Faturinoja bezdiset nëse i ankohesh. “Boni i çik gati lekët, abonetë”, përsërit ai, sikur është ky i vetmi togfjalësh që di, “Po s’të pëlqeu, zbrit” i kthehet një zonje dhe gjithë historia e grafmës së naftës mbytëse mbyllet këtu udhëtarët ulin kokën dhe dyert mbyllen. Autobusi rrëshqet përtueshëm në shi, aq ngadalë saqë na duket se shoferi po na e bën me kast që ne të vuajmë po aq sa ai prej erës së rëndë. E megjithëkëtë, Shoqata Kombëtare e Transportit Urban thotë se ka investuar. Ata thonë se do ta bëjnë çmimin e biletës 70 lekë nga 30 që është, dhe i kanë vënë Bashkisë së Tiranës: “Ultimatum”.
Nuk e di nëse ju keni hipur ndonjëherë në një urban në Tiranë, por ne që jemi mësuar ta bëjmë përditë këtë dhe bezdisemi vetëm nga ideja. Imagjinoni thuajse çdo ditë minutat ekstra që duhet të presësh, të shtyhesh deri sa faturinoja të jetë plotësisht i kënaqur dhe të jeni palosur aq mirë sa të mësoni se ça parfumi përdor bashkudhëtari (në rastin më të mirë). Pastaj pikërisht në këtë kohë shoferi ndodh të kujtohet se është vonë dhe e shkel gazin sikur të ishte në makinë private.
Numri i të pafatëve që përplasen në tokë dhe pësojnë ndonjë hematomë është i paqartë, ajo që dihet janë të paktën nja 4 aksidente vetëm në muajt e fundit që kanë përfshirë mjetet e transportit publik sipas policisë. Vetëm kemi asistuar në të paktën dy raste të moshuarish që janë përplasur në dyshemenë e mjetit pa pasur kohë të ulen derisa shoferi është lëshuar me shpejtësi apo ka frenuar po ashtu duke qenë se koha nga semafori në semafor është mjaft e shkurtër. Në dy raste të tjera jemi dëshmitarë okularë kur në nxitim për të mbyllur dyert apo nisur mjetin ndërsa kishte ende për të zbritur aksidentet kanë qenë më të rënda dhe udhëtarët kanë përfunduar të përplasur në asfalt.
E prapë Shoqata Kombëtare e Transportit Urban dhe se shërbimi që ofrojnë, ky i përmenduri më lart, nuk kushton më 30 lekë, por 70 lekë dhe ata e duan këtë me ultimatum pavarësisht asaj që mund të mendojnë njerëzit që përdorin transportin e tyre. “Shoqata e Transportit Qytetas është e vendosur për të rritur çmimin e biletës së autobusëve, duke e çuar atë në 70 lekë. Nëse Bashkia e Tiranës refuzon të takohet me ta dhe nuk pajtohet me kërkesën për rritjen e çmimit, ata kërcënojnë të shkojnë në gjykatë për zgjidhjen e kontratës”, kështu kërcënohej dje në gazeta.
Arsyet që ata kërkojnë një rritje jo më të vogël jo më graduale, është se siç thonë kanë “bërë investime”. Investime ku?! Autobusët e rinj që hynë në shërbim jo më shumë se 2 vjet më parë janë tashmë po aq të mjerë sa të vjetrit. Veç faktit që kompania, në rastin e Unazës, ka përfituar nga një mundësi reklamimi brenda tyre dhe të detyron të dëgjosh me zë reklamat gjatë gjithë kohës që je në autobus pjesa tjetër e kushteve nuk ka ndryshuar. Kondicionerët ndizen vetëm në raste të rralla. Në kohën e pikut autobusët sikur rrallohen dhe pasagjerët po ashtu si në autobusët e vjetër detyrohen të shtyhen e shkelen dhe dyert rrinë hapur deri sa mbushja të jetë komplete.
Çmimi i naftës, boll i shtrenjtë, sidoqoftë nuk ka ndryshuar në javët e fundit kohë kur u ngrit edhe pretendimi i shtrenjtimit të biletës. Atëherë, pse duan medoemos rritje të çmimit të biletës kompanitë?! “Kërkesa kryesore është çmimi i biletës. Ne na janë rritur shumë kostot, shpenzimet po ashtu dhe detyrimet bankare. Ne kërkojmë urgjentisht që çmimi i biletës të shkojë 70 lekë”, thotë përfaqësuesi i shoqatës. Burime jo zyrtare nga Bashkia na thonë se ata investuan në blerjen e një sërë autobusëve të rinj që u përdorën në fushatën e zgjedhjeve në Tiranë 2011 dhe kërkojnë që paratë e shpenzuara t’i nxjerrin tani.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha iu përgjigj po me ultimatum kërkesës së kompanive. Kryebashkiaku Basha theksoi se rritja e çmimit nuk mund të bëhet duke u bazuar në kërkesat e shoqatës, por duhet të bëhet më parë një studim i hollësishëm për këtë gjë.
“Jemi në proces të një studimi, i cili do të vërtetojë nëse ka apo nuk ka nevojë për të marrë hapa në këtë drejtim. Nëse nuk ka arsye, do të diskutohet me operatorët. Jemi të hapur për komunikim me operatorët. Duhet të zbatohen kontratat në mënyrë të plotë. Për çdo hap të njëanshëm të operatorëve do të merren masa deri në revokimin e kontratës”, – deklaroi Basha.
Duke kërcënuar se për heqjen e licencës operatorët s’kishin nevojë të shkonin në gjykatë, pasi këtë mund ta bënte Bashkia më herët. Situatë e ngjashme është përsëritur tri herë vitet e fundit dhe kompanitë përfituan një rritje prej 10 lekësh të çmimit të biletës, ndërsa kërkesat u parashtruan prej tyre po në të njëjtën formë. Herën e fundit ishte Ministria e Transporteve që u ktheu përgjigje se do t’u hiqte licencat nëse ngrinin çmimin pa pasur më parë një marrëveshje.
Mund të jetë politike?! Burime jo zyrtarë në bashki thonë se drejtuesit e kompanive kanë pasur takime me drejtues të sektorëve përkatës, por në ato takime ata nuk kishin shtruar për asnjë moment çështjen e biletës. “Ata kërkuan të rregullohej çështja e aboneve, u ankuan për abone fallco dhe kartonët, por kjo është diçka që duhet ta zgjidhin mes tyre dhe s’ka të bëjë me Bashkinë”, thanë burimet që nuk duan të citohen. Ndërkohë nga ana e saj Bashkia nuk është se mund të bëjë shumë në këtë situatë edhe sikur të dojë të bjerë dakord me kërkesat e kompanive. Rritja e çmimit të biletave bëhet vetëm me vendim të qeverisë.
Nga ana tjetër ajo që ende nuk është diskutuar është nëse njerëzit që udhëtojnë me këto autobus janë të gatshëm të paguajnë më shumë?! A mendojnë ata se shërbimi që ofrohet, megjithë arrogancën e faturinos (po nuk të pëlqeu era e naftës zbrit), ia vlen që të paguhet dyfish e më shumë më shtrenjtë. Ndoshta duhet menduar një mundësi për ta bërë tregun konkurrues në mënyrë që linjat të mos jenë monopole, kjo mund të normalizojë si shërbimin ashtu edhe çmimin e transportit dhe kështu nuk do të udhëtojmë duke dëgjuar ultimatumin: “Po nuk të pëlqeu, zbrit”.