Udhetimi 45 mije kilometra ne kembe rrotull botes

Udhëtimi, 45 mijë kilometra në këmbë rrotull botës

Ka zgjedhur mënyrën më origjinale për të protestuar kundër minave që marrin jetë njerëzish dhe gjymtojnë fëmijë. Joel Buton, 48 vjeç, lindur dhe banues në Anantë të Francës, po udhëton në këmbë nëpër gjithë Europën për t’u kujtuar njerëzve e sidomos burrave të shteteve se jeta është e bukur e duhet jetuar; se duhet të mbrohemi nga rreziku i luftërave të reja dhe sidomos nga minat shkatërruese. Deri në ditën e djeshme ai ka përshkruar plot 35 800 kilometra në këmbë dhe i vetmuar. I veshur thjesht, me një palë pantallona të shkurtra, një bluzë, i parruar, por i qeshur dhe me energji të shumta, ai vazhdon të sfidojë rrugët që të tjerët i përshkojnë me makina, trena apo avionë. Është nisur nga Harku i Triumfit në sheshin “Shën Elize” në Paris, më datë 29 maj të vitit 1999, për të vazhduar në një itinerar në shtete të ndryshme të Europës, Angli, Suedi, Danimarkë, Holandë, Belgjikë, Gjermani, Zvicër, Itali etj., e tani, prej dy ditësh, ka mbërritur në Shqipëri.

Fillimisht është ndalur në Vlorë dhe pasi ka qëndruar një ditë atje dhe ka takuar kreun bashkiak të këtij qyteti si dhe njerëz të thjeshtë, ka “rrëmbyer” prej tyre autografe dhe letra sensibilizuese dhe përkrahjeje për misionin e tij fisnik. Më pas, që andej, për dy ditë rresht ka udhëtuar në aksin kombëtar Vlorë-Fier, me karrocën e tij të famshme. Nata e ka zënë në qytezën e Levanit, ku ka gjetur mikpritje prej një grupi policësh shqiptarë. Sipas tij, “ata kanë qenë tepër miqësorë dhe pasi i kanë ofruar për të pirë birrë, i kanë treguar edhe vendin për të kaluar natën, në një pikë karburanti, në hyrje të kësaj qyteze. Në mëngjes ka nisur sërish rrugëtimin, duke tërhequr karrocën e famshme me flamur francez, me rroba dhe mjete të tjera të domosdoshme jetese. Për karrocën me katër rrota, që tërhiqet prej tij, ai thotë se e ka shoqëruesen më besnike prej tetë vjetësh. Anash saj janë varur banderola të shkruara në gjuhën shqipe. “Udhëtim 45 mijë kilometra në këmbë. Protestë ndaj minave shkatërruese të jetës së njeriut. Sponsor njerëzit e mirë!”.

Brenda saj qëndrojnë dhe librat e kujtimeve të tij me foto, shkrime gazetash për këtë udhëtim, si dhe nënshkrime nga rreth 135 mijë njerëz të ndryshëm europianë si dhe rreth 4800 kryetarë komunash dhe bashkish, përfshirë edhe ministra e deputetë të shteteve ku ai ka kaluar. Për të kënaqur gjithë njerëzit e mirë që e sponsorizojnë, ai organizon dhe lojëra tepër të rrezikshme, për të cilat thotë se është i mësuar. Qëndron lakuriq mbi dy pllaka të mbushura me gozhda dhe fton gjithkënd që të qëndrojë mbi trupin e tij teksa shputat e këmbëve ndodhen mbi majat e gozhdëve të mprehta. “Do të qëndroj në Fier derisa të marr firmën konfirmuese të titullarit të bashkisë së qytetit, Baftjar Zeqo për mbërritjen në qytet dhe mandej do të udhëtoj në rrugën kombëtare Fier-Gjirokastër, për të shkuar në Greqi. Po udhëton prej tetë vjetësh, është beqar dhe do ta përfundojë udhëtimin dhe misionin e tij kur të takojë krerët e OKB-së dhe presidentët europianë dhe atë të SHBA-ve, ku do t’u kërkojë zyrtarisht që të ndalohet përhapja dhe përdorimi i minave në të gjithë botën. Dhe sërish mbërritja do të jetë aty ku u nis, pikërisht te Harku i Triumfit në sheshin “Shën Elize” në kryeqytetin francez.

Ju rrëfej udhëtimin, që nis dhe përfundon te “Harku i Triumfit”


Kur e keni nisur udhëtimin?
Jam nisur më datë 29 maj të vitit 1999 nga Harku i Triumfit, në sheshin Shën Elize. Ishte mëngjes. Bëra gati karrocën me gjithë veshjet. Për ushqimin nuk mendova. E dija që në këtë mision timin do të ishin njerëzit e mirë që do të më sponsorizonin.
Si ju lindi mendimi për të kryer këtë udhëtim?
Nuk mund të rrija dot duke parë mijëra fëmijë të gjymtuar nga minat shkatërruese dhe njerëz të vrarë prej tyre. Për të tërhequr vëmendjen e të gjithëve kundër këtij fenomeni dhe për të bindur udhëheqësit tanë që të punojnë për çminimin e botës dhe ruajtjen e jetës, vendosa të udhëtoj në këmbë. Dhe besoj se ia kam arritur.
Çfarë shtetesh keni përshkruar në këmbë?
Janë me dhjetëra shtete, që nga Franca, Suedia, Danimarka, Gjermania, Holanda, Belgjika, Zvicra, Kroacia, Sllovenia, Italia, Shqipëria. Më pas do të vazhdoj në të tjera vende derisa të mbërrij sërish aty ku u nisa, në Paris. Por dua të takoj krerët e OKB-së dhe të Amerikës për të biseduar me ata për këtë protestë që kërkon përgjigje.
A keni pasur përkrahje në këtë mision? Si të kanë pritur njerëzit dhe pushtetarët?
Kam arritur të njoh popuj të ndryshëm, por mund të them se njerëzit janë kudo njësoj; janë të mirë dhe tepër të ngrohtë e dashamirës. Më kanë duartrokitur dhe përkrahur. Nga ana e tyre kam arritur të marr 135 mijë firma. Ndërsa, po kështu jam pritur dhe nga krerët e komunave dhe bashkive, madje dhe ministrave në shtetet ku kam kaluar. Kam në librin tim 48 mijë letra të firmosura prej tyre.
Po përshtypja juaj për Shqipërinë?
Është një vend i bukur. Ka njerëz të mrekullueshëm dhe mbi të gjitha tepër mikpritës. Do të qëndroj në Fier dy ditë për të kontaktuar dhe marrë nënshkrimin e letrës së titullarit të bashkisë që kam qenë në këtë qytet dhe më pas do të udhëtoj me karrocën tim drejt Greqisë. Fillimisht, njerëzit që më kanë parë dhe takuar këtu janë çuditur me mua. Më kanë marrë edhe si të çmendur, por më pas janë mësuar dhe më kanë duartrokitur. Udhëtova për dy ditë nga Vlora në Fier. Në Levan më bëri përshtypje një grup policësh. Qëndruan me mua, më dhanë birrë dhe më strehuan në një pikë karburanti. Ishte kënaqësi. Pres që media të sensibilizohet dhe të më përkrahë në luftën kundër minave. Brenda meje qëndron dashuria dhe vetëm dashuria për njerëzit dhe ata fëmijë që janë gjymtuar prej tyre. Në shpirtin tim qëndron figura e Princeshës Diana. Me zërin e saj brenda vetes përshkruaj rrugët e botës.
Cili është profesioni i juaj?
Dashuria për njeriun
A jeni i martuar?
Jo, jam beqar.
Përse nuk martoheni me një vajzë shqiptare?
(Hahaha.) Pse jo? Por jo tani. Më duhet të përfundoj udhëtimin tim.

TË DHËNAT E UDHËTIMIT RRETH BOTËS

Emri i udhëtarit të vetmuar: Joel Buton
Data e nisjes: 29 maj të vitit 1999
Vendi nisjes: Harku i Triumfit në Paris
Ka udhëtuar 35 800 kilometra
Ka marrë nënshkrime të 135 mijë njerëzve
Ka takuar 4800 krerë bashkish dhe komunash
Ka 48 mijë letra të firmosura nga zyrtarë të lartë
Ka kaluar më këmbë në 9 vende të botës
Vendi i mbërritjes: Harku i Triumfit në Paris
Misioni: Ndalimi i përdorimit të minave

Arben Velaj : Gazeta Albania


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama