Ulenshpigelet

Ulenshpigelet
Shkruante Fan Noli në 1923: “Shqipërisë i ngjau me Ahmet Zogun siç i ka ngjarë një konti me Til Ulenshpigelin. Ky Nastradin i veriut kish marrë përsipër, me një shpërblim të lartë e të parapaguar, të stoliste me piktura kështjellën e kontit. Këtë punë do ta mbaronte brenda në 4 muaj, po vuri konditën që në këtë periudhë asnjë njeri tjatër nuk do të hynte brenda në kështjellë që t’i prishte qetësinë.

Katër muajt me radhë Til Ulenshpigeli ndenji në kështjellë ku hante pinte e bënte qejf mbi kurrizin e kontit e NUK BERI ASGJE. Kur u mbarua afati, ftoi kontin, konteshën e miqtë e tyre të vinin të admironin “pikturat dhe dekoret” që nuk ishin. Që të shpëtojë e të ikë, para se t’i zbulohej lodra, mejtoj këtë strategjemë: Kur hynë konti, kontesha e miqtë e tyre në kështjellë paralajmëroi kështu: “Ata dhe ato prej jush që janë doçë e doçe nuk do të mundin dot t’i shohin pikturat e dekoratat që kam bërë”. Kështu hynë brenda në kështjellën dhe cilido përpiqej të lëvdonte “pikturat e dekoret” që nuk ishin, nga frika se mos quhej doç. Vetëm një shërbëtore, pasi u përpoq më kot të shoh piktura e dekore, thirri: “Ndjestë pastë nëna ime, më ka bërë doçe, se unë nuk shoh asgjë”.

Po gjersa të guxonin të thoshin edhe të tjerët që nuk shikonin asgjë, Ulenshpigeli kish’ fluturuar… Kështu e mori përsipër Ahmet Zogu ta zbukuronte Shqipërinë dhe kështu na mbushi kokën me profkat e tij. Pak kohë pastaj, puna doli fyçkë dhe u kuptua prej të gjithëve. Po më të shumtit nuk guxonin ta thonin nga frika se mos quheshin “tradhëtorë”. Një pakicë pati guximin ta thotë të vërtetën. Ajo pakicë do shtohet dita me ditën dhe nuk do jetë larg dita, kur do t’ia këndojnë A. Zogut këngën në këtë formë: Rroftë Ahmet Zogu, rroftë/ Shakaxhiu i përparimit/ Brez pas brezi u kujtoftë/ Si Stërnip i Nastradinit…”

Sikur të na lejonte Noli t’ia këmbenim né këto rreshta emrin e Ahmetit me të Saliut, kjo copëz do dukej sikur është shkruar sot. Shqipëria e gjorë është kapur keq për fyti nga absurdi i përshkruar më lart si histori e veriut të largët. Shqipëria e di shumë mirë që ka për kryeministër njeriun që ekzekutoi pa gjyq 4 njerëz në 21 janar 2011 dhe fjala i ka ngecur në grykë… Shqipëria e di shumë mirë që ka për kryebashkiak të kryeqytetit një hajdut që po ushtron një mandat të grabitur sy të gjithëve dhe fjala prapë i ka ngecur në grykë…

Shqipëria e di shumë mirë që në qeveri ka kriminelë që kanë vrarë fëmijë në Gërdec dhe kanë vjedhur miliarda dhe fjala prapë i ngec në grykë… Shqipëria e di shumë mirë që këta hipokritë e burracakë kanë firmosur për t’ia mbushur barkun këtij vendi të gjorë me plehra toksike dhe prapë fjala i ngec në grykë… Shqipëria e di shumë mirë që po e tallin, po e gënjejnë e po e trajtojnë si lavire dhe prapë fjala i ngec në grykë… I ngec fjala në grykë Shqipërisë së ngratë sepse Ulenshpigeli dhe ulenshpigelët e shpërndarë si mizat në m..t, u thonë nga mëngjesi në mëngjes që ajo që shihni nuk është ajo që shihni dhe ajo që dëgjoni nuk është ajo që dëgjoni.

Ndaj pohime si ato në intervistën e mbrëmshme të ambasadores gjermane, janë një ndihmë e madhe përballë makinës së propagandës qeveritare që gënjen non stop si vetë i “paoksidueshmi” kryeulenshpigel i “republikës”, që kujdeset të jetë edhe personalisht në mënyrën më të shpifur e më mbytëse të mundshme 24 orë në 24 nëpër ekranet televizive në shërbim të kësaj propagande.

Është pra e rëndësishme ta dëgjojmë të vërtetën shkoqur nga miqtë e huaj të Shqipërisë, jo pse qytetarët e këtij vendi nuk e dinë që Sali Berisha është një mashtrues patetik. Por qytetarët shqiptarë (them qytetarët) kanë kaq shumë nevojë t’i dëgjojnë të vërtetat të thuhen hapur, pikërisht sepse kjo makinë propagande, – e fryrë me miliarda jashtë ligjeve nga taksat e një vendi ku të tjerët digjen të gjallë në rrugë sepse nuk paguhen sipas ligjeve, – po tenton të bëjë për qorr e budalla një popull të tërë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama