Udhezimi Fiket muzika pas mesnates ne bare e pub-e

Udhezimi: Fiket muzika pas mesnates ne bare e pub-e
Muzika në diskot dhe klubet verore gjatë fundjavës do të lejohet deri në orën 00:00.

Për ditët e tjera deri në orën 23:00. Lokalet e mbyllura nuk do të kenë limit, por duhet të respektojnë normat e lejuara të zhurmave. Këto përcakton udhëzimi i përbashkët i firmosur nga të gjitha strukturat që do të monitorojnë ndotjen akustike gjatë sezonit të verës. Ai do të zbatohet njësoj si në zonat e banuara, ashtu edhe në ato bregdetare. Kush shkel rregullat e vendosur, do të penalizohet. Në udhëzim janë përcaktuar detyrat për secilin institucion. Ai mban firmën e drejtorit të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, drejtorit të ISHP, Enver Roshi, si dhe drejtorit të Drejtorisë së Kontrollit për Mjedisin, Alfred Deshati.

“Strukturat vendore të Policisë së Shtetit të monitorojnë zbatimin e orarit nga subjekte të cilat gjenerojnë zhurma. Nëse gjatë monitorimit konstatojnë subjekte që gjenerojnë zhurma dhe nuk respektojnë orarin e përcaktuar, të marrin menjëherë masa për ndërprerjen e menjëhershme të aktivitetit të këtyre subjekteve dhe në këtë kuptim mbylljen e lokaleve dhe të mjediseve të hapura”, thuhet në udhëzim. Inspektorati në Agjencitë Rajonale e Mjedisit, nga ana e tij, do të ushtrojë kontroll të vazhdueshëm ndaj veprimtarive ndotëse për të siguruar mbrojtjen e mjedisit nëpërmjet zbatimit të legjislacionit mjedisor dhe kërkesave të vëna në lejen mjedisore.

“Inspektorati urdhëron masa të detyrueshme për zbatim për përmirësimin e gjendjes së mjedisit, për pakësimin e ndotjes dhe të dëmtimit të mjedisit”, thuhet në udhëzim. Ndërkohë, drejtoritë e shëndetit publik, institutet e shëndetit publik dhe Inspektorati Sanitar Shtetëror do të programojnë dhe bashkërendojnë punën me institucionet e tjera për monitorimin e situatës në qendrat e banuara dhe zonat turistike e bregdetare, si dhe të inspektimeve verifikuese në rastet e ankesave të komunitetit. “Në rast të konstatimit të shkeljeve do të marrin vendimet dhe sanksionet administrative konform dispozitave ligjore në fuqi”, saktëson udhëzimi.

Detyrimet e përbashkëta

Udhëzimi përcakton se palët duhet ta informojnë reciprokisht njëra-tjetrën për situatën dhe problematiket që mund të lindin gjatë procesit të monitorimit. “Ato duhet të hartojnë e miratojnë plane veprimi të përbashkëta, që do të kryhen nga palët për marrjen dhe bashkërendimin e masave për monitorimin dhe kontrollin e nivelit të zhurmave në qendrat urbane, turistike dhe bregdetare”, thuhet në udhëzim.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama