Ulet me 45 ditë dënimi për pedofilin anglez David Brown. Vendimi është marrë në 20 dhjetor nga gjykata e Tiranës, e cila ka pranuar kërkesën për uljen e dënimit ndaj Brown, i cili është shpallur fajtor në vitin 2009, duke u dënuar me 20 vite burg për pedofili.
Nga kjo masë dënimi shtetasi anglez që dikur drejtonte qendrën humanitare “Fëmijët e tij” në Tiranë, ka arritur të shlyejë 10 vite e 2 ditë burg, duke i mbetur dhe plot 9 vite e 11 muaj e 28 ditë. Ndërkohë tashmë ky dënim është ulur me 45 ditë.
Në vendimin e gjykatës thuhet se i dënuari pretendon se gjatë gjithë periudhës së dënimit, ai ka qenë i rregullt në sjelljen e tij dhe ka respektuar rregulloren, e për sa më sipër kërkon të shpërblehet nga vuajtja e dënimit me 45 ditë ulje. Nga karakteristika rezultoi që ky i dënuar ka një sjellje shumë të mirë me bashkëvuajtësit, ka ndërtuar marrëdhënie shumë të mira me personelin, mban kontakte të rregullta telefonike dhe korrespondencë me familjarët e tij në Angli. Ai nuk është ndëshkuar me masë disiplinore dhe shfaq pendesë për krimin e kryer.
Ndërkohë në dosjen penale prokuroria konstatoi gjatë hetimeve duke provuar me anë të dëshmitarëve të viktimave se i pandehuri David Brawn ka konsumuar veprën penale të “Marrëdhënieve homoseksuale me të mitur” në bashkëpunim. Gjatë dhënies së pretencës prokuroria nënvizoi se për vuajtjen e këtij dënimi, i pandehuri duhet të izolohet në një burg të sigurisë së lartë, për shkak të rrezikshmërisë së kryerjes së kësaj vepre penale. Sipas konkluzioneve, i pandehuri ka abuzuar me dy të mitur të moshës 6 dhe 7 vjeç, në kohën kur këta të mitur jetonin dhe banonin në qendrën bamirëse “Fëmijët e tij” që ndodhej në rrugën “Dervish Hekali”, në banesën private me nr. 32, për shkak të kushteve të këqija ekonomike pranë familjeve të tyre.
Gjatë seancave gjyqësore, i pandehuri Brown ka pretenduar disa herë se ishte impotent dhe nuk mund të kryente marrëdhënie homoseksuale për shkak të sëmundjes së fimozës, që për ekspertët mjeko-ligjorë kjo nuk është e vërtetë.