Këshilli i Ministrave ka publikuar mbrëmjen e djeshme në Fletoren Zyrtare udhëzimet për “Masterin Profesional”, mbi bazën e të cilit aplikantët brenda vendit, si dhe shqiptarët nga trojet jashtë kufijve, do të mund të kryejnë regjistrimin në programet e studimit të ciklit të dytë. Këto studimet do të bëhen mbi bazën e rregullave dhe procedurave të bëra publike paraprakisht, ndërkohë që në udhëzim theksohet se universitetet e vendit do të organizojnë procesin e pranimit në programet përkatëse. Ky proces monitorohet nga rektoratet dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit të Lartë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, ndërkohë që universitetet pritet të shpallin menjëherë hapjen e procedurës për kandidatët brenda Shqipërisë dhe shqiptarët nga trojet jashtë kufijve që dëshirojnë të vijojnë programet e ciklit të dytë “Master Profesional” me kohë të pjesshme.
Nga ana tjetër, udhëzimi thekson se aplikimet për regjistrim do të bëhen pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore, nga data 23.9.2013 deri në datë 7.10.2013, prej orës 08:00 deri në orën 16:00, ku kandidati duhet të paraqitet personalisht dhe të dorëzojë dokumentacionin e nevojshëm. “Regjistrimi i aplikantëve në programet e studimit ku janë shpallur fitues të zhvillohet nga data 21.10.2013 deri në datën 28.10.2013, prej orës 08:00 deri në orën 16:00 pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore të universiteteve.
Dokumentet e aplikantëve jofitues t'u kthehen personave kundrejt kërkesës” – theksohet në udhëzimin e miratuar nga Këshilli i Ministrave. Me mbylljen e regjistrimit, universitetet duhet të dorëzojnë në Agjencinë Kombëtare të Provimeve listat përfundimtare në dy kopje, në formë të shkruar dhe elektronike, me regjistrimet e kryera për çdo program studimi të ciklit të dytë “Master profesional” me kohë të pjesshme.
Kandidatët që rezultojnë të regjistruar nëprograme të tjera studimi të ciklit të parë ose të dytë, me kohë të plotë apo të pjesshme, në universitetet publike, nuk mund të marrin numër matrikulimi. Nëse diçka e tillë vërtetohet, AKP-ja pas verifikimit, i kërkon universiteteve t’i çregjistrojë ata. Universitetet detyrohen të shpallin dhe të afishojnë listat e aplikantëve fitues në vende të dukshme, në mjediset e njësive kryesore përkatëse, brenda datës 20 tetor, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve të grumbulluara nga aplikantët, në përputhje me kuotat e pranimeve. Nga ana tjetër, udhëzimi thekson se pritet të ngrihen komisione ad-hoc sipas fushave përkatëse, për përzgjedhjen e aplikantëve fitues në përputhje me kriteret e pranimit të vendosura dhe të shpallura publikisht nga këto institucione.