Terapia e detit kuron sëmundje
Terapia e detit kuron me sukses mjaft sëmundje dhe lehtëson përparimin e shumë të tjerave. Por nuk duhet abuzuar me dëshirën për banjë dielli, pasi rekomandimi i saj ose jo, mësohet vetëm në kontaktet me mjekun. Dihet që një numër sëmundjesh përkeqësohen dhe për disa të tjera, dielli mund të jetë me pasoja për jetën. E mira është që të bëhen banja ajri në hije dhe në orët e mëngjesit. Banjat e mëngjesit janë të këshillueshme për sëmundjet e kockave dhe muskujve. Banjat e detit kanë veprim pozitiv në shërimin e reumatizmës që ka kaluar fazën e acarimit para 6 - 7 muajsh. Për të tillë të sëmurë këshillohen banja ajri dhe pas një jave banjat e diellit në orët e mëngjesit. Bëhen 15 - 20 seanca të përgjithshme. Mund të bëhen edhe banja dielli të pjesshme, duke zbuluar vetëm kyçet e sëmura në 2 - 3 seanca. Nëse nuk ka prirje për t'u përsëritur sëmundja, përdoren edhe banjat e ujit, por për këtë, i sëmuri duhet ambientuar mirë, duke u lagur me ujë deti disa herë. Temperatura e ujit në fillim duhet të jetë 34 gradë Celsius, pastaj mund të zhytesh në ujë që zbret në 22 gradë.
Banjat për frakturat dhe plagët
Në raste të frakturave ose të plagëve veprojnë mirë banjat e ajrit prej 15 - 20 minutash e deri në dy orë, dy - tri herë në ditë në temperaturën e ajrit 16 - 22 gradë. Banjat e diellit përdoren të pjesshme dhe të përgjithshme. Të pjesshme, kur plagët mbyllen me vështirësi.
Tiroidet, si kurohen ne pyje dhe bregdet
Sëmundjet e këtyre gjëndrave janë të lidhura me funksionin e prishur të tyre nga shumë faktorë. Sëmundja që do mjekim klimaterik është tireotoksikoza e gradës së mesme dhe të rëndë, por pa çrregullime të thella. Kanë efekt të mirë vendet klimaterike në pyje dhe bregdet
Uji i detit dhe vetitë kuruese të tij tek njerëzit
Sëmundjeve si psoriazis vulgaris, ekzema kronike e thatë, deurodermitet, faza premykotike, tuberkulozi i lëkurës, sëmundja e leshmanozës, aknejuvenilia, alopecia areta, urtikaria kronike etj; të cilat kanë vetëm përfitim nga banjat e detit. Në mjekimin e këtyre sëmundjeve ndikojnë mjaft mirë rrezet ultravioletë, aerojonet dhe radioaktiviteti i ajrit, si dhe faktorë të tjerë të ajrit, të tokës dhe ujit. Rrezet e diellit nuk mund të zëvendësohen në asnjë mënyrë me rrezet ultravioletë që prodhohen në mënyrë artificiale. Megjithatë, ka edhe raste kur banjat e diellit nuk janë të këshillueshme dhe kjo më konkretisht u "mohohet" atyre që vuajnë nga tuberkulozi aktiv i mushkërive, që kanë eksitime (shqetësime të forta të sistemit nervor, dhimbje të vazhdueshme të kokës, marrje mendsh me të vjella, rrahje të shpejta të zemrës). Po ashtu, nuk rekomandohet banja në ato sëmundje të lëkurës që acarohen si fotodermatozat. Banjat e diellit nuk u këshillohen atyre që vuajnë nga epilepsia, nga sëmundjet infektive, nga sëmundje të rënda të veshkave, atyre që kanë prirje për hemorragji në tru, që janë shumë të dobët, me stenokardi (shtrëngime në zemër), që kanë tension të lartë të gjakut etj. Banjat u ndalohen njerëzve me moshë të thyer dhe grave në periudhën e dytë të barrës. Edhe të moshuarit që kanë predispozicion për tumore të lëkurës nuk duhet të qëndrojnë në diell më shumë se dy orë. Për çdo rast është e nevojshme të merrni parasysh këshillat e mjekëve.
Nxehtësia, e dobishme për sëmundjet veshkave
Banjat e diellit veprojnë mbi veshkat. Krahas me zgjerimin e enëve të gjakut të lëkurës, zgjerohen edhe enët e gjakut në veshka. Nëse shtohet djersitja në lëkurë, nuk ka ndonjë ndryshim në funksionin e veshkave, por kur nuk shtohet djersa, banjat e diellit shkaktojnë rritjen e punës së veshkave duke shtuar nxjerrjen e urinës dhe bashkë me të, edhe të lëndëve e tjera që përmban urina. Është vënë re se veprimi i rrezeve të diellit nuk shkakton ndonjë dëm mbi veshkat, jo vetëm kur ato janë të shëndosha, por edhe kur janë të sëmura. Klima e nxehtë përgjithësisht ka një ndikim të mirë në funksionimin e veshkave. Banjat e ajrit bëhen 1 - 2 orë në ditë, veçanërisht në sëmundjet e gurëve të veshkave dhe fshikëzën e urinës.
Këshilla
1- Mbani syze dielli.
2- Kremin kundra diellit përdoreni 30 minuta para se të dilni nga shtëpia.
3- Evitoni lëvizjet nga ora 11 deri në orën 16.
4- Vishuni lehtë, dhe tregoni kujdes për fëmijët deri në moshën 10- vjeçare.
5- Fëmijët deri në 6 muaj, nuk duhet të lyhen me vajra plazhi.
6- Mbani gjithë kohën ujë mineral me vete (ndihmon në qarkullimin e gjakut).
7- Shtojini menysë së përditshme sa më shumë sallata dhe lëngje.
8- Uji i detit bën mirë për gjëndrat tiroide.
9- Nxehtësia e verës kuron veshkat.
Këshilla për kremin solar
1- Kremi i plazhit duhet të përdoret 20 minuta para se të shkojmë në det.
2- Solari duhet të përdoret sa herë të dilni nga deti.
3- Kremi dhe solari i plazhit duhet të jetë me karota.
Si ta ruajmë ngjyrën e plazhit
1- Evitoni të laheni me ujë të ngrohtë që e zbut shtresën sipërfaqësore të lëkurës, duke e larguar atë .
2- Mos përdorni për pak kohë pastrues shumë të fuqishëm. Më pas mund të kërkoni ta riforconi ngjyrën.
3- Aplikoni në fytyrë një maskë të realizuar me çaj të errët (dy paketa për gjysmë litri ujë). Aplikojeni me anë të një pambuku dhe mos e shpëlani.
4- Aplikoni në trup një masë të përberë nga 4 karota.