BESNIK DIZDARI
Me sa shihet, humbja e Sh qipërisë 1-3 në miqësoren me Ukrainën, po përjetohet disi si dramë. I pikëlluar u duk trajneri De Biasi. Të stepur gazetarët e brezit të sotëm që shoqërojnë Kombëtaren dhe FSHF-në.
E tulatur në tribunë treshja e krerëve të FSHF-së, që të duket sikur ka shkuar me një bujë të parakohshme. Pretencioze shumica e komenteve, sidomos si përherë në radhë të parë ato televizive që si asnjëherë në historinë e Shqipërisë janë kaq pranë FSHF-së.
A thua se nga Ukraina u mundën të mëdhejtë Spanjë a Brazil, jo "e vogla" Shqipëri - debutuesja e EURO 2016. Dhe nga lavdërimet euforike gati-gati është kaluar në kritikat e pandalshme. Si për të dashtë me kërkue "halën në perpéq" siç thonë gegët.
Për çudi më shkon në mend ajo çka kam thënë në mars mbas humbjes 1-2 me Austrinë në shkrimin "Shqipëria mund ta ulë paksa kryet", teksa shkrova:
"Më duket se Shqipërinë e ka përfshi një lloj kryelartësie prej së cilës ndoshta sapo është shfaqur deri diku edhe një eufori. Kjo u pa me mënyrën se si e filloi ndeshjen me austriakët, një lloj mendjelehtësie që dukej qartë se i vinte prej kryelartësisë "së brumosur" prej gjithë këtyre muajve "festivë" të mbaskualifikimit historik".
E për çudi kjo mbetet ende në fuqi. Është një kryelartësi krejt atipike: eufori para se me luejtë dhe "revoltë" mbasi ke luejtë. Pra mbasi ke humbë. Të dyja të gabuara. Ose e thënë më qartë: të dyja të dëmshme, çka një javë para Zvicrës, e bëjnë këtë Kombëtare që t'i lëkundet baraspesha.
Madje një tufë baraspeshash. Baraspeshë për të njohur mirë vetveten. Baraspeshë për të vlerësuar drejt kundërshtarin. Baraspeshë për të llogaritur me maturi se çfarë do të synosh.
Baraspeshë për të mos u hedhur përpjetë prej gëzimit thjesht ngaqë ke shkuar atje. Baraspeshë për të mos u çuditur kur të mundë një kundërshtar më i mirë se ti, më me përvojë se ti.
Kësisoji, në gjithë këtë panoramë, humbja me Ukrainën 1-3 mua më duket normale. Më vjen pak si rëndë që ishte disi e thellë, por Ukraina ka qenë dhe është tejet më e fortë se Shqipëria.
Ajo që të shqetëson është kjo tjetra: në 4 ndeshje të fundit me skuadra më të forta se vetja, në tanësinë miqësore/kualifikuese, Shqipëria ka këto përfundime: me Ukrainën 1-2, me Austrinë 1-2, me Serbinë 0-2, me Portugalinë 0-1.
Katër humbje - 4 ndeshje! Mendoj se këtu është edhe problemi, kur mendon se nga 11 qershori e presin përsëri plot tri skuadra më të forta, më me përvojë se ajo: Zvicra, Franca, Rumania! E pra? Më duhet të shkoj pak më mbrapa dhe të kujtoj fitoret e Shqipërisë me të fortë se ajo: 1-0 Francës, 1-0 Portugalisë.
Dhe vetëm kaq deri te humbja 1-0 me Rumaninë e plot dy vjetëve më parë. E shihni që bilancet janë të pamëshirshëm. Ky është mësimi kapricioz i historisë. Për një çast më bëhet të them se Shqipëria gati ka harruar të fitojë me më të fortët. Ndonëse dihet jo gjithmonë fitojnë më të fortët. Këto ditë, disi artificialisht, Kombëtarja ka shkaktuar përjetimin e një lloj drame "të vogël" me largimin e 4 lojtarëve 10 ditë para Kampionatit.
Çka është e rëndë, kur më mirë do të kishte qenë që qysh në fillim të ishin përcaktuar jo 27, por 23. Media i ka shkuar mbrapa kësaj "drame të vogël" që prapëseprapë nuk duhet shndërruar në "dramë" deri aty, saqë të ndjekësh me mikrofon në dorë deri në lamtumirë futbollistin që po largohet, si të thuash, "në punë të vet".
Dhe mandej deklarata, komente, shkaqe të vërteta e të pavërteta, keqardhje e kritika, mëdyshje e rehatime të padëshirueshme deri në thuajse një zhurmë!...
E vërteta është se Kombëtarja nuk duket të jetë fort e qetë. Çka u pa edhe në mënyrën se si i luajti dy miqësoret. Gjithçka të dukej paksa si vetëkënaqësi shembullore me Katarin, mandej kthesa 3-1 më tepër për dobësi të kundërshtarit se për një meritë të veçantë të shqiptarëve.
Vetësiguria u po paksa edhe me Ukrainën e fortë, me 45 minuta të hijshme vërtet, por mandej hap mbas hapi dorëzim që mbërrinte prej një konfuzioni krejt të qartë.
Një skuadër pa një lider moral apo teknik, një mbrojtje e çoroditur dhe veprimi dëshpërues i trajnerit duke besuar jo më në një, por në disa sulmues njëherësh. Si të ndodhej përballë një kundërshtari të Kategorisë së Dytë që po kryesonte ndeshjen kotsëkoti. Teknikisht apo taktikisht, teksa për vite është mësuar të luajë me një Lorik Cana - vendimtar moral dhe sidomos shtyllë në mbrojtje, ndoshta problemi mund të jetë mû mbrojtja, që papritmas humbet harmoninë. Katër golat e pësuar thuajse e vërtetuan këtë.
E megjithatë, prapë nuk mendoj se e gjitha kjo duhet përjetuar si një dramë. Aq më tepër kur në fund të fundit kujton normalen e asaj çka ndodhi: fitore me një më të dobët se vetja, humbje me një më të fortë se vetja. Pa harruar atë tjetrën: ishin thjesht ndeshje miqësore.
Dhe Ukraina - Shqipëria 3-1? Normale! Sepse më 11 qershor krejt papritmas mund të ndodhë kjo tjetra: bie fjala Shqipëria - Zvicra 1- 0! Ëndërr e bukur, apo jo? Mirëpo, kur ndërkaq kujton se ka ndodhë Portugalia - Shqipëria 0-1 apo dhe Shqipëria - Franca 1-0, vëren se ka raste kur ëndrrat realizohen. Kur më 1974, RDGJ-ja fitoi me Gjermaninë Perëndimore 1-0 në Kupën e Botës në Mynih, trajneri humbës Helmut Schön, duke dalë nga fusha me qetësi olimpike, tha: "Tash u binda se do të jemi ne Kampionët e Botës, sepse qysh sot lojtarët e mi do ta ulin paksa kryet"...
Ndonëse krahasimi duket grotesk kur kujton se Shqipëria 2016 kurrsesi nuk është Gjermania 1974 e Beckenbauer-it dhe e Muller-it. Për fat, me çka shoh sidomos në TV, vërej fytyra tejet të ndritshme futbollistësh, drejtuesish, shoqëruesish të veshur me kostume shik, paksa të fryrë pra.
E ndoshta disi të kalamendun. Më bëri përshtypje kur mësova se Shqipëria kishte paguar dhomat e hotelit më shtrenjtë se nja 10 shtete të tjerë. Madje edhe më shumë se Zvicra që është ndër vendet më të para të botës në nivelin e jetesës.
Dhe prapë m'u kujtua ajo çka tha pak vite më parë një huaj: "Federata Shqiptare e Futbollit është më e pasura në Ballkan". Nuk e besoj. Ajo që besoj është kjo tjetra: se edhe shtatë ditë nuk janë pak për të ndryshuar paksa një strategji, për të prekë paksa një taktikë tradicionale, për të qetësuar vetveten.
Aq më tepër kur dihet se Shqipëria ka sot një skuadër të mirë, e cila ka arritur më të madhen e saj në histori. Natyrisht pa harruar se në FRANCË 2016 sa ka shkuar falë zotësisë së saj, po aq ka shkuar edhe falë një 3-pikëshi me vendim tryeze. E as këtë ajo nuk duhet ta harrojë.
Ngaqë e ndihmon jo pak për ta ulë paksa kryet. Dhe jo vetëm ajo, por gjithë mjedisi disi gjigant që çuditërisht e rrethon...