ndoshta jemi aq shumë nostalgjik sa nuk mund të shkëputemi prej tyre. Kushdo shqiptar që ka ardhur në jetë rreth 30 vite më parë, ka ende kujtime të freskëta të eksodeve masive të viteve ‘91 dhe ‘97. Në ato eksode turmat e njerëzve vërshonin drejt Perëndimit, të uritur për gjithë liritë e kësaj bote.

Ndërsa në vitin 1997, me xhepat e zbrazur nga firmat piramidale, i iknin terrorit të shkaktuar nga bandat kriminale që sundonin vendin në atë kohë. Por, ndonëse kanë kaluar rreth 15 vite që prej eksodeve të fundit masive, ato u shfaqën të gjalla pak ditë më parë për mijëra emigrantë e turistë të huaj e shqiptarë. Ishte denoncimi pranë gazetës “Shqip” i një të reje që udhëtonte nga Porti i Vlorës drejt atij të Brindisit të Italisë, për numrin e madh të pasagjerëve të imbarkuar në tragetin “European Voyager” pasditen e së shtunës së javës së kaluar, që dizenjoi tablonë e eksodeve të dikurshme të dhimbshme. Dikur ato eksode ishin të mbushura me shpresë të madhe, ajo çka përcillte e reja E.Shehaj, ishte disi e frikshme. Ajo kërkonte ndihmë.

Denoncimi

“Jemi më shumë se 2000 pasagjerë të imbarkuar në tragetin ‘European Voyaer’. Ka disa orë që ka nisur imbarkimi dhe vazhdojnë të vijnë ende njerëz dhe automjete në bordin e tragetit. Kjo që po ndodh është e frikshme.

Nuk di nëse ky traget do të mund të na transportojë të gjithëve përtej Adriatikut, apo do të fundoset në ujërat e detit Adriatik, për shkak të mbingarkesës. Ju lutem na ndihmoni dhe kontaktoni me autoritetet portuale të Vlorës dhe i njoftoni për situatën e krijuar”. Kështu u shpreh për gazetën e reja E.Shehaj, e cila shpjegoi më tej se udhëtonte drejt Italisë ku studionte prej vitesh, por duke shtuar se, me një situatë të tillë nuk ishte përballur kurrë. Ajo premtoi se kishte arritur të fiksonte me aparatin celular disa video, ku duket qartë ajo çfarë po ndodhte pasditen e 25 gushtit në ambientet dhe kuvertën e tragetit “European Voyager”, që ende nuk ishte nisur në lundrim drejt Brindisit.

Pamjet

Në pamjet disa minutëshe dhe fotot që publikon sot gazeta “Shqip”, duken qartë korridoret e tragetit të tejmbushur me pasagjerë. Kush ka qenë më i shpejtë ka arritur të sigurojë një vend në karriget e barit, apo janë ulur në korridore e hapësira të tjera të tragetit. Për shkak edhe të temperaturave të larta, duket se ata mijëra persona po vuanin mungesën e hapësirës atë ditë. Ndërkaq, në recepsionin e tragetit shfaqen dhjetëra persona që kërkojnë shpjegime për atë që po ndodh aty. Por asnjë përgjigje nuk kanë arritur të marrin, ndërsa radhët e tyre shtohen pas çdo çasti që kalon.

Në sfondin e zhurmave dhe të bërtiturave dëgjohen edhe fjalë të gjuhëve të huaja, që sipas denoncueses ishin turistë të huaj. Madje, ajo pohoi se mjaft prej tyre, që flisnin në gjuhën italiane, betoheshin se nuk do të ktheheshim kurrë në Shqipëri. Të kaloje në korridoret dhe hapësirat e tragetit nuk dukej një gjë e lehtë. Në pamjet e videove shfaqen burra, gra e fëmijë të shtrirë apo që janë ulur në dysheme pranë njëri-tjetrit. Nëse të duhet të spostohesh nga një vend në tjetrin, duhet të jesh i kujdesshëm, që të mos lëndosh ndonjërin prej tyre.

Ndërkaq, më tej shfaqen njerëz që bërtasin me të madhe e grinden mes tyre. E ndërsa vajza, e cila ka filmuar këto pamje del në kuvertë, ajo çfarë ka arritur të kapë kamera e vogël e aparatit celular, është vërtet tronditëse. Në të gjithë kuvertën, në të gjitha anët duken njerëz pa mbarim. Të gjithë qëndrojnë të ngjitur pranë njëri-tjetrit, për shkak të numrit të madh. Janë vërtet pamje që të kujtojnë eksodet e së kaluarës, vetëm se këto i përkasin të shtunës së javës së kaluar. Nga të gjitha anët kuverta është e tejmbushur me qindra njerëz.

Këta qindra e mijëra shqiptarë e të huaj zhurmojnë për atë që po ndodh. Të gjithë flasin me zë të lartë, fishkëllejnë dhe shajnë. Por, ndonëse këto pamje u regjistruan rreth orës 16:30 të datës 25 gusht 2012, trageti “European Voyager” u nis pas orës 18:00 dhe sipas denoncueses deri në momentin e fundit u imbarkuan pasagjerë dhe automjete që dukej sikur nuk kishin të mbaruar. Dhe në fund fishkëllima që përshëndet nisjen e tragetit dhe ironizon në të njëjtën kohë, atë çfarë ndodhi. Mësohet se numri i madh i pasagjerëve shqiptarë të imbarkuar gjatë një dite në Portin e Vlorës me destinacion Portin e Brindisit, ka sjellë vështirësi te punonjësit e këtij të fundit, për përpunimin e dokumentacioneve.

Këto pamje tregojnë qartë, se eksodet tona vazhdojnë edhe pas dy dekadash tranzicion. Duket se mënyra e të bërit të gjërave për shqiptarët mbetet përherë e njëjtë. Ndryshe nga dikur kur njerëzit vërshonin drejt porteve për shpresë apo për të shpëtuar kokën, sot bëjnë sërish të njëjtën gjë. Vetëm se e bëjnë në mënyrë të përsëritur këtë eksod të dyfishtë, të ndodhur përballë krizës ekonomike që ka mbërthyer Greqinë e Italinë dhe pasigurisë, korrupsionit e nivelit të ulët të kualitetit të jetës në Shqipëri, ku çdo ditë armët dhe aksidentet po vrasin njerëz.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama