Gjobat për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor pa praninë e shoferit, por për më tepër, pa vënë në dijeni drejtuesin e makinës janë kthyer në një problem të mprehtë për çdokënd që qarkullon me automjet rrugëve në Shqipërisë. Gjatë muajve të fundit janë shtuar ankesat e shoferëve për gjobat fiktive sipas tyre, të vendosura në rrethe apo zona që nuk i kanë shkelur në momentin kur daton kundravajtja duke shtuar kështu dyshimet për plotësim të mandateve apriori nga policë të caktuar.
Ish-ministri i Brendshëm, Bujar Nishani ka tentuar t’i japë fund një praktike të tillë duke miratuar një udhëzim të posaçëm ku përcaktohet me detaje se në çfarë rrethanash mund të vendoset një gjobë rrugore pa praninë e shoferit dhe si ndiqet ajo më pas deri në vënien në dijeni të pronarit të makinës për detyrimin e lindur. Udhëzimi “Për mënyrën e evidentimit në mungesë të kundërvajtjeve administrative në fushën e qarkullimit rrugor”, daton më datë 13 qershor, pra vetëm dy ditë pas votimit në parlament në postin e Presidentit të Republikës dhe në ditën e fundit të tij si ministër i Brendshëm.
Lajmërimi
Udhëzimi ka për qëllim shmangien e gjobave fiktive nga policët ndaj drejtuesve të makinave ndërkohë që përcakton se kur mund të vendoset një gjobë pa praninë e këtyre të fundit duke detyruar policinë ndërkohë që në rastet të tilla, fletë-gjobën t’ua dërgojë shoferëve në shtëpi me postë.
Në çdo rast, policia duhet t’i bëjë me dije pronarit të automjetit për gjobën e vendosur në emër të tij. Udhëzimi përcakton se kjo do të bëhet nëpërmjet dërgimit të lajmërimit me postë në shtëpi. Kushti që lajmërimi që quhet i kryer është konfirmimi i faktit që shoferi e ka marrë. Në rastet kur shoferi nuk vihet në dijeni për gjobën e marrë pa praninë e tij brenda 30 ditëve, ajo shuhet, pronari i makinës nuk e ka detyrimin ta paguajë. Policia nga ana e saj do të marrë masat ndaj punonjësve përgjegjës.
Shkeljet
Por cilat janë rastet kur polici mund të vendosë gjobë pa praninë e shoferit? Rasti më tipik është ai parkimit në vende nuk ndalohet një gjë e tillë, pamundësia për të arritur automjetin që ka kryer një shkelje për shkak të shpejtësisë së madhe, shkelja e semaforit kur është i kuq apo kapja e radar në rastet e qarkullimit me shpejtësi të madhe. Deri më tani, në rastet të tilla, polici nxirrte bllokun, plotësonte gjobën dhe kaq. Ndërkohë, sipas këtij udhëzimi, ai nuk do të mjaftohet vetëm me vendosjen e gjobës në xhamin e parë të makinës në krahun e shoferit në rastet e parkimit të gabuar për shembull. Pasi të ketë kryer këtë procedurë, ai do ta raportojë gjobën e vendosur në sallën e drejtimit duke i dhënë qendrës të dhëna si targën e makinës, vendin ku është vendosur gjoba, lloji i shkeljes, ora etj. Të dhënat e marra, agjentët që janë në qendër i pasqyrojnë në një regjistër të veçantë. “Regjistri duhet të plotësohet në mënyrë kronologjike për çdo rast të raportuar. Mosplotësimi në kohë dhe saktë i regjistrit përbën shkelje të rendë disiplinore dhe ndaj
personave përgjegjës të fillojë ecuria disiplinore në bazë të Rregullores së Disiplinës së Policisë së Shtetit”, - theksohet në udhëzim.
Pasi ka regjistruar shkeljen, punonjësi në sallën e drejtimit duhet të vejë në dijeni për shkeljen e kapur, eprorin e efektivit të policisë që e ka raportuar atë. Më pas, kur mbaron turnin, efektivi i policisë që ka kapur shkeljen ia raporton përsëri atë eprorit të tij duke i dorëzuar njëkohësisht edhe kopjen e tretë të fletë-gjobës. Është ky i fundit ai që dorëzon gjobën pranë zyrës së financës për t’u regjistruar më pas në sistem. “Eprori i drejtpërdrejtë ose ai i caktuar në këtë detyrë, bën kontrollin e saktësisë së plotësimit të procesverbalit dhe evidentimit të bërë në sallën e drejtimit, koordinimit të emergjencave. Eprori i drejtpërdrejtë ose ai i caktuar në këtë detyrë është autoriteti i vetëm dhe përgjegjës për dorëzimin e dokumentuar respektivisht në financë dhe sektorin operacional, të procesverbaleve të konstatimit të shkeljeve në mungesë të drejtuesit të mjetit”, - vijon udhëzimi. Në çdo rast, gjobat e vendosura gjatë një ditë ndaj shoferëve që kanë kryer shkelje, duhet të regjistrohen në sistem brenda një afati jo më të gjatë se 14 orë. Policët do të duhet të tregohen tepër të kujdesshëm gjatë vendosjes së gjobave. Sipas udhëzimit, plotësimi me mangësi i fletë-gjobave apo mosdorëzimi sipas afateve të përcaktuara, përbën shkelje të rëndë disiplinore.
30
ditë është afati maksimal brenda të cilit shoferët e gjobitur në mungesë duhet të vihen në dijeni për masën e marrë ndaj tyre. Në rastet kur ata nuk janë vënë në dijeni brenda këtij afati, nuk kanë detyrimin për të paguar gjobën e marrë
14
orë është afati maksimal i regjistrimit të gjobës në sistem nga momenti i raportimit të saj. Efektivi që do të has shkeljen pa praninë e shoferit duhet që t’ia raportojë atë direkt sallës së drejtimit me radio nga terreni
Pronarit të makinës duhet t’i bëhet me dije për ekzistencën e gjobës në emër të tij, brenda 30 ditëve nga vendosja e saj në mungesë në mënyrë që të lindë detyrimi për ta paguar. Në rast të kundërt, pasi ka kaluar ky afat dhe shoferi nuk është vënë në dijeni, gjoba shuhet, kurse polici përgjegjës për lajmërimin, penalizohet.
Udhëzimi parashikon krijimin e një regjistri të veçantë në sallën e drejtimit për gjobat e vendosura ndaj automjeteve në mungesë të shoferit. Regjistri plotësohet nga punonjësi në sallën e drejtimit me të dhënat e ofruara nga terreni me radio nga efektivi që kap shkeljen. Në fund të ditës, punonjësi ia raporton sërish shkeljet e kapura eprorit të tij.
Çdo shofer që do të gjobitet në mungesë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, do të lajmërohet në shtëpinë e tij nëpërmjet postës për ekzistencën e këtij detyrimi. Policia pritet që të lidhë marrëveshje me postën për të marrë këtë shërbim. Kur shkelja është kryer në rreth tjetër nga ai ku është regjistruar makina, policia ia kalon të dhënat kolegëve në rrethin në fjalë.
Koment
Emirjon Senja
Mafia e karrotrecëve
Krahas gjobave në mungesë, marrja e makinës me karrotrec është kthyer në frikën më të madhe të drejtuesve të mjeteve, një aktivitet me zhvillim të madh këto muajt e fundit në kryeqytet. Tashmë Policia e Rrugore ka hequr dorë nga një praktikë e tillë, ndërsa ajo bashkiake është më e zellshmja duke e kthyer një veprim të tillë nga domosdoshmëri për të liruar rrugën në raste bllokimi, ndëshkimin e shoferëve të papërgjegjshëm apo ndërgjegjësimin e tyre, në një biznes të pastër me të ardhura marramendëse të Policisë së Bashkisë së Tiranës me pronarët e karrotrecëve. Shkruesi i këtyre radhëve është një ndër mijëra viktimat e këtij marifeti tepër fitimprurës për xhepa të caktuar.
Tashmë është kthyer në praktikë, me apo pa tabelë që ndalon parkimin, karrotreci është gjithnjë në gatishmëri. Çfarë ndodh më pas? Pasi është siguruar se nuk ia kanë vjedhur makinën, sepse nuk të mundësohet asnjë lajmërim për heqjen e saj, shoferi nis andrallat për rimarrjen e pronës së tij.
Gjoba në këtë rast është 7 mijë lekë. Nga këto, 3 mijë lekë është gjoba për parkim të gabuar, kurse 4 mijë lekë ështëkostoja e marrjes me karrotrec! Largësia maksimale e pikës më të largët të kryeqytetit nga vendi ku vendosen makinat e rrëmbyera nuk i kalon 5 km. Por nëse 3 mijë lekëshin e parë e paguan dhe merr një mandat ku të thuhet se paratë kanë shkuar në arkën e bashkisë, për “gjobën” e karrotrecit nuk të ofrohet asgjë. Punonjësi plotëson një mandat të thjeshtë, ku nuk specifikohet se kujt po ia paguan këto para duke rritur edhe më tepër dyshimet për një skemë të pastër zhvatje të qytetarëve nëpërmjet marrjes së makinës me karrotrec.
Pasi ke bërë pagesën, është koha të marrësh makinën, por punonjësi i Policisë Bashkiake, të ofron një fletë A4, të cilën duhet ta firmosësh ku ti si pronar konfirmon se nuk ke pretendime për gjendjen fizike të automjetit. Kjo ndodh para se të shohësh automjetin! Por edhe nëse e gjen të dëmtuar, ustallarët janë përsëri në rregull me dokumentet. Kjo, pasi në momentin e tërheqjes me karrotrec, punonjësi i policisë shënon apriori në procesverbalin e marrjes se makina është e dëmtuar, para, anash dhe pas, duke shtuar edhe përbërës të tjerë, si xhamat apo pasqyrat. Në këtë mënyrë, mbyllet rruga e pretendimit për dëmtim, pasi t’i përballesh me proceverbalin e tërheqjes dhe merr përgjigjen: “E ke pas të dëmtuar”. Por edhe nëse ke guximin të ankohesh, zyrtari me treçerekshe fillimisht të bën me dije se nëse vërtetohet pretendimi yt, makina rregullohet, por….ti mbart riskun që të mos vërtetohet dhe në këtë rast, ndiqesh për kallëzim të rrem! Por edhe nëse nuk e merr në konsideratë këtë paralajmërim, makina duhet të qendrojë edhe për një muaj në pikën e bllokimit deri në verifikimin e pretendimit. Kjo është një tjetër praktikë mafioze me qëllimin e vetëm zhvatjen e qytetarëve, por njëkohësisht duke mos i lenë as të ankohen.
Allaraj: Si veprojmë në mungesë të shoferit
Kreu i Policisë Rrugore në Tiranë, Ali Allaraj shpjegon procedurën që ndjekin punonjësit e policisë rrugore në rastin kur konstatojnë shkelje nga ana e drejtuesit të mjetit, shkelje që duhet të gjobitet por makina është e “braktisur”. Numri një i kësaj policie detajon gjithë veprimin që kryen punonjësi i qarkullimit rrugor dhe një sërë koordinimesh për të mundësuar njoftimin e drejtuesit të mjetit për “dënimin” për kundravajtjet. Kështu ai shpjegon për “Shekullin” se; nëse makina është në kundravajtje dhe aty nuk gjendet drejtuesi i mjetit agjenti i policisë rrugore fillimisht pret për disa çaste që mos dikush vjen tek automjeti ose dikush ka dijeni për drejtuesin e saj, pra për vendndodhjen. Nëse nuk realizohet menjëherë kontakti me të, atëherë targa e makinës bashkë me elementët që përbëjnë kundravajtjen raportohen në njësinë e qendrore të qarkullimit rrugor kur verifikohet nga database se kujt i përket makina dhe kështu realizohet identifikimi i personit që e posedon.
Për pasojë bëhet regjistrimi i të dhënave që vijnë nga punonjësi i policisë rrugore që gjendet në vendin ku është konstatuar shkelja, ndërkohë emri i drejtuesit raportohet në qendrën operative dhe nëse koha e mosardhjes së personit te mjeti është relativisht e gjatë, emri raportohet edhe te kolegët e patrullave. Në rastin e fundit, punonjësi i policisë pret fletë-gjobën dhe e lë në një vend krejt të dukshëm në xhamin e mjetit, vend ku sigurohet se fletë-gjoba nuk mund të humbasë. Në rastin kur në mjet gjendet ndonjë pasagjer ose vjen dikush që ka njohje me drejtuesin e mjetit atëherë punonjësi i policisë i lë porosinë e gjobës bashkë me kopjen e saj të njohurit të tij, ose e vë në dijeni të veprimit që ka kryer policia.