Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Xhon Uidhers (John Uithers), gjatë viteve 2007–2010, thotë në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se sfida kryesore për Shqipërinë është sistemi i drejtësisë, një sistem, sipas ambasadorit Uithers, i vetëdiskredituar.
Në qershor, Shqipëria pret përgjigje për çështjen e statusit të vendit kandidat në BE, një status që nuk e ka marrë dot prej 4 vitesh. A jeni optimist se këtë herë do të marrë.
Optimist? Po, mund të them që jam. Por besoj se nuk më takon mua, një qytetar-privat, që nuk flas as në emër të qeverisë amerikane, si them se çfarë mund të bëjnë ose të mos bëjnë europianët. Por statusi kandidat është i rëndësishëm dhe do ta ndihmojë shumë Shqipërinë. Procesi për t’u bërë anëtar i BE-së kërkon plotësimin e standardeve më të larta ndërkombëtare. Është një proces shumë më i hollësishëm dhe i ndërlikuar sesa procesi i anëtarësimit në NATO. Dhe në shumë drejtime, si për shembull për të zgjidhur përçarjet politike që kanë pllakosur Shqipërinë prej shumë vitesh, për të gjetur një arbitër të paanshëm, për të ndihmuar me çështje të tilla jetike, si gjyqësori apo praktikat ekonomike. Ky proces i disiplinuar, që ka pasur shumë përfitime për vende të tjera, do të ketë përfitime edhe për Shqipërinë. Ka edhe një element tjetër që nuk duhet harruar. Anëtarësimi i Shqipërisë do të jetë përfitues edhe për vetë BE-në.
Ju përmendët sistemin e drejtësisë, por një element tjetër po aq i rëndësishëm është edhe ajo që përmendi komisioneri Fyle para disa ditësh, nevoja e bashkëpunimit të klasës politike. Gjashtë muaj pas qeverisë së re, në Parlament po shohim të njëjtat praktika si në të kaluarën, të njëjtën gjuhë të papërshtatshme. A ka ndryshuar gjë?
Mendoj se procesi i ndryshimit, në një kuptim realist, kërkon kohë dhe nuk bëhet me shkop magjik. Gjermanisë Lindore, për shembull, iu deshën shumë vite pas bashkimit dhe vetëm tani ka arritur një nivel të krahasueshëm ekonomik me perëndimoren. Procesi i ndryshimit në Shqipëri nuk ka nevojë të zgjasë 25 vjet si në Gjermani, pasi Shqipëria është një vend më i vogël, por procesi i ndryshimit kërkon durim e përkushtim. Nuk mund të ndërtosh një shtëpi për 6 muaj, jo më të ndryshosh një shoqëri.
Ndryshimet e mëdha në Shqipëri filluan para më shumë se 20 vjetësh. Qeveria e re erdhi në pushtet me moton për të ndryshuar, për të përmirësuar shumë gjëra. Por ka shumë njerëz që po ngrenë pikëpyetje për fillimin. Të marrim korrupsionin për shembull, një nga plagët më të rënda për atë vend. Shumë kritikë thonë se nuk po shkojnë pas të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj”. Si mund ta luftojnë ata korrupsionin?
Ju përmendni probleme madhore. Por a ka ndonjë shoqëri që e ka çrrënjosur korrupsionin dhe aq më shumë për 6 muaj? Por do të vijë dita kur publiku do t’i kërkojë llogari qeverisë: “Ku ke qenë? Çfarë ke bërë?” Nuk jemi ende në atë pikë. Por, nga ana tjetër, ka pasur disa zhvillime premtuese, siç është ligji për ndarjen administrative, që do të jetë shumë pozitiv për zhvillimin e Shqipërisë, reforma e sistemit të pensioneve, që është shumë e rëndësishme në këto kohë të vështira ekonomike ose masat ndaj ndërtimeve pa leje. Këto janë filiza të reja, por ende nuk e dimë nëse do të rriten për t’u kthyer në bimë të plota. Interesimi im në Shqipëri ka qenë gjithmonë me popullin dhe jo me ndonjë parti a qeveri të veçantë. Ju përmendët korrupsionin. Ai është si një kancer. Gjithë shoqëria sëmuret nëse ai nuk trajtohet. Lufta ndaj korrupsionit do të jetë përcaktuese për trashëgiminë e kësaj qeverie. Së dyti, është sistemi i drejtësisë një sistem i diskredituar, që në pjesën më të madhe ka diskredituar veten. Ka njerëz të interesuar në Shqipëri që e duan një sistem të tillë drejtësie, për të ndikuar në vendimet e gjykatave për interesa të tyre. Asnjë nga aspiratat e popullit shqiptar nuk mund të plotësohen pa u ndërtuar një sistem gjyqësor i paanshëm, që bazohet vetëm te ligji dhe jo tek interesat e një personi të fuqishëm apo të një partie politike.
Por kritikët thonë se kjo qeveri, me njerëz të rinj, siç shpreheni ju, po bën në disa aspekte ato gjëra për të cilat kritikonte qeverinë e mëparshme, si shkarkime nga administrata apo trysnia mbi institucionet e pavarura?
Çdo qeveri do njerëzit e vet në poste. Por, për sa thoni ju, kjo ka qenë një traditë në Shqipëri. Mua më duket se transferimi i pushtetit ka qenë më pak radikal se në të kaluarën. Por nuk jam në brendësi të shumë hollësive, pasi nuk i kam më ato burime informacioni, por qeveria i ka respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese që kanë qenë kundër saj. Përsëri do të thosha që pritshmëritë duhet të jenë në kufij realë. Është e lehtë të thuash thjesht “bëje këtë apo atë”, por kjo nuk është një formë demokratike e të bërit të gjërave. Forma demokratike është përmes bashkëpunimit dhe gjithëpërfshirjes. Përsëri mbetet për t’u parë nëse qeveria e re do të udhëhiqet nga këto parime në jetën e saj. Kjo do të varet nga administrata e re, por edhe nga një qëndrim i ri që duhet të kenë njerëzit që nuk janë fatalistë, që nuk janë cinikë, për t’u angazhuar në zhvillimet e vendit.
Dhe dua të mbyll një citim tjetër, të një udhëtari në Shqipëri në vitin 1809, emri i tij ishte Hobhouse nëse nuk gaboj dhe ai shkruan se kur udhëton në territoret e Perandorisë Osmane dhe i pyet njerëzit se cilët janë, të përgjigjen myslimanë ose të krishterë, por kur pyet një shqiptar, ai të përgjigjet jam shqiptar. Sot u takon të gjithë shqiptarëve që i përkasin partisë që humbi ose që fitoi ose partive të tjera të mos harrojnë se janë shqiptarë dhe kanë një mundësi përpara për të përmirësuar vendin e tyre, të mos rrinë pasivë, por të marrin pjesë në proces.
Marrë me shkurtime nga “Zëri i Amerikës”