”Nga 8700 të sëmurë kronikë që janë trajtuar në muajin për një vlerë rreth 27 milionë lekë, në tetor, me po këtë vlerë lekësh kanë përfituar trajtim rreth 9100 pacientë“, tha dje gjatë një konference për shtyp drejtoresha e ISKSH-së. Sipas saj, prej vitit 2006 çmimet e barnave kanë pësuar një ulje deri në masën 17%. Sot, nga sa u bë me dije dje gjatë një konference për shtyp, janë 420 barna në listën e rimbursimit, me një vlerë prej 6.9 miliardë lekësh, duke dyfishuar përfitimet e pacientëve, krahasuar me vitin 2006. “Është rritur ndjeshëm numri i pacientëve që kanë përfituar nga rimbursimi i barnave, duke e zgjeruar skemën me ritme mjaft të larta nga viti në vit”, tha drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana.
Ajo solli disa shembuj për t’u kuptuar më mirë këto politika. “Me barin eritropoetine, i cili përdoret për kurimin e pacientëve që vuajnë nga insuficenca renale) në vitin 2006 kuroheshin 182 pacientë, ndërsa sot trajtohen rreth 550 pacientë, me vlerë totale rimbursimi 28 milionë lek/muaj, pra kemi trefishim të pacientëve të trajtuar dhe të shpenzimeve të rimbursimit”, tha Hana. E njëjta gjë sipas saj ka ndodhur edhe me barnat e sëmundjeve kardiovaskulare (losartan), të cilin sot e përfitojnë 26 mijë pacientë në muaj, në një kohë që në vitin 2006 e përfitonin më pak se 5 mijë pacientë.
“Gjatë vitit 2011, shpenzimet e rimbursimit të barnave u rritën ndjeshëm për shkak të zgjerimit të skemës, çmimeve më të larta të barnave, rritjes së kursit të këmbimit të euros dhe disa faktorëve të tjerë. Qeveria ndërhyri duke aplikuar marzhe më të ulëta dhe rrjedhimisht çmime më të ulëta për barnat”, tha Hana. Nga Bilanci që ISKSH ka bërë rezulton se ulja e çmimeve pati efekt në uljen e shpenzimeve totale të rimbursimit me 7%. ”Me këto fonde, ne bëmë të mundur që të mjekohen një numër më i madh pacientësh nga muaji në muaj”, u shpreh drejtoresha e ISKSH. Politikat e qeverisë për uljen e çmimit të barnave kanë bërë të mundur mbajtjen e fondit të rimbursimit në nivelin e miratuar dhe rimbursimin e më shumë barnave e si rrjedhim, përfitimin e tyre nga një numër më i madh pacientësh brenda së njëjtës kosto.
Barnat e shtrenjta
Grupi i pacientëve që trajtohen me barna të shtrenjta ka qenë ai grup që ka përfituar nga ulja e marzheve. Sipas drejtoreshës së ISKSH-së, në muajin korrik 2011, me Imatinib 100mg janë trajtuar 73 pacientë me leucemi për një vlerë rreth 29 milionë lekë, ndërsa në muajin tetor, me këtë vlerë lekësh janë trajtuar 78 pacientë, pra 5 pacientë më shumë.
420 barna
ka aktualisht në listën e rimbursimit, me një vlerë prej 6.9 miliardë lekësh. Sipas ISKSH, janë dyfishuar përfitimet e pacientëve krahasuar me vitin 2006