Ujguret Ne Shqiperi nuk martohej njeri me ne! Amerikanet dhe shqiptaret na genjyen

'Ujguret: Ne Shqiperi nuk martohej njeri me ne! Amerikanet dhe shqiptaret na genjyen'
Dokumentet e publikuara nga Wikileaks kanë prekur dhe çështje që lidhen drejtpërdrejt me Shqipërinë. Prestigjiozja amerikane “New York Time” shkruan se ndërsa shumë vende hezitonin të strehonin ish-te burgosurit e Guantanamos, Shqipëria ishte një ndër të paktët aleatë që jo vetëm pranoi që të strehonte të dënuarit por madje ofroi të merrte edhe më shumë. "New York Time" shkruan për një mesazh të diplomatëve amerikanë ku theksohej fakti se pasi Shqipëria kishte pranuar 5 ujgurët në vitin 2006, kryeministri shqiptar Sali Berisha ofroi gatishmërinë e tij për të strehuar tre nga gjashtë të dënuar por që ato të mos ishin kinezë, ne 2009. Diplomatët amerikanë e përshkruan këtë ofertë “si të mirë por të ekzagjeruar”. “Si gjithnjë, shqiptarët duan të bëjnë më shumë se sa duhet, të shkojnë përtej, vetëm për të ndihmuar në një prej prioriteteve të politikës tonë të jashtme”-thuhet në mesazhin e diplomatëve amerikanë.

WikiLeaks, Franca: Shqipëria e ka marrë lehtë hyrjen në NATO

Gradualisht edhe dokumentet e Shqipërisë që kanë në rënë në duart e Wikileaks po dalin në dritë. Dokumenti i parë sekret që lidhet me vendin tonë nuk është një korrespondencë e ambasadës amerikane në Tiranë por e asaj në Francë. Dokumenti referon takimin e zëvendës asistentit për çështjet e sigurisë kombëtare të zv-Presidentit Dick Cheney me këshilltarët për çështjet strategjike të presidentit Sarkozy dhe ministrit të Jashtëm Kouchner. Takimi është zhvilluar më 16 janar 2008, pra rreth tre muaj përpara se Shqipëria të merrte ftesën zyrtare për anëtarësim në NATO nga samiti i Bukureshtit. Biseda është përqendruar në disa tema, ku sigurisht NATO dhe riintegrimi i Francës në komandën ushtarake të Aleancës, kanë zënë një vend kyç.

Duke diskutuar për zgjerimin e Aleancës, në telegram citohet shprehimisht njëri prej këshilltarëve francezë. “Errera tha se Franca është e qetë me secilin prej tre kandidatëve të Kartës Adriatik 3. Veçanërisht Franca nuk ka asnjë problem me anëtarësimin e Kroacisë. Megjithatë, Errera pohoi se Shqipëria duket se po e merr për të mirëqenë pranimin dhe lipset që të bëjë më shumë përpjekje për të fshirë çështjet e korrupsionit. Sa i takon Maqedonisë, Errera tha se qeveria e Maqedonisë nënvlerëson seriozitetin e çështjes së emrit për Greqinë dhe Shtetet e Bashkuara nuk duhet të bëjnë të njëjtin gabim. Franca nuk do të bëjë presion mbi Greqinë për këtë çështje. Ndër të tjera, nëse Athina do të lëshojë pe në çështjen e emrit, qeveria greke mund të bjerë, çka mund të sjellë një qeveri të re, që mund të jetë përgjegjëse dhe mesa duket armiqësore ndaj ratifikimit të procesit të zgjerimit”, thuhet në telegram.

Berisha: Ujgurët i morëm për të ndihmuar SHBA-të

Kryeministri Berisha ka reaguar dje për herë të parë lidhur me sekretet e publikuara nga Wikileaks. Në një prononcim për emisionin “Opinion” shefi i qeverisë ka thënë se kjo që ka ndodhur afekton vjedhjen më të madhe të të gjitha kohërave. “Kjo përbën sulmin më të rëndë kundër sistemit modern të komunikimit, sistemit kabllor, çka ngjall një pasiguri të madhe sepse në këtë sistem sot bazohet i tërë informacioni i botës së sotme. Ndaj edhe në këtë aspekt, kjo përbën një rrezik ndër më seriozët e kohës”, tha Berisha. Më tej kreu i qeverisë tha se do të jetë në krah të SHBA-ve edhe pas publikimit të dokumenteve. Nuk ka mbetur pa u komentuar dhe dokumenti që ka implikuar Shqipërinë lidhur me të burgosurit e Guantanamos.

Për Berishën, kjo është një ndihmë që i është bërë administratës amerikane për të boshatisur burgun famëkeq. “Për sa i përket autoriteteve shqiptare, ky është problemi më i thjeshtë. Unë kam konstatuar se është botuar qëndrimi i ynë ndaj të burgosurve të burgut në Guantanamo, nuk ka asgjë sekret në atë qëndrim. E kam theksuar edhe theksoj, se ne kemi marrë vërtetë në proporcion ndoshta më shumë se çdo vend tjetër, por nuk ka asnjë mëdyshje se ne na takon dhe nuk mund të kemi qëndrim tjetër përveçse një mbështetje të plotë të Shteteve të Bashkuara për të gjitha problemet e sigurisë. Unë kam përshëndetur qeverinë pararendëse me pjesëmarrjen e saj në Irak dhe një nga vizitat e para kam bërë tek ushtarët tanë në Mosul.

Unë, sigurisht kam qenë dhe jam, në radhë të parë dhe para së gjithash për qëllime të të drejtave njerëzore, për zbrazjen e burgut të Guantanamos, në këtë kontekst me administratën e Presidentit Bush ne morëm një seri të burgosurish nga ky burg dhe të njëjtin premtim i bëmë administratës së presidentit Obama, i cili përcaktoi zbrazjen e këtij burgu si një nga drejtimet e politikës së tij dhe ne jemi shumë të kënaqur sepse në fund të fundit, nuk është se ka shumë fusha në të cilat ne mund të ndihmojmë SHBA, ose mundtë bëjmë, larg asaj që mund të bëjmë atë që ato kanë bërë për ne”, përfundoi deklarata e kryeministrit Shqiptar.

Pjesë e bisedës mes përfaqësuesve të SHBA dhe Francës

“Errera tha se Franca është e qetë me secilin prej tre kandidatëve të Kartës Adriatik 3. Veçanërisht Franca nuk ka asnjë problem me anëtarësimin e Kroacisë. Megjithatë, Errera pohoi se Shqipëria duket se po e merr për të mirëqenë pranimin dhe lipset që të bëjë më shumë përpjekje për të fshirë çështjet e korrupsionit. Sa i takon Maqedonisë, Errera tha se qeveria e Maqedonisë nënvlerëson seriozitetin e çështjes së emrit për Greqinë dhe Shtetet e Bashkuara nuk duhet të bëjnë të njëjtin gabim. Franca nuk do të bëjë presion mbi Greqinë për këtë çështje. Ndër të tjera, nëse Athina do të lëshojë pe në çështjen e emrit, qeveria greke mund të bjerë, çka mund të sjellë një qeveri të re, që mund të jetë përgjegjëse dhe mesa duket armiqësore ndaj ratifikimit të procesit të zgjerimit”.

“Wikileaks”, koordinimi SHBA-Gjermani për Kosovën

“Wikileaks” zbulon një tjetër dokument lidhur me Kosovën te misionit diplomatik amerikan në Gjermani. Këtë herë bëhet fjalë për një dokument ku flitet rreth organizimit dhe zbatimit të planit për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe mbështetjes gjermane për të. Zëvendësshefi i misionit amerikan në Gjermani, John Koenig, siç raporton “Indeksonline”, udhëzon shtetin gjerman se si të veprohet për të koordinuar sa më mirë shpalljen e pavarësisë së Kosovës, dhe si të bëhet mbështetja e shtetit të ri nga Gjermania. “Ne shohim bashkëpunim ndërmjet kancelares dhe Stenimeierit për Kosovën, dhe ka interes për të punuar së bashku me SHBA-në për të zgjidhur statusin dhe për të bërë gati rolin prijës të BE-së atje. Derisa Bundestagu do të angazhohet intensivisht në debatin që do të pasojë shpalljen e koordinuar të pavarësisë, ne presim konsensus të gjithanshëm në favor të pavarësisë dhe që KFOR-i e Misioni Planifikues i BE-së të mbajnë misionet e tyre”, thuhet në dokumentin sekret diplomatik të diplomacisë amerikane.

Ilir Gjoni: Dalja e dokumenteve, gjë negative për qeveritë

Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Gjoni, njëkohësisht nënkryetar i Komisionit të Sigurisë, tha se nxjerrja e dokumenteve nga "Wikileaks" mund të ketë ndikim negativ për qeveritë. "Fenomeni i publikimit të dokumenteve sekretë nga 'Wikileaks' mund të jetë negative për qeveritë sepse nxjerr në opinionin publik vendas dhe botëror materialet që konsiderohen sekrete, ndërkohë që për mediat dhe opinion publik është pozitiv", tha ai për mediat. Duke e cilësuar relativ ndikimin që ka publikimi i dokumenteve sekrete nga faqja e internetit "Wikileaks", Gjoni shprehu bindjen se "nga publikimi i këtyre materialeve nuk do cenohen marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA". "Mund të cenohen marrëdhëniet mes qeverive, por kjo varet gjithsesi nga materialet. Ndërkohë para vendit tonë lind nevoja që të zgjidhë çështjen e sigurisë kombëtare, të drejtës së informimit të medias dhe opinionit publik dhe ruajtjes së sekretit shtetëror", tha Gjoni. Ai shtoi se nëse do të ketë publikime për Shqipërinë, kjo duhet të bënte që klasa politike në vend t’i trajtonte ato me seriozitet. "Nëse do të publikohen materiale për Shqipërinë ato do të jenë objekt analize i klasës politike, por edhe medias dhe opinionit publik, që është mirë të njihet me materialet e prapaskenave për të analizuar fenomenet qoftë edhe në aspektin historik", u shpreh ai më tej.

Paloka: Dokumentet e Wikileaks, kërcënim për sigurinë

Publiket e fundit në Wikileaks, kanë shkaktuar reagime edhe në Tiranë. Deputeti demokrat, Edi Paloka, u shpreh dje se publikimet e mijëra dokumenteve janë “kërcënim për sigurinë e individit apo të shtetit". "Kjo çështje duhet parë në disa aspekte. Po të flisja si gazetar mbase do të preferoja këtë lloj "transparence", edhe për dokumentet që nuk janë të njohura për publikun. Por, fakti që dokumente të tilla nuk bëhen të njohura për publikun ka një arsye të fortë: që është ruajtja e sigurisë së individëve apo dhe të shteteve të ndryshme", u shpreh Paloka. Deputeti demokrat tha më tej se i qëndronte komentit të Sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Klinton, e cila tha se "kemi të bëjmë me një korrespondencë midis diplomatëve, por që në fund të fundit politikën zyrtare të SHBA-së e vendos Departamenti i Shtetit dhe jo korrespondenca diplomatike".  Sipas deputetit Paloka, "jo në emër të transparencës dhe paraqitjes para publikut të gjithçkaje mund të kërcënohen apo rrezikohen dhe të tjera gjëra"

Presidenti Obama vijon të mos prononcohet për daljen e sekreteve
SHBA: Politika e jashtme nuk do të ketë pasoja nga publikimet

Shtëpia e Bardhë ka lejuar Departamentin e Shtetit dhe Pentagonin që të merren me pjesën më të madhe të përgjigjeve zyrtare për dokumentet e Departamentit të Shtetit të publikuara nga Wikileaks. Sekretari i medias pranë Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs tha se presidenti Barak Obama nuk është angazhuar për të bërë ato që ai i quajti telefonata “provokative” me udhëheqësit botëror. Disa herë, gjatë përgjigjes së tij Gibs iu referua thënieve të Sekretares amerikane të shtetit Hillari Klinton dhe Pentagonit. Zëdhënësi presidencial në shtëpinë e Bardhë, Gibs nuk e përjashtoi mundësinë që Obama t’u përgjigjet personalisht disa prej elementëve të publikuar në Wikileaks, duke thënë se nëse presidenti flet me udhëheqësit botërorë ose nëse ata vizitojnë Uashingtonin, ai do t’i siguronte ata për qëllimet e përbashkëta. I pyetur se përse Presidenti nuk e ka shprehur publikisht zemërimin e tij rreth dokumenteve të publikuara të Departamentit të Shtetit, Gibs tha se Obama e konsideron rrjedhjen e informacionit një shkelje të rëndë të ligjit dhe një kërcënim serioz për personat që janë zbuluar dhe që kanë ndihmuar politikën e jashtme amerikane.

Efekti

Gibs tha se politika e jashtme amerikane nuk do të ketë pasoja nga ky skandal. “ Nuk besoj se publikimi i këtyre dokumenteve prek aftësinë tonë për të drejtuat politikën e jashtme dhe për ecjen përpara të interesave tona”. - tha ai. Gibs theksoi se një hetim është duke u zhvilluar se si Wikileask arriti të ketë qindra mijëra dokumente sekrete që i publikon. Administrata e Presidentit Obama, tha se është “ duke parë një mori gjërash” dhe se asgjë nuk është e përjashtuar. Prokurori i Përgjithshëm i SHBA Erik Holder tha se Wikileaks dhe personat që janë të përfshirë në këtë publikim dokumentesh, janë objekt i hetimit. Ai tha se kushdo që ka thyer ligjin amerikan do të jetë përgjegjës. I pyetur nëse Presidenti Obama do të diskutonte për publikimet e Wikileaks me udhëheqës botërorë siç është Presidenti i Pakistanit Asif ali Zardari i cili është përfolur negativisht nga një udhëheqës i huaj në njërin prej dokumenteve, Gibs tha se nëse kjo çështje do të shtrohej për diskutim, atëherë Obama do të flasë mbi këtë çështje.

Cilat do të jenë pasojat e publikimit të sekreteve nga ana e Wikileaks
Si do reagojnë qytetarët kur të shikojnë nofkat për liderët e tyre

Populli i Rusisë do të shokohet, kur të zbulojë se diplomatët amerikanë mendojnë se Presidenti rus, Dimitri Medvedev, luan rolin e Robinit, kurse Putini Betmenin. Italianët po ashtu do të tmerrohen kur të mësojnë se kryeministri i tyre, Silvio Berluskoni, konsiderohet “lider evropian fals dhe i padobishëm”. Francezët gjithashtu do të shtangen kur të dëgjojnë se Presidenti i tyre, Nikolas Sarkozi, është quajtur “lëkurëhollë dhe autoritar”. Sa u përket afganëve, ata do të habiten kur të lexojnë se Presidenti i tyre, Hamid Karzai, është përshkruar si “njeri tejet i dobët, i cili nuk ua vë veshin fakteve”. Cilido që do t’i lexonte mesazhet gjysmëdiplomatike, të publikuara nga WiklLeaks, pak a shumë do të ndjehej njëlloj.

Robert Mugabeja i Zimbabvesë është një “plak i marrë”. Moamer Gadafi i Libisë udhëton me një biondinë, e cila përshkruhet si “kryeinfermiere ukrainase”.

Reagimet

Në ditët e ardhshme do të thuhen shumë më tepër gjëra për dokumentet e sapopublikuara. Por, para kësaj të mos e harrojmë thelbin e çështjes. Mbi të gjitha, dokumentet përmbajnë thesar të gjërave që njerëzit zakonisht i thonë jozyrtarisht. Ato nuk janë regjistrime të shkeljeve të të drejtave të njeriut, ato janë copëza të bisedave. Dokumentet “zbulojnë”, përveç tjerash, se Shtetet e Bashkuara (për çudi) bëjnë lobim te vendet e tjera që të organizojnë sanksione kundër Iranit, se diplomatët e Koresë Jugore kanë diskutuar se çfarë mund të ndodhte nëse bie Koreja Veriore, se diplomatët amerikanë u kanë dhënë mito vendeve tjera që t’i pranojnë ish-të burgosurit nga Guantanamo. Rrëfimi i vërtetë nuk qëndron tek informatat, shumica e të cilave janë raportuar më herët, por te gjuha. Diplomatët e zakonshëm citohen të kenë bërë komente jo aq të pëlqyera me bashkëbiseduesit e tyre. Jo të gjithë ata janë amerikanë.

Mendimet e liderëve për njëri-tjetrin

Mbreti saudit mendon se Presidenti i Pakistanit është “i kalbur”. Kryediplomati francez mendon se Irani është një “shtet fashist”. Shefi i Bankës Qendrore britanike mendon se kryeministri i tij është “i cekët”, dhe kështu me radhë. Kuptohet që e gjithë kjo është e turpshme për ata që i kanë bërë komentet e tilla. Por, jam më pak e sigurt nëse zbulimet do të na çojnë diku. Përkundrazi, duket sikur në emër të “lirisë së fjalës”, i është bërë edhe një goditje fjalës së ndershme. Tash, vetëm iu dha më shumë municion atyre që parapëlqejnë kontrollin, korrektësinë politike dhe hipokrizinë më të madhe. Mos prisni qeverisje më të mirë pas këtyre zbulimeve, prisni vetëm sekrete më të thella... Për pasojë, vetëm udhëheqësit autoritarë do të mund të jenë në gjendje të flasin sinqerisht me njëri-tjetrin. Një zyrtar rus mund ta mbajë deklaratën jokorrekte larg gazetave. Gjenerali kinez edhe ashtu, kurrë nuk do të fliste me gazetarët. Zyrtarët e nivelit të ulët në Iran nuk do t’ia dërgonin më informatat Wikileaks-it, sepse regjimi mund t’i vrasë dhe t’ua torturojë familjet. Për dallim prej tyre, zyrtari i nivelit të ulët në administratën e Shteteve të Bashkuara, i cili, sipas të gjitha gjasave, i ka nxjerrë këto informacione diplomatike, do të jetojë gjatë.

Wikileaks: Do të nxjerrim fakte tronditëse për bankat

Tërmeti Wikileaks s’ka të ndalur. Pas nisjes së publikimit të letër-këmbimeve sekrete mes Departamentit të Shtetit dhe ambasadave amerikane anembanë globit, kreu i faqes së internetit më të përfolur për momentin, citohet të ketë thënë: tashmë radha e bankave. Kjo sipas revistës “Forbes” e cila në një intervistë të rrallë me australianin themelues të Wikileaks, Julian Assange shkruan se tashmë nën shënjestrën e Wikileaks është i ashtuquajturi “biznesi i madh”, bankat. “Në fillim të vitit tjetër, një ndër bankat më të mëdha të Shteteve të Bashkuara do të ndodhet e gozhduar përballë të vërtetës. Qindra mijëra dokumente do të publikohen nga Wikileaks, duke anashkaluar kërkesat e manaxherëve dhe të personave të tjerë të interesuar”, citohet Assange sipas “Forbes”. Në shkrimin e “Forbes” nuk përcaktohet saktësisht se çfarë ka komprometues materiali i vënë në duart e Wikileaks nga banka dhe as emri i institucionit financiar. Assange mjaftohet me përgjigjen se në dritë do të dalin skandalet e më shumë se një banke.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama