Roi Hoxhson nuk e ka marrë ende vet en nga festimet kur shfaqet në konferencën për shtyp pas fitores ndaj Uellsit. "Është fantastike.
Luajtëm aq mirë kundër Rusisë dhe pësuam në minutën e 93-të. Por ndaj Uellsit punuam fortë dhe në pjesën e dytë shtymë aq shumë sa shënuam në minutën e 92-të.
Mendoj se është e rrallë të shohësh dy ndeshje radhazi që vendosen në shtesë", ishin fjalët e para të teknikut anglez, i cili nuk i mbajti dot emocionet dhe thumboi Bejlin pas sulmeve frontale të sulmuesit të Uellsit, i cili tha se anglezët nuk do të jenë kurrë krenarë sa populli uellsian.
"Nëse do ta kisha parë këtë ndeshje nga larg dhe nuk do ishte Anglia ajo që do të luante kundër Uellsit, por një skuadër tjetër, do të më kishte ardhur shumë keq për humbjen e tyre.
Por ata duhet të më falin që nuk më vjen keq, sepse unë dua të jem i gëzuar për fitoren e skuadrës time". Zëvendësimet - Në fakt, derbi i Britanisë ishte një ndeshje tipike e fituar nga stoli. Ishin pikërisht lëvizjet e 68-vjeçarit ato që sollën përmbysjen e "Luanëve" në pjesën e dytë:
"E menduam gjatë se cila do të ishte skuadra titullare, por unë nuk doja që të hidhja në fushë gjithë artilerinë e rëndë. Doja të mbaja një apo dy asat nën mëngë. Që në momentin e pësimit të golit, në mendje më kaloi futja në fushë e Vardisë dhe Starrixhit dhe më vonë edhe e Uilsherit dhe Rashfordit".
Rusia - Në fund, Hoxhson iu rikthye edhe njëherë kontrastit me Rusinë. "Janë dy funde të ndryshme. Ka kaluar shumë kohë që kur unë dhe stafi im kemi festuar në këtë mënyrë. Por goli i Rusisë na kishte vendosur pak nën presion.
Jam edhe i lumtur që dy lojtarët zëvendësues shënuan. Mendoj se ishte e shkruar në pjesën e dytë. Çfarë i thashë skuadrës në pushim?
U thashë se po luanim mirë, por kishte aspekte të lojës që duhet t'i përmirësonim. Në pjesën e dytë sulmuam me agresivitet. Më vjen keq për Kolmanin, sepse sot (dje), ai do të ndihet siç u ndjeva unë të shtunën".