Ulet 27 cmimi i naftes Bankers njofton nderprerje prodhimi ne puse

Ulet 27% cmimi i naftes, Bankers njofton nderprerje prodhimi ne puse

Bankers Petroleum njoftoi se do të frenojë ritmet e rritjes së prodhimit për shkak të çmimeve shumë të ulta të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare. Bankers, e pranishme në zonat Patos-Marinëz dhe Kuçovë, po vlerëson volumet e çdo pusi në fushë, njoftojnë burimet zyrtare të kompanisë.

Në nëntor, kompania vendosi të mbyllë prodhimin nga disa puse me përmbajtje të lartë uji për shkak të reduktimit të kapaciteteve të heqjes së ujit pas një dëmtimi në një nga pompat e injektimit. Pjesët e këmbimit për pompën pritet të mbërrijnë në vend në mesin e muajit janar dhe prandaj normat e injektimit do të rikuperohen përgjatë tremujorit të parë.

Kompania njoftoi se ka shënuar një rritje 14% në vitin 2014, me një prodhim mesatar prej 20.687 fuçish në ditë, kundrejt 18.169 fuçi në ditë në vitin 2013. Por shifra ra në tremujorin e katërt 2014, kur prodhimi mesatar nga fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës ishte 20.324 fuçi në ditë.

Gjatë tremujorit të katërt, shitjet mesatare të naftës ishin 20.619 fuçi në ditë, 6% më të ulëta se mesatarja e tremujorit të mëparshëm, prej 21.992 fuçi në ditë. Dhe inventari i naftës së papërpunuar në 31 dhjetor 2014 u ul në 315.500 fuçi në krahasim me 342.500 fuçi në 30 shtator 2014. Gjatë tremujorit të katërt, çmimi mesatar i naftës të Patos-Marinzës ishte rreth 57.31 $ për fuçi, në ulje të ndjeshme ndaj 78,55 $ për fuçi që ishte çmimi mesatar në tremujorin e tretë të vitit, një rënie në masën 27 për qind.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama