Udhetimet ne 2012-n cfare pritet te ndodhe

Udhetimet ne 2012-n, cfare pritet te ndodhe
Kjo është koha e vitit kur ekspertët e udhëtimeve përpiqen të parashikojnë sa më mirë se çfarë ndodh apo mund të ndodhë përgjatë vitit që po vjen. Ky është parashikim i publikuar nga BBC-ja për udhëtarët e vitit 2012.

Përmbledhje

Veç pasigurisë për eurozonën, ekonomia globale po përmirësohet dalëngadalë, që nënkupton se individët dhe kompanitë janë më të prirur për të rritur buxhetet e tyre për udhëtimet e biznesit por edhe të kënaqësisë. Por, ashtu si dhe përmirësimet në ekonominë globale, edhe rritjet e buxheteve për udhëtimet do të jenë të ngadalta.

Rritja e kërkesës për udhëtime në 2012-n do të nënkuptojë edhe çmime më të larta për transport, karburant, strehim dhe ushqim, me rritje më të mëdha në rajonet me rritje të madhe ekonomike si Azia, India dhe Amerika e Jugut. Udhëtimet e biznesit nga dhe drejt Japonisë do të vazhdojnë të përmirësohen, por gjithsesi nuk do të ketë rritje të çmimeve për këtë destinacion të cilësuar deri më tani një nga vendet më të shtrenjta në botë.

Me problemet ekonomike në Evropë, kërkesa dhe çmimet për udhëtimet në këtë rajon mund të kenë luhatje, por këto nuk do të jenë të mëdha. Kompanitë evropiane pritet që të shkurtojnë shpenzimet për udhëtimet e klasit, duke përdorur më shumë hotele të nivelit të mesëm dhe duke u kërkuar udhëtarëve të përdorin makinat apo trenat në vend të avionëve. Nëse Greqia rikthen dhrahminë, çmimet atje mund të ulen duke sjellë edhe një përqendrim të turistëve në atë shtet.

Në Shtetet e Bashkuara çmimet e hoteleve do të vijojnë rritjen në qytete si Nju Jorku, Bostoni, Uashingtoni, Los Anxhelosi dhe San Francisko ku biznesi lulëzon, por do të mbeten të pandryshueshme në qytete të tjera ku rikuperimi ekonomik është më i ngadaltë. Fluturimet në Shtetet e Bashkuara janë tashmë 10-20% më të larta se dy vjet më parë dhe pritet që çmimet të vijojnë të jenë të larta ndërsa kompanitë po ulin kapacitetin, konsolidohen, ose si “American Airlines” e cila falimentoi, po ulin përfitimet. Ja çfarë pritet të ndodhë…

Fluturimet

Çmimi i naftës tashmë është ulur me 100$ për fuçi (në prill ishte 120$ për fuçi) dhe kjo po çon në mosrritjen e çmimeve nga ana e kompanive ajrore. Por nga ana tjetër, kompanitë evropiane mund të kenë probleme në rast se për shkak të ekonomisë së dobët kërkesa për udhëtime ajrore do të ulet. Në Shtetet e Bashkuara fluturimet janë të larta dhe do të vazhdojnë të tilla pasi kompanitë vazhdojnë të ulin kapacitetin. Në Indi, ideja për udhëtime të pakta u pa e parezultat, kështu që pritet të ketë shtime të udhëtimeve në mënyrë që kompanitë të mbijetojnë.

Pavarësisht urgjencës së shumë kompanive aziatike për udhëtime me kosto të ulët, udhëtimet brenda Azisë do të vijojnë të rriten, sipas kërkesës për fluturime, brenda dhe jashtë rajonit. Në 2012-n, aeroporti ndërkombëtar i Pekinit në Kinë pritet që të kalojë në numër fluturimesh aeroportin amerikan në Atlanta si aeroporti botëror më i madh.

Çmimet e hoteleve

Bota po përjeton një shtim të menjëhershëm të hoteleve dhe shtimi i shumë dhoma po e mban të palëvizshëm rritjen dramatike të çmimeve. Pas vitesh që çmimet rriten ndjeshëm, në Shangai tashmë po shikohet një ekuilibrim dhe e njëjta gjë po ndodh edhe në Nju Jork ku rritja vijon, por që do të ishte shumë herë më e madhe në rast se nuk do të ishin hapur hotele të reja. Nga krahu tjetër, çmimet po rriten 20-30% çdo vit në qytete me zhvillim të madh si Sao Paulo dhe Rio de Zhaneiro në Brazil, ku ndërtimi i hoteleve të reja nuk ka mundur të ndalë rritjen që bazohet në shtimin shumë të lartë të kërkesave. Nëse këtë vit keni ndërmend një udhëtim në Rio, bëni mirë të filloni të kurseni që tani.

Koha për udhëtim

Hendeku mes çmimeve në pikun e sezonit dhe jashtë pikut po rritet edhe më shumë në gjithë botën. Nëse mund të udhëtoni jashtë pikut (në dimër në Evropë, në verë në shkretërirë dhe në zonat ku bëhet ski), do të gjeni çmime vërtet të leverdisshme. Por nëse planifikoni udhëtime në pikun e sezonit, bëni mirë të merrni me vete një dorë të mirë parash dhe një portofol më shumë se plot.

Interneti

Lajmi i mirë është se shumë hotele, qoftë edhe të mesme kanë nisur të ofrojnë linjë interneti falas. Lajmi i keq është se shumë njerëz po përdorin kompjuterat, laptopët apo edhe telefonat, duke bërë që linja të jetë e mbingarkuar. Disa hotele ofrojnë linja të ngadalta falas (për të kontrolluar e-mailin apo për të lundruar në internet), por tarifojnë në rast se përdor më shumë megabajt duke parë filma apo duke ngarkuar foto të mëdha. Ndërsa në fluturim interneti ka qenë deri më tani përvojë amerikane, linjat ajrore në vende të tjera po përpiqen gjithashtu që të përshtasin një sistem satelitor që t’i lejojë udhëtarëve të lidhen në tokë apo det. Pritet që rezultatet të shihen në këtë vit që vjen

Celularët

“Smart phone”-t e udhëtarëve biznesmenë do të jenë në qendër të vëmendjes, duke u përdorur edhe për të hapur dyert e dhomave të hoteleve dhe për të bërë pagesat me to në vend që të përdoren kartat e kreditit. Do të ketë më shumë reklama për t’i inkurajuar njerëzit të rezervojnë dhe menaxhojnë udhëtimet përmes celularëve.

Takimet

Pjesëmarrja në panaire dhe konventa do të rritet këtë vit. Shumë kompani i ndaluan udhëtimet jo shumë të rëndësishme 2-3 vitet e fundit dhe udhëtarët e biznesit do të jenë të etur të dalin jashtë zyrave dhe të rindërtojnë marrëdhëniet me kolegët dhe klientët. Sidoqoftë, kontrolli i shpenzimeve do të jetë sërish në vëmendjen e kompanive, kështu që stafet ka mundësi që të qëndrojnë në hotele të lira, të përdorin linjat ajrore ekonomike dhe të hanë në restorante me çmime më të ulëta.

Mbi të gjitha, ndërsa do të jeni duke udhëtuar më shumë këtë vit, ka mundësi që ju apo punëdhënësi juaj të jetë duke përllogaritur kufizim buxheti që nënkupton më pak luks dhe më tepër shpenzime të matura.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama