Sot flitet për profesor Birçe Haskon i cili bën 70 vjeç. “Jam tepër i emocionuar dhe kam të drejtë të jem”, thotë ai në kinemanë e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit e mbushur me shumë studentë të artit skenik. Kur flet prof. Birçe e ilustron bisedën me histori nga e shkuara ose jep ndonjë fjalë të urtë pleqsh apo prej ungjillit: Kush nget parmendën nuk duhet të shohë prapa. Ai falënderon ata që kanë lënë qetë dhe kanë ardhur sot në parcelën e tij për ta uruar.
Edhe drejtoresha e AQSHF-së, Elvira Diamanti i drejtohet prof. Birçes duke i kujtuar postulatet e së kaluarës. “Nëse di diçka nga mjeshtëria e aktorit, e di falë teje”, thotë Elvira. “Ti me rreptësinë tënde na mësove ç’është puna, na mësove që talenti s’është asgjë.”
Specialistët e Arkivit, veç albumit fotografik “Prof. Birçe Hasko – Mjeshtër i Madh”, me imazhe nga rolet në kinema e teatër, por edhe nga çastet e lira me familjarë e miq, kanë zgjedhur sekuenca me batutat më të spikatura në aktorit. Nga roli i parë më 1971, te i fundit, më 2009, 17 minuta kolazh. Janë burim autentik për ata që duan të studiojnë punën e këtij aktori.
Sulo ballisti te “Kur zbardhi një ditë” (1971) i Piro Milkanit, i hapi rrugën në ekran. Gjithë gjithë ky është: një ballist ndanë një mezhde ndalon një kamion që transporton miell për gjermanin. Këta ore babam, zileps Suloja me t’u rehatuar, edhe miell kanë po edhe këmbë kanë. Zilia e Sulos për ushqimin po edhe për qejfet e gjermanit, bëhet ankim: nga do mbajë lufta?
“Filli dihet por fundi nuk i dihet kësaj punë, m’i dhjefsha t’ëmën. Po fundin ty po ta them. Sonte do t’i fusim në thes nja dy komunistë nga ata të peshkimit. I njoh unë ata horra. Me duart e mia do t’ua vë prangat…”
Shoferi, Demir Hyskja, drejton një timon që diametrin e ka sa ç’është krahu i këtij komunisti që transporton armë për partizanë në miellin gjerman. Ballisti përtypet dhe më në fund bën një kërkesë që e bën të ketë turp: “Mbaje se më shpëtoi…” Me siguri një nga batutat e arta për zhargonin e kinofilëve të Kinostudios.
Bie në sy menjëherë portreti prej malësori Labërie: hunda kërrute, sytë e zinj të rrumbullakët, nofullat të hequra si të tellallit myzeqar që e ndjekin një batalion qurrashësh të uritur te “Koncert në vitin 1936” i Saimir Kumbaros: “O milet… asnjeri mos mbetet pa ardhur në shesh. Hanëmet e nderuara do të kënaqin miletin me këngët e tyre.” Tellalli thërret urdhrat e prefekturës dhe i kërkon Dafinës alias Tefta Tashko Koços që të këndojë për të “Zare trëndafile/ç’ma bëre me hile”.
Këto të prof. Birçes quhen role të vogla por karakteresh nga ekspertët e artit kinematografik. Ai mund të shfaqet vetëm një herë në ekran por të lërë mbresë të thellë, si me portretin dhe batutat e Osmanit te “Malet me blerim mbuluar” (1971) i Dhimitër Anagnostit: “Ka një babë ky që e bën çeço. S’do të martohet po na, tërrt…”
E folura e Labërisë (Birçe Hasko, është i lindur në Dukat) është ngjyrë me rëndësi në fizionominë e tij.
Po s’janë këto arsyet që atë e ndjekin personazhet ballistë, partizanë dhe fshatarë që vijnë si shqetësime për historinë dhe klasat shoqërore në kinemanë tonë të periudhës 1950-1990.
Tosun Baçi i prof. Birçes te “Njeriu me top” (1977) me regji të Viktor Gjikës, shfaqet me të tijtë në një aheng te rrapi i fshatit. Italia ka kapitulluar. Ballisti Tosun pret pak kec të pjekur. Në sfond dëgjohet kori: “Se u mbushën malet plot me partizaaaanë/ dhe u ngrit sot gjithë Shqipëria për liri.”
Ballisti në kinemanë shqiptare është prototipi inferior dhe bashkëpunëtor me pushtuesin, trim me të vetët, hipokrit me partizanët. Tosun Baçi është akoma para kecit që ia zënë në fyt vëllezërit partizanë që ndërpresin ahengun. “Ah sa mirë bëtë që erdhët vëllezër. Hajdeni, hajdeni se dua t’ju përqafoj në këtë ditë të shënuar.” Ballisti është gjithnjë me një shishe rakie në dorë ose para një sofre me mish. Mirëqenia e tij kur populli i pushtuar vuan, është damkë që s’ka nevojë për koment. E në një tryezë të bollshme flitet për politikë dhe fatet e historisë. Ja me tej Tosun Baçi: “Gjermani nuk është okupator. Po s’e ngave, s’të nget. Vetë Hitleri, që thua ti, ka pranuar pavarësinë tonë të plotë në kufijtë e Shqipërisë etnike.” “Pavarësi e bukur kjo, nën çizmen e ushtarëve gjermanë”, përgjigjet i pari ndër partizanë. “E ç’ndryshim ka, që thua ti”, shton Tosun Baçi, “ndërmjet pavarësisë së shpallur duke pasur mbrojtje ushtarin gjerman me atë që shpallet duke sjell ushtarin rus apo anglez?”
Te “Radiostacioni” (1979) ai është Mete Aliu, partizani gjaknxehtë por me shpirt të pastër, për të cilin borgjezka është nepërkë imorale. Ai as zërin “Ju flet Tirana!”, s’ia dëgjon dot. “Nuk rri unë të dëgjoj se ç’thotë ajo bushtër. I fus një plumb mu në t’ s’ëmës, ja ç’i bëj.” Edhe kjo është zgjedhur si batutë e goditur për kolazhin.
Në filmat që mbulojnë tematikën e njeriut në socializëm, prof. Hasko prapë role modeste luan. Për shembull, te “Dhe vjen një ditë”, është daja i përkushtuar, njeri përvojën e të cilit tjetri duhet ta varë në vesh. “Ne me patate jemi rritur”, thotë Viktor Zhusti në rolin e Llane mendjemadhit që ka harruar nga ka ardhur, meqë jeton në kryeqytet e është martuar me vajzën e një nëpunësi në Komitet Ekzekutiv. “Kush, ti me patate?”, thotë daja. “Ty të ka mbajtur jot ëmë me qumësht dallëndyshe.” Po në vazhdim, ky dajo është duke therur një derr me Robert Ndrenikën që zemërpulë e mban kryet mënjanë. Pyet daja: “Po të vdes unë kush do t’i ther derrat?” Për këtë rol karakteri, prof. Birçe, është vlerësuar më 1987 me Medaljonin e Festivalit të Filmit Shqiptar për interpretimin më të mirë.
Është Plaku i Sertë te “Përrallë nga e kaluara” (1987) i Anagnostit: “Po ligji zoti Maliq është si puna e këtij shkopit. Ja ligji, ja dhe Maliqi. Ligji në dorën e Maliqit, mund të jetë kështu (bastuni rri mbi një kokë), po mund të jetë edhe kështu (bastuni godet). Ky shkop është i drejtë ë, se ka ca me gunga që…”
Te “Historiani dhe kameleoni” ai është një ndër të shumtët rreshterë idiotë të Monarkisë. Filmi është i vitit 1989, por këndvështrimi mbi historinë i të njëjtit regjisor si për “Koncert në vitit 1936”, nuk ka ndryshuar.
E meqë jemi tek historia e shqiptarëve në kinema, një temë e pëlqyer edhe për kineastët e dy dhjetëvjeçarëve të fundit, ja gjuha e një personazhi të prof. Birçes, Çifuti përballë një kamerieri, në filmin “I dashur armik” (2004) i Gjergj Xhuvanit. “Gjermani ka lista të rregullta për gjithë çifutët e shpërndarë nëpër Evropë”, thotë Çifuti i trembur nga hyrja e gjermanëve në qytet. “Je bërë synet?” e pyet kamerieri, “i tregoje bilen.” “Synet jam bërë që i vogël. Edhe çifutët bëhen synet”, përgjigjet Çifuti. “A e di gjermani këtë zakon tuajin?” pyet pa djallëzi kamerieri. “Gjermani di gjithçka”, e mbyll Çifuti dhe në fytyrë i bie një hije që nuk e dramatizon dot këtë grotesk gjenuin ku e ngre historinë arti ynë akoma popullor i kinemasë.
Intervista
Një variant për të mësuar historinë?
Birçe Hasko pëlqen të tregojë se e nisi këtë punë me trupën amatore në Memaliaj. Një burrë që e kishte ndjekur në disa shfaqje e kishte takuar dhe i kishte dhuruar një komposto me një ton nxitës: ti duhet të ndjekësh shkollën për aktor. Instituti i Lartë i Arteve u bë realitet për të në vitin 1965.
“Shekulli” i mori një intervistë për të thënat e tij mbi historinë në ekran.
Në vitin 1971 debutoni në kinema me rolin e një ballisti. Çfarë ju kërkohej për të realizuar një figurë të tillë, “negative”, për mënyrën si lexohej historia në kinema?
Unë kam ushtruar profesionin. Profesioni i artistit në thelb është i bukur për ata që e shohin jo për ata që e bëjnë. Për ata që e bëjnë është torturë.
Me Tosun Baçin, përsëri luani ballistin. Te ju zoti Hasko, ekzistonte vetëdija që tjetër histori thuhej në ekran kur tjetër ishte historia?
Unë jam me profesionin. Nuk jam marrë me ç’mendonin njerëzit. Do të them një gjë tani që është e hidhur fare. Kur unë bëra rolin e parë në kinema me Piro Milkanin, Sulo ballistin, më del një djali i ri 24 vjeç para Dajtit. Ju jeni, Birçe Hasko? Po i them. Ju jeni pedagog në Institutin e Arteve? Po i them. Dhe të mbajnë akoma, ë? Pse i thashë? Sepse ke luajtur atë rol të ndyrë dhe të mbajnë dhe pedagog ty. Pra këtu ngatërroheshin problemet e profesionit.
A s’ishte propagandë kjo mënyrë e të bërit kinema?
S’është propagandë. Gjithkush ushtron profesionin me aftësitë e veta. Në kohën e Manush Myftiut, Ministër Arsimi, ndodhte që rolet pozitive të vlerësoheshin dhe rolet negative nuk iu jepeshin çmime. Ishte kryetar jurie kur e theva këtë rregull dhe Guljem Radojës i dhamë çmim për rolin e fashistit te “Gjeneral Gramafoni”.
Skëterrë ’43 ishte një film që u ndalua se skenarist ishte Bashkim Shehu?
U ndalua kur u ndëshkua Bashkim Shehu.
Spontaniteti dhe çiltërsia u vlerësuan sot si dy cilësitë e lojës suaj aktoriale. Çfarë i vë në lëvizje tek ju këto tipare?
Të dyja këto tipare e kanë burimin tek natyra njerëzore. Unë siç jam në jetë, jam dhe në skenë. Kam atë pastërti. Unë e urrej shtirjen, e urrej në jetë, e urrej dhe në skenë.
Të njëjtat mekanizma funksionojnë si për të ndërtuar një karakter në art e si për ta mbajtur në jetë karakterin njerëzor në këto ujëra?
Patjetër, siç je në jetë, do të jesh dhe në skenë. Flas si aktor.
Në vitet shtatëdhjetë keni një bashkëpunim me Kujtim Spahivoglin për “Banjat” e Majakovskit?
Po, është e vërtetë.
Mund të flisni pak për këtë përvojë në studion eksperimentale në ILA?
Kujtimi ishte një pedagog i madh, veçanërisht për skenat masive. Natyrisht kishte bërë shkollë në Rusi. Ka pasur një pedagog shumë të madh rus Zavatski dhe ai i ishte mirënjohës pedagogut të vet. Kujtimi mbase vajti dëm nga sinqeriteti i tepruar. E kam respektuar, e kam dashur. Kujtimi nuk më ka dhënë mësim. Mua më ka dhënë mësim Drita Agolli, të cilës i jam mirënjohës edhe sot. Ai ishte shef katedre në atë kohë dhe unë s’kisha miq atëherë. Kur më mbajtën asistent pedagog, më mbajtën sepse menduan që vleja, meqë kisha bërë shkollë pedagogjike, edhe për ndonjë gjë tjeëtr, për talent, jo të vlerësuar atë kohë.
Solli ndonjë ndryshim për ju puna në teatër pas viteve nëntëdhjetë? Kujtojmë për shembull që keni luajtur në një vepër joskematike si “Tiranozauri” i Kasem Trebeshinës.
S’ka pasur ndonjë ndryshim për mua si profesion. Unë kam bërë atë profesion që bëja. Aftësia profesionale nuk ndryshon, nuk lëviz.
Megjithatë ndryshojnë faktorë të tjerë, teksti, skenari flet me një gjuhë tjetër, regjisori përdor mjete të tjera…
Po s’e marrë unë rolin po s’më pëlqeu. Unë vete atje ku ka profesionalizëm, ku ka karaktere. Ju e patë sot. Në ato role që u dhanë, s’ka asgjë të ngjashme. Çdo gjë është e ndryshme.
Ku është sekreti i kësaj?
Unë nuk jam i ndikuar, kam ruajtur pastërtinë profesionale. Pedagogu kërkon qimen në qull. Ndërsa aktorët në teatër marrin çibanë me vete, gradualisht. Unë jam aktor spontan, jam i atypëratyshëm, edhe tani që jam 70 vjeç. Dhe studentëve iu marr shpirtin për këtë spontanitetin që kërkoj.
Pse është e vështirë që të mbërrijë aktori në gjendjen e spontanitetit?
Sepse është brenda natyrës njerëzore, s’është për inat. Është brenda intelektit natyral, që të ka dhënë mëma natyrë.
Juve jua ka dhënë Dukati atëherë? Ktheheni shpesh në vendlindje?
Si s’kthehem? Vete kur kam kohë, gjithmonë. Kam një shtëpi në Orikum. Fshatin tim e kam idhull. Unë jam produkt i atij fshati. Ai fshat jetohet nga njerëz të mençur. Jam dhe unë një pikë atje, në këta njerëz të mençur. Këtë e them me shpirt, me sinqeritet deri në palcë.
Nga gjithë çfarë thanë personazhet tuaj sot, më domethënësja, duket fraza e Sulo ballistit: kësaj pune i dihet filli por jo fundi.
Unë nuk kam menduar se do të vinin ndryshime meqë thashë atë frazë. Kush mendon që do të bëheshin ndryshime, do të tregojë çoç dinte. Dëngla janë. Asnjë një gjë s’është e vërtetë. Do ta them shkurt: njeriu është produkt i kohës së vet. Pa përjashtim. Ne jemi produkt i asaj kohe, që nga Sali Berisha. Të tëra janë dëngla dhe llafollogjira. Unë nuk lëviz, jam produkt i asaj kohe.
Ku është e keqja e kësaj apo e mira?
E mira është të jesh vetvetja. Kaq është, e thjeshtë. Mos u shtir! Shtirja është gjëja më e shëmtuar për qenien njerëzore, edhe në krijimtari edhe në jetë.
Mbi të rinjtë:
Brezat duan punë. Do ta them në formë të ashpër dhe e kam thënë dhe më përpara në gazeta. Njeriut një dhe të paudhit ty, duhet t’u gjesh punë se të hapin punë.
Mbi kinemanë shqiptare:
Jo se s’ka cilësi sot, po s’ka produkt. Bëhet në një vit një film e gjysmë. Në atë kohë bëheshin 14 filma. Ne nuk shpërbleheshim, por ushtronim profesionin. Brezi i ri sot nuk ushtron profesionin. Një shtet që nuk punëson rininë, është shtet i plakur dhe i mbaruar.
Mevlan Shanaj: Sot mësova historinë e vendit tim
Historia me Birçen fillon nga viti 1965 dhe Saimir Kumbaro, Kristaq Mitro, që jemi këtu e kanë ndjekur Birçen. Birçe ka qenë gazi ynë. Dhe sot thashë: dreqi e mori! U plak dhe Birçja? Pse po qan Birçja? O Birçe, po ti qan nga dashuria, o njeri, ke harxhuar shumë dashuri për njerëzit. Për që njihemi kaq gjatë, di të them se me një mik si ti jeta bëhet shumë e shkurtër. Për nga mjeshtëria, ju patë në këto kronika që ishin qëmtuar me kujdes, një karakter që mëson historinë e Shqipërisë, ju që jeni të rinj. Nëpërmjet interpretimit spontan ta pakrahasueshëm të Birçe Haskos, unë sot mësova historinë e vendit tim nëpërmjet të gjitha roleve që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme, sepse shikoj një shqiptar.. Birçe mbetet mbi të gjitha një burrë tradicional që ka një karakter, ashtu siç dëshiron njeriu ta prekë në letër, sepse në jetë është pak vështirë. Birçe Hasko di të rrezatojë seriozitet, miqësi, aspak hipokrizi e servilizëm. Birçe mësoi gjithkënd!
Aktorja Marsela Lena:
“E kam pasur profesor. Kam mësuar shumë prej tij. Ka qenë një model pune. Historia ime me të është shumë e bukur. Kur kam filluar Akademinë e Arteve, nuk kam ditur as të flas mirë shqip dhe profesor Birçe ka besuar te unë. Dhe më ka dhënë këtë mundësi që unë të futem në shkollë dhe të vazhdoj rrugën time. Dashuria ime për të është shumë e madhe. Unë përfaqësoj këtu gjithë kursin tim. I urojmë jetë të gjatë, të lumtur, shëndet. E kemi afër zemrës, e kemi babain tonë.”